Është bërë tashmë e zakonshme apo më e lehtë për Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera, që problemeve dhe halleve të qytetarëve t’u qasen me polici në vend se t’i ndihmojnë ata. Rasti më punëtorët e larguar nga “Ferronikeli” është vetëm një nga rastet e shumta ku të drejtat për punë shkilen pamëshirshëm nga institucionet lokale dhe ato qendrore.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, me shqetësim po i përciellë ngjarjet e javës së fundit, që po ndodhin pas largimit dhe lënjes në rrugë të 85 punëtorëve nga menaxhmenti i kësaj fabrike, të cilët me një vendim të shpejtë, të pamenduar mirë dhe me një arsyetim tejet banal, kinse e paska prekur edhe “Ferronikelin” kriza ekonomike, teksa vetëm në muajin qershor prodhimi kishte shkuar në 600 tonë dhe atë me vetëm një furrë në funksion.
Ne sikur edhe më parë, jemi me dhe pranë kërkesave të punëtorëve të larguar, por edhe të atyre që ende vazhdojnë punën, duke i porositur madje që të mos i fshehin shkeljet që ndodhin aty dhe të dihen ato vetëm atëherë kur edhe mund të jetë bërë vonë. Që në fillim, ne kishim kundërshtuar privatizimin që po bëhej në Kosovë, e edhe të “Ferronikelit” në veçanti, duke bërë me dije që me shitjen e ndërmarrjeve publike do të pësojë Kosova dhe ekonomia e saj, do të pësojnë edhe punëtorët aty dhe qytetarët në përgjithësi. Ndërsa, të vetmit që do të përfitojnë janë ata të cilët edhe po e shesin djersën tonë.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, inkurajon të larguarit nga puna që të vazhdojnë me protesta të vazhdueshme dhe 24 orëshe, duke i porositur ata që të mos ndalen së kërkuari më ngulm të drejtat e tyre legjitime, për kthim në vendet e punës dhe për përmirësim të kushteve aty.
Ndërsa, e dënojmë intervenimin e policisë pa asnjë arsye të vetme, meqë organizatorët e protestës kishin njoftuar me kohë se bllokimi i hyrje-daljeve të fabrikës do të zgjasë vetëm deri në ora 10, për të vazhduar sërish nesër. E, meqë ishte kështu pse policia u deshtë të intervenojë? Pse policisë nuk iu prit deri në ora 10, kur edhe do të përfundonte protesta? Apo ishte një kërcënim që të mos vazhdohet më me protesta as nesër?
Mos dëgjoni urdhërat politikë. Mos u bëni pjesë e shkeljes së të drejtës për të protestuar veç pse këtë tashmë e ka bërë dhe po vazhdon ta bëjë qeveria. Mos i kini duart kaq të lira për t’i rrahur ata që po kërkojnë punë e po kërkojnë të mbajnë familjet e tyre. Mos mendoni se një popull mund të shtypet duke u rrahur e burgosur. Dhe për fund, mos u bëni polici politike por bëhuni polici e popullit dhe bëhuni të gatshëm të na mbroni kurdoherë që kemi nevojë, sepse jeni për këtë, sepse po paguheni nga ne dhe nga këta 85 që ju sot i larguat nga aty, duke i arrestuar disa prej tyre padrejtësisht dhe dhunshëm.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Drenas
Kthehu prapa te lista