Ju mund tė ndihmoni!

Lajme nga Qendrat

Burim Berisha po i kushton shumë shtrenjtë Komunës së Fushë Kosovës

15 PRILL 2012 - E Diel 03:00

Në analizën tonë që i kemi bërë raportit të shpenzimeve buxhetore të Komunës së Fushë Kosovës për vitin 2011, kemi parë të përkthyer në shifra, atë që e vërenim çdo ditë me sytë tanë - shpërdorimin enorm të parasë publike nga kryetari dhe administrata e komunës sonë. Në këtë komunë, shpenzimet për mëditje, karburante, udhëtime jashtë vendit (ekskursione kryesisht), dreka e darka “zyrtare”, biseda telefonike arrijnë vlerën e 228,617.59 eurove. Këto janë shpenzime të panevojshme dhe mundësi e humbur për realizimin e shumë projekteve për të cilat ka nevojë komuna e Fushë Kosovës. 


Zyra e Kryetarit të Komunës për vitin e kaluar kishte të ndarë një buxhet prej 84,128.36 euro prej të cilave 59,411.68 euro janë përdorur për paga dhe mëditje që do të thotë se paga mujore në total e kësaj zyre ka qenë 4,950.97 euro. Kjo zyrë për dreka zyrtare ka shpenzuar 5,864 euro, dhe për ushqim dhe pije 1,675 euro që në total bëjnë 7,339 euro apo 30 euro për një ditë pune. Mallrat dhe shërbimet kapin vlerën e shpenzimeve prej 19,716 euro, shumë tepër e madhe kjo për punët e vogla . Vlera e harxhuar për karburante te kësaj zyre është 6,500 euro dhe për riparimin e automjeteve është 1400 euro, që në total do të thotë një shumë prej 7,500 eurove. Një përllogaritje e thjeshtë na bënë të shohim që kryetari ynë ka bërë në total një rrugë prej 71,000 km gjatë vitit apo rreth 270 km për një ditë pune.


Shpenzimet e administratës komunale në total, që ne i kemi vlerësuar si shpenzime luksi dhe domosdoshmërish duhet të quhen shpërdorime të buxhetit, kapin shifra enorme të shpenzimeve. Në vijim është e paraqitur një renditje e disa prej atyre shpenzimeve që i kemi vlerësuar si më eklatante.


1. Shpenzime karburanti 91,773.31 euro.


2. Udhëtime dhe mëditje jashtë vendit 48,961.84 euro.


3. Mirëmbajtje dhe riparim i veturave 37,486.18 euro.


4. Shpenzime telefonike 26,646.37 euro


5. Drekat zyrtare 23,749.89 euro.


Këta njerëz dinë të udhëtojnë, dinë të hanë, dinë të flasin në telefon me të hollat e buxhetit të komunës sonë, që është mundi dhe djersa e taksapaguesve, por nuk duan t’ia dinë për hallet e qytetarëve të Fushë Kosovës.




Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Fushë KosovëKthehu prapa te lista