Vitrina Ju mund tė ndihmoni!

Lajme nga Qendrat

Qendra e Prishtinës: Në emër të debateve me qytetarë, komuna po mban tubime të LDK-së

29 QERSHOR 2012 - E Premte 03:06

(Nga Konferenca për media mbajtur nga Kryetari i Qendrës së Prishtinës, Berat Lahu dhe Udhëheqësi i Nënkomitetit për administratë, Genc Sherifi)


Komuna e Prishtinës i informoi mediet dhe e vendosi në faqen e saj të internetit njoftimin se Kryetari Isa Mustafa bashkë me Drejtorët e Drejtorive komunale si dhe me anëtarët e Komitetit për Politik dhe Financa (KPF) do të mbajnë debate me qytetarët e lagjeve Dardania, Mati, Kodra e Trimave, Zona e vjetër e qytetit, me ata të Hajvalisë dhe në përfundim të këtij cikli edhe një debat qendror në Objektin e Komunës. Temë e këtyre debateve u tha se do të jenë “Kërkesat e qytetarëve që do të përfshihen në projektbuxhetin e vitit 2013”.


Në dukje të parë kjo mund të krijojë përshtypjen e një nisme të mirë, mirëpo dredhia e pushtetarëve qëndron në atë se në këto të ashtuquajtura “debate me qytetarë” nuk u ftuan qytetarët. Kryetarët e Pikave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër lagjet e fshatrat e Prishtinës, janë interesuar rreth mënyrës së informimit të qytetarëve për këto debate. Ata nuk kanë gjetur njoftime në vendet më të frekuentueshme. E edhe në biseda me qytetarët është vërejtur se ata nuk dinë gjë për mbajtjen e debateve.


Me këtë rast pushteti komunal ka bërë shkelje të Nenit 22 të Statutit të Komunës. Ky nen e përcakton shumë qartë obligimin e komunës rreth organizimit të takimeve me qytetarë


Neni 22


Vendi, data dhe koha kur do të mbahen takimet me qytetarë, shpallen në mjetet e informimit publik, në tabelën e shpalljeve në ndërtes/ën-at e Komunës dhe në vendet më frekuentuese në qytet, në fshatra dhe në lagje urbane, si dhe në ueb-faqen e Komunës 4 ditë para mbajtjes së takimit. Shpalljen publike e bën Zyra për marrëdhënie me publikun.


Nuk bëhet fjalë për ndonjë lëshim teknik të Zyrës për marrëdhënie me publikun. Këtë na e dëshmon përvoja nga e kaluara. Gjithmonë këso ‘debatesh’ organizohen në heshtje, në mënyrë që qytetarët e paknaqur të mos informohen për mbajtjen e tyre dhe të mos mund t’i thërrasin në përgjegjësi pushtetarët e papërgjegjshëm. Me këtë veprim Komuna e Prishtinës po mundohet që të krijojë përshtypjen e rrejshme se kinse qytetarëve po u krijohet mundësia për të debatuar rreth kërkesavë të tyre. Këtë e ilustron edhe propaganda e Komunës e cila thotë se në mbrëmjen e 26 qershorit na qenkan mbajtur debate me qytetarët e  13 lagjeve dhe të 7 fshatrave të Prishtinës. Shtrohet pyetja se si është e mundur, që në një mbrëmje të debatohet me shumicën e qytetarëve të Prishtinës.  


E vërteta është se në këto kinsedebate me qytëtarë, pushteti ka ftuar vetëm anëtarë të përzgjedhur të LDK-së, duke i shfrytëyuar kështu funksionet publike për fushatë partiake. Fushatë kjo mëse e nevojshme për LDK-në, anëtarët e së cilës të zhgënjyer nga dështimet dhe keqqeverisja në Prishtinë po i largohen çdo ditë e më shumë.


Isa Mustafa ftoi anëtarë të LDK-së në këto takime, për ti manipuluar ata se gjoja kërkesat e tyre do të përfshihen në Projektbuxhetin 2013.


Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! kjo mënyrë e të vepruarit është e papranueshme. Është e domosdoshme që të organizohen debate me qytetarë, edhe atë jo vetëm për buxhetin por për secilen çështje që ka të bëjë me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.


Përvoja jonë përgjatë viteve në tubime me qytetarët tregon se debatet me qytetarët dhe përfshirja e mendimeve të tyre, janë faktori kryesor për hartimin e politikave në të mirë të qytetarëve.


 

Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra e Prishtinës

Kthehu prapa te lista