Ju mund tė ndihmoni!

Lajme nga Qendrat

Qendra e Drenasit: Drenasi sërish keq nga Auditimi i Përgjithshëm

19 KORRIK 2012 - E Enjte 02:02

Në Raportin e Auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare për Komunën e Drenasit për vitin 2011, dhe pas analizës së bërë, kemi vërejtur shkelje të rregullave të prokurimit, keq – menaxhim të theksuar dhe keq – përdorim të mjeteve financiare nga ana e zyrtarëve komunalë. Dhe lidhur më këtë, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, lëshon këtë komunikatë për media:


Siç duket, Raportet e Auditimit të Përgjithshëm që bëhen për Komunat e Kosovës, nuk u bënë përshtypje dhe nuk i shqetëson aspak zyrtaret e Komunës së Drenasit, e as Kryetarin Nexhat Demaku. Që nga viti 2008, auditori i përgjithshëm gjatë analizës së pasqyrave financiare dhe menaxhimit të buxhetit në Komunën e Drenasit ka gjetur parregullsi të mëdha dhe të njëjta në menaxhim të buxhetit komunalë. Është interesant se për disa vite radhazi, auditori ka dhënë disa rekomandime të njëjta për Kryetarin e Komunës dhe për administratën në përgjithësi, por që nuk janë marrë seriozisht dhe kësisoj kanë mbetur ato rekomandime pa u përmbushur nga viti në vit. Dhe teksa zyrtarët e komunës sonë nuk janë në gjendje të ndërmarrin hapa konkret për t’i eliminuar parregullsitë që vetë i kanë krijuar, atëherë s’ka se si të pritet diçka më shumë nga ta.


Vetëm në vitin 2009, janë dhënë 4 rekomandime për Komunën e Drenasit, në mënyrë që ato të zbatoheshin e të merreshin parasysh në 2010, por zyrtaret e komunës fare se ka qarë kokën që të merret më to, madje për më keq e kanë rritur numrin e shkeljeve të rregullave dhe të procedurave të prokurimit e të punëve në përgjithësi. Siç e cekëm më lart, komunës nuk ia ndjen shumë për shqetësimet që ka auditori, e as për të njëjtat shqetësime që kanë qytetarët e Drenasit të cilët po përballën përditë e më tepër me papunësinë enorme e më varfërinë në rritje.


Keq në përpilimin e pasqyrave financiare:


Mungesa e shpalosjes së pasurisë dhe stoqeve të komunës, lëxuesit e pasqyrave financiare i bënë ta kuptojnë që në start se komuna në këtë rast ka keqmenaxhuar në radhë të parë, ndërsa edhe ka keqpërdorur me pasurinë e komunës. Ndërsa në anën tjetër, subvencionet e dhëna nga Komuna, në disa raste kanë dalë të jenë të pambuluara meqë mungonte faturimi i rregullt për kërkesën dhe për dhënien e subvencionit në adresën e caktuar. Përmendim rastin e datës 19.05.2011, ku komuna ndanë subvencione për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, në vlerë prej 5,745 euro, dhe atë në emër të derivateve që kanë shpenzuar këto shoqata. Pra, këtu ekzistojnë dyshimet për keqpërdorim të këtyre mjeteve, ngase komuna fillimisht nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete apo ndonjë memorandum mirëkuptimi me shoqatat e luftës, dhe përveç kësaj mungon edhe kërkesa nga ana e shoqatave për këto mjete dhe për saktësinë e shpenzimit, teksa auditori në raportin e vet thekson se nuk kanë gjetur dëshmi të mjaftueshme se pagesa e kryer është në përputhje me shpenzimet e ndodhura.


Njëjtë kishte ndodhur edhe më 1,750 euro, që kishte marrë Shoqëria Kulturo Artistike “Shotë Galica”, me ç’ka edhe në këtë raste mungon dëshmia e kërkesës e po ashtu mungon edhe arsyeja e shpenzimit të mjeteve. Ndërkohë që rregullorja e thotë shumë qartë se asnjë subvencion nuk guxon të jepet pa pasur kërkesë paraprake të shqyrtuar, të aprovuar, dhe në fund arsyetimi i shpenzimit duhet të jetë në bazë të raportimit nga përfituesi.


Trajtim jo i drejtë i pasurive kapitale dhe jo – kapitale:  


Një shkelje tjetër shumë serioze dhe madje e pakuptueshme është edhe trajtimi jo i drejtë i pasurive kapitale dhe jo-kapitale. Këtu ka ndodhur diçka interesante, që përveç se na bënë të kuptojmë se mungon edhe stafi profesional në komunën tonë, lë të kuptohet edhe se zyrtaret komunalë përfitojnë paligjshëm në raste të tilla. Pasuritë jo financiare ishin shpalosur në shumën prej 891,300 euro, ndërsa që nuk ishte e saktë, sepse mungonte regjistrimi i 2,000,000 euro të tjera që ishin si investime kapitale gjatë vitit 2011. Absurdi këtu është mënyra se si ka ndodhur kjo, meqenëse zyrtarja komunale për regjistrimin e pasurisë kishte ndërruar vendin e punës duke kaluar në Njësinë e Auditimit të Brendshëm, dhe kështu ky sektorë kishte mbetur pa u zëvendësuar. Pra, komuna nuk ka evidentuar pasurinë e saj në tërësi, dhe si pasoj e kësaj auditori shprehë me të drejtë shqetësimin se këtu përveç keqmenaxhimit ka mundur të ketë edhe humbje të pasurisë dhe përfitime nga persona të caktuar, duke shfrytëzuar kështu situatën e krijuar. Ndërkohë, komuna edhe me tutje tregohet e paaftë (qëllimshëm) për të mbajtur regjistra të rregullt e të veçantë për faturat e paguara gjatë vitit 2011 për të shlyer borxhet e bartura nga vitet e kaluara. Dhe, në këtë rast edhe ne mendojmë sikurse auditori që këtu janë bërë pagesa të dyfishta e të parregullta.


Është e patolerueshme dhe e tmerrshme se si komuna vazhdon të lejojë ndërtime pa leje në qytetin tonë, duke ndihmuar kështu në uljen e të hyrave të taksave ndërtimore. Për këtë dukuri tejet negative ne ka kohë që kemi reaguar duke spikatur që këtu njerëzit zyrtarë të komunës, janë duke i toleruar qëllimshëm këto ndërtime pa leje më qëllim përfitimi personal, duke dëmtuar kështu ngritjen e taksave dhe rritjen e buxhetit të komunës, me ç’rast do të përkthehej në mirëqenie më të mirë të jetës së qytetarëve të Drenasit. Interesat e ngushta partiake e klanore, Drenasin e kanë kthyer në një vend ku nuk dihet se kush është ndërtuesi, kush është financuesi e as kush i ka dhënë leje atij nëse i ka dhënë, dhe sa është respektuar ajo pastaj gjatë ndërtimit karshi planeve rregulluese urbane në qytetin tonë.


Moskryerja e punëve me kohë dhe korrupsioni nga kjo:


Është mundësia më e lehtë që zyrtaret komunalë të marrin para nga kompani të ndryshme të cilave paraprakisht u “besojnë” që t’i kryejnë punët për çka kontraktohen. Raste të shumta ka kur kompanitë e kontraktuara nga komuna e Drenasit, i tejkalojnë afatet e përcaktuara me kontratë për përfundimin e punëve që kanë marrë, dhe kjo gjithsesi është në marrëveshje më zyrtaret komunalë, meqë këta të fundit nuk i kontrollojnë dhe as që ndërmarrin masat e nevojshme për të aplikuar penale (ndëshkime) për punë kryesit. Vetëm kontrata e datës 17.05.2011, e lidhur për riparimin e rrugëve në Drenas, ka pasur hiq më pak se 136 ditë vonesa, dhe derisa komuna nuk kishte reaguar atëherë kemi të drejtë të besojmë se nga kjo dikush është korruptuar duke përfituar para në mënyrë që kompania të mos dënohej sipas rregullave të parapara me ligjin e prokurimit. E kur kësaj ia shtojmë edhe faktin se kompanitë që marrin tenderët në Drenas, janë kryesisht të njëjtat, pra janë ato që pronarët e tyre janë militant të partisë në pushtet PDK-së, dhe disa nga shokët e Kryetarit të Komunës dhe zyrtarëve të tjerë komunalë, nuk ka si të jetë ndryshe, dhe se dyshimet e secilit qytetarë e edhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, dalin të jenë të sakta.


E tëra që u tha më lartë, është shumë shqetësuese për qytetarët dhe për Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, për faktin që raporti nxjerrë në pah shumë dështime në kontrollin e financave nga ana e prokurimit të komunës së Drenasit, për çka ne i theksuam vetëm pakë nga shumë shkeljet e parregullsitë që janë në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Pasqyrat Financiare për Komunën e Drenasit, për vitin 2011.


Ne shprehim shqetësimin tonë që paraja e taksapaguesve po keqmenaxhohet dhe po vidhet në të njëjtën kohë nga zyrtarë të komunës, të cilët do të duhej të ishin aty për ta mbrojtur qytetarin dhe interesin e tij. Do të duhej të ishin aty për zhvillimin dhe ruajtjen e Drenasit e jo për shkatërrimin e tij. Do të duhej të ishin aty që ta ulin numrin e të papunëve. Do të duhej të ishin aty që varfërinë e madhe që ekziston në komunën tonë ta luftojnë e jo ta rrisin edhe më shumë atë. E meqë nuk janë aty për ato që u thanë më lartë, atëherë nuk duhet që edhe një ditë të vetme të jenë aty. Ata duhet të shkojnë ngase po na dëmtojnë.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, thërret edhe organet gjyqësore që të hetojnë në mënyrë të pavarur kudo që ka nevojë përbrenda këtij institucioni. Ndërsa kërkojmë edhe dorëheqjen e Kryetarit të Komunës, Nexhat Demaku, meqë në mandatin e tij po përsëriten shkeljet dhe gabimet e njëjta nga viti në vit, dhe assesi ato të evitohen  në mënyrë që një herë e përgjithmonë të mbretëroj rregulli dhe ligji.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Drenas

Kthehu prapa te lista