Ju mund tė ndihmoni!

Lajme nga Qendrat

Shkeljet në Komunën e Gjilanit

02 QERSHOR 2012 - E Shtunë 04:28

Drejtuesit e qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE në Gjilan në konferencën e sotme për shtyp, paraqitën një sërë parregullsish në projektet e Partneritetit Publiko-Privat rreth “Higjienoteknikës”, duke kritikuar ndërhyrjen e parregullt të kryetarit të komunës së Gjilanit dhe kabinetit të tij në këto procese. Ismajl Kurteshi, kryetari i Qendrës në Gjilan shprehu qëndrimin lidhur me shpalljen fajtor të kreut të komunës, Qemajl Mustafës, i cili u ndëshkua me 700 euro rreth konfliktit të interesit. “Është për keqardhje që Komuna e Gjilanit udhëhiqet nga një njeri që është në konflikt me ligjin. Gjilani nuk e meriton një udhëheqës kaq skandaloz. Shpallja fajtor e Kryetarit të Komunës dhe dënimi i tij nga ana e gjykatës për shkak të konfliktit të interesit dëshmon arsyeshmërinë e kërkesës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për dorëheqjen e tij, e më vonë edhe iniciativën drejtuar këshilltarëve komunal  për inicimin e shkarkimit të Kryetarit Qemajl Mustafa për shkak të skandaleve të tij të njëpasnjëshme. Pas shpalljes së tij fajtor nga gjykata, ne edhe njëherë kërkojmë nga këshilltarët komunal ta iniciojnë shkarkimin e tij, jo vetëm pse gjykata e ka shpallur fajtor për konfliktin e interesit për menaxhimin e “Viva fruta”, por edhe për konfliktet e tjera të interesit dhe shkeljet e tjera ligjore si dhe keqpërdorimin e buxhetit të komunës”- theksoi Kurteshi.


Kurteshi theksoi se Lëvizjes VETËVENDOSJE! po i ofrohen fakte rreth shkeljeve të tjera, sidomos rreth shkeljes së procedurave dhe ligjit për Partneritet Publiko Privat dhe këto së shpejti do t’ia prezantojmë prokurorisë. “Vlen të cekët se procedurat për PPP i kanë udhëhequr vartësit dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Kryetarit të Komunës Kryetar i Komisionit të Aksionarëve,Veton Nevzadi, që është  edhe shef i kabinetit të Kryetarit të Komunës, Kryetar i Komisionit për Vlerësimin e Aseteve, Riad Rashiti, Drejtor i Drejtorisë Komunale Për Zhvillim, (vendas i kryetarit i emëruar para disa javëve në këtë post), Kryetar i Bordit të Aksionarëve, Fadil Osmani, që në të njëjtën kohë është edhe Menaxher i Zyrës Komunale të Projekteve.” Ndërsa Avni Rudaku, nënkryetar, tha se e mirëpresim këtë dënim të kryetarit, por ky dënim është shumë simbolik në krahasim me dëmet që janë bërë nga kryetari i komunës. “Ta dënosh një kryetar me 700 euro për shkeljen e Ligjit mbi parandalimin e konfliktit të interesit është shumë pak. Me këso dënimesh kryetari do ta shkel për çdo ditë ligjin, prandaj ne kërkojmë që të jep sa më parë dorëheqje ose të ndiqet në mënyrë emergjente procedura e shkarkimit të cilin e kemi kërkuar ne që moti. Ai sillet më shumë si biznesmen se sa si kryetar i një komune, prandaj për të 700 euro nuk janë bash asgjë”- deklaroi Rudaku.


Pyetjet e gazetarëve në përgjithësi ishin drejtuar rreth asaj se si e vlerësohet ky dënim i kryetarit nga Gjykata dhe për faktet e reja që po prezantonin drejtuesit e Lëvizjes rreth parregullsive në projektin e PPP-së në “Higjienoteknikë”.


   

1 qershor 2012


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan

Kthehu prapa te lista