Pas aksionit tonë simbolik të 15 qershorit, “Kryetar na thajte!”, pushteti i Kryetarit të komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, reagoi.
Na thanë se paskemi gabuar adresën e protestës dhe se kinse pasi e paskemi marrë vesh këtë “fakt”, qenkemi larguar nga oborri i komunës.
Në të njëjtën kohë u munduan të tregojnë para kamerave se po i njihkan aktet ligjore të Republikës së Kosovës.
Thjeshtë ata po mundohen që t’i ikin përgjegjësisë për dështimin e tyre 13-vjeçar për furnizim me ujë të qytetarëve të Prishtinës.
Aksioni jonë është i drejtë, për shkak se qytetarët kanë të drejtë në furnizimin e rregullt me ujë. Ndërsa komuna është adresa ku duhet protestuar, edhe atë jo vetëm për ujë!
Pushtetarët komunalë të LDK-së në Prishtinë duhet të japin llogari për 13 vitet e reduktimeve të ujit, për shkak se:
1. Neni 15 i Statutit Komunës së Prishtinës si akti më i lartë juridik përcakton qartë kompetencat vetanake të Komunës. Pika f) e këtij neni flet decidivisht për obligimin e Komunës për furnizim të qytetarëve me ujë:
f) Ofrimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve publike dhe shërbimeve komunale, duke përfshirë: furnizimin me ujë, kanalizimin dhe drenazhin, trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e mbeturinave, rrugëve lokale, transportit lokal dhe skemave të nxehjes lokale;
2. Njëri prej 95 premtimeve të dhëna të Isa Mustafës për t’u bërë Kryetar komune, thoshte “24 orë ujë”.
Për këtë premtim dhe për vuajtjet 13 vjeçare të qytetarëve të Prishtinës nga mungesa e ujit pushteti i LDK-së duhet të japë llogari.
Statuti e obligon pushtetin komunal që t’ua sigurojë qytetarëve furnizimin me ujë. Isa Mustafa u bë kryetar edhe në sajë të premtimit “24 orë ujë”! Ndërsa sot ai nuk po ka kohë as që t’i numërojë premtimet e tij të parealizuara, për shkak se angazhim kryesor të tijin i ka pazaret politike me Hashim Thaçin, e jo hallet e shumta të qytetarëve të Prishtinës. Thaçi e Mustafa nëpërmjet të ashtuquajturës Reformë Zgjedhore, po tentojnë ta fuqizojnë pushtetin e tyre të padrejtë në kurriz të vuajtjeve të qytetarëve.
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Prishtinë
Kthehu prapa te lista