Fjala e Arbër Rexhajt, kryetar i Qendrës së Prizrenit
Arsimi në komunën e Prizrenit, jo vetëm brenda këtij viti shkollor, por gjatë tërë mandatit të kryetarit Muja dhe atij paraprak ka lënguar nga një problem tejet serioz. Arsimi në komunën tonë është politizuar tej mase. Nga gjithsej 55 drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme, veç dy prej tyre nuk janë pjesë e partisë në pushtet. Pra ky pushtet nuk dallon nga ai paraprak, përveçse ky pushtet në dallim nga ai i Kryeziut, ka lënë veç dy shkolla me drejtorë bashkë, jashtë partisë…
Përpos kësaj Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren ka evidentuar keqmenaxhimin dhe jo profesionalizmin e këtyre drejtorëve. Ndër keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet e këtyre drejtorëve mund të përmendim, keqpërdorime dhe joprofesionalizëm me mjete sidomos gjatë manifestimeve të ditëve të shkollave, festave zyrtare, 7 marsit Dita e Mësuesit, 28 nëntori Dita e Flamurit, fundvitet, ekskursionet e organizuara si shëtitore në Kosovë dhe në Shqipëri etj. Këto keqpërdorime pothuajse janë evidente pothuajse në secilën shkollë të komunës së Prizrenit.
Rastet
Në komunën e Prizrenit ka edhe drejtorë të cilët hetohen nga gjykata e qarkut, siç e kemi rastin me drejtoreshën e shkollës fillore “Ibrahim Fehmiu” Nora Kelmendi së bashku me dy arsimtarë të kësaj shkolle Vlora Veseli dhe Halil Thaçi të intervistuar nga hetues të krimeve ekonomike, ndërsa kallëzimi penal është ngritur pikërisht nga kjo njësi hetuesish. Po ashtu zëvendësdrejtori i kësaj shkolle Fatmir Bajrami hetohet po ashtu sepse ka fshehur dhunën brutale të ushtruar ndaj fëmijëve të kësaj shkolle.
Psikologja në këtë shkollë Afërdita Zogaj në vendin ku punon është pranuar në mënyrë të kundërligjshme, e pa diplomuar dhe pa asnjë konkurs, të cilën obligohet drejtoria e arsimit ta hapë përpara se të pranojë punëtorë.
Drejtorët e shkollave të Prizrenit punojnë në dy vende pune, gjë që është nënkupton konflikt interesi. Drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku” Rrahim Bekteshi i cili përveç punës si drejtor punon edhe në një kompani sigurimi, pastaj zëvendësdrejtori shkollës “Ibrahim Fehmiu” Fatmir Bajrami, i cili ligjëron edhe një lëndë në një universitet. Vjosa Smjalaj punon si mësimdhënëse në gjimnazin “Gjon Buzuklu” në Romaj me orar të plotë, po ashtu është edhe këshilltare asamblesë së Prizrenit. Ka edhe raste të tjera kur mësimdhënësit punojnë në arsim dhe përfaqësohen në asamblenë e Prizrenit, gjë që nuk kanë të drejtë, pos që mund ta mbajnë vetëm gjysmën e normës në arsim.
Më pastaj drejtori i shkollës “Aziz Tolaj” , Hilmi Rexhaj është pranuar në punë pa asnjë kriter dhe punon si drejtor në këtë shkollë ndërsa ai nuk ka profil arsimor prandaj edhe nuk ka të drejtë ta ushtroj këtë detyrë. Drejtoresha e shkollës fillore në fshatin Poslisht “Liridona” Venera Zhubi -Shala, vazhdon të punojë, ndërsa është pranuar nga kjo drejtori pa asnjë kriter të vlerësimit sepse ajo nuk ka asnjë ditë përvojë pune, prandaj ajo nuk ka të drejtë ta ushtrojë këtë detyrë. Po ashtu drejtoresha e shkollës fillore “Naim Frashëri” në fshatin Vlashnje, Albulena Halimaj është pranuar në këtë detyrë pas asnjë ditë përvojë pune, pa kriter vlerësimi, prandaj nuk ka të drejtë ta ushtroj këtë detyrë.
Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prizren, në konkurset për staf akademik punëson kryesisht militantë dhe anëtarë të familjeve të militantëve duke shpërfillur dispozitat ligjore. Paneli i saj përbëhet kryesisht mbi bazën e partisë dhe është i partishëm. Asnjëherë nuk është ftuar që në këtë panel intervistimi të jetë ndokush nga sindikata e arsimit. Po i përmendim vetëm disa parregullsi:
Në shkollën e mesme të gjimnazit “Gjon Buzuku” sipas konkursit jo publik të DKA-së që nuk është shpallur në asnjë nga gazetat ditore është pranuar Raxhije Hoti. Arijeta Bobaj, mësimdhënëse në shkollën e mesme të gjimnazit “Gjon Buzuku”, në Zhur ka kontekst gjyqësor pasi që është pranur në punë si mësimdhënëse duke shpërfillur kandidatët para saj të cilët kanë qenë me profil masteri, ndërsa ajo është pranuar me profil bachelori. Në shkollën e mesme “Remzi Ademaj” në Zym jep mësim Engjëll Kajtazi me shkollë të lartë pedagogjike gjë që nuk ka të drejtë.
Zëvendës drejtori i shkollës së mesme teknike “Gani Çavdërbasha”, Enver Bytyqi, nuk ka të drejtë ta ushtrojë këtë detyrë sepse ka profil bujqësor dhe pa profil përkatës. Po ashtu edhe zëvendësdrejtoresha e shkollës së mjekësisë “Lucioano Matroni” ka profil bujqësor dhe nuk ka profil përkatës prandaj nuk ka të drejtë ta ushtrojë këtë detyrë. Këta të dy burrë dhe grua…
Drejtoria e Arsimit në Prizren nuk ka të drejtë që të lejojë detyrën e ushtruesit të detyrës së drejtorit nëpër shkolla, përveç se 6 muaj. Në komunën tonë, partia në pushtet duke mos gjetur drejtorë të vijës partiake ka emëruar ushtrues të detyrës së drejtorit, koha e të cilëve ka kaluar më shumë se një vit. Prandaj më shumë se një vit nuk ka hapur konkurse për këto vende pune. Të gjithë përgjegjësit e shkollave në komunën e Prizrenit kanë kaluar periudhën 6 mujore, prandaj nuk duhet ta ushtrojnë këtë detyrë më.
Drejtoria e arsimit punon me kriterin e diferencimeve politike. Kriteri fillestar për të konkurruar si mësimdhënës në vendin e punës është të jesh i dëgjuar, anëtarë ose simpatizant i PDK-së. Të jesh i bindur, të mos propagandosh kundër partisë në pushtet, përndryshe propaganda partiake pro partisë shpërblehet nga drejtoria e arsimit, gjegjësisht ministria e arsimit. Të dëgjuarit dhe partiakët e tyre zgjidhen mësimdhënësit më të mirë të komunës së Prizrenit. Kjo është e vërteta. Pra kriteri i vlerësimit profesional në komunën tonë është partia. Nisemi nga partia dhe rrimë në parti. Mësimdhënësit të cilët janë zgjedhur si ‘më të mirët” në komunën e Prizrenit janë partiakisht PDK-së.
Ky qëndrim ndaj sistemit arsimor në Prizren ka sjellë dëme të konsiderueshme sepse është zhytur në korrupsion dhe parregullsi të shumta, siç janë rastet e tenderëve të ndryshëm të hapura nga kjo drejtori dhe në veçanti ndaj tenderëve të ekskursioneve ndaj edhe drejtori i drejtorisë së arsimit në Prizren, Nexhat Qoqaj i cili edhe hetohet nga prokuroria për këtë, pikërisht për këto tenderë dhe për një mal akuzash të cilat qytetari i Prizrenit tani më i di. Kjo qeverisje lokale nuk lodhet për nxënësit, ngritjet e tyre mësimore dhe pedagogjike por për tenderët dhe paratë.
Kjo drejtori e korruptuar nxjerr nga puna si hakmarrje edhe ata të cilët nuk janë pjesë e partisë së tyre, siç ishte rasti i profesorit të nderuar të biologjisë, Sahit Rakajt, i cili është anëtar i kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren. Kemi rastin edhe të mësimdhënëses Alije Kolgecit e cila pas një pune 25 vjeçare nxirret nga puna, ndërsa ajo ka fituar gjyqin e shkallës së dytë kundër DKA-së dhe tani pritet të zbatohet e të kthehet në punë, gjë që DKA po e shpërfill në vazhdimësi. Këso raste ka edhe ndaj mësimdhënësve të tjerë të cilët nuk i përshtaten partishëm PDK-së në Prizren. Kjo drejtori iu kërkon edhe nga 2 mijë euro mësimdhënësve për t’i bërë drejtorë, siç është rasti i mësimdhënësit Muhamet Kacabashi.
Në vend se drejtoria e arsimit të punonte profesionalisht në ngritjen e kapaciteteve dhe resurseve brenda arsimit në komunën tonë ajo është kthyer në një drejtori e cila punëson njerëz si aparat i së ardhmes e cila do t’i shërbej për shantazhe në rast se nuk votohet ajo. Në mungesë të një programi që do të hapte mundësi punësimi për qytetarët e Prizrenit, kjo drejtori është bërë qendër e punësimit dhe e krimit të organizuar.
Fjala e Muharrem Elezkurtajt, nënkryetar i Qendrës së Prizrenit
Neuroza e arsimit në Prizren nis që nga fillim-viti. Drejtoria e arsimit pranon mbi 40 nxënës, gjë që e pamundëson zhvillimin normal të orës mësimore. Prandaj mësimdhënësi e ka të pamundur qysh nga fillim viti të mbaj orën në mënyrë profesionale. Kjo neurozë zgjatet deri aty sa prindërit dhe nxënësit vrapojnë pas dyerve të kësaj drejtorie dhe të drejtorëve të shkollave për të hyrë dhe vijuar mësimet nëpër shkolla, përkatësisht në gjimnaze, sepse mungojnë motivimet për shkollat profesionale, gjegjësisht për shkollën e mesme teknike “Gani Çavdërbasha dhe shkolla e mesme ekonomike “Ymer Prizreni”.
Të gjithë nxënësit duan të regjistrohen në dy gjimnazet tona, respektivisht në gjimnazin “Gjon Buzuku”, dhe gjimnazin “Remzi Ademaj”, duke përfshirë këtu edhe shkollën e mesme të mjekësisë “Luciano Motroni”. Ndërsa shkolla e muzikës “Lorenc Antoni”, e vetmja mund të zhvillojë mësimin në kushte pak sa më normale. Arsyeja për këtë në komunën e Prizrenit është që vetë kjo drejtori nuk ka bërë asnjë plan të qartë sesi nxënësit të motivohen për të ndjekur mësimet në shkollat profesionale, prandaj në këto shkolla kryesisht kemi rezultate të ulëta të arsimimit të përgjithshëm. E njëjta gjendje qëndron edhe në shkollimin fillor. Brenda një klase po ashtu kemi mbi 40 nxënës dhe ora nuk mund të zhvillohet në rrjedhën normale të saj.
Përfundimit të këtij viti shkollor i paraprinë një varg problemesh. Nxënësit u detyruan, deshën apo nuk deshën, që ta paguajnë sigurimin privat të shkollës. Në secilën shkollë nxënësit paguan sigurimin e tyre. Prandaj është jo e drejtë që nxënësit të sigurohen nga mjetet e tyre, sepse shërbimi nëpër shkolla në tërë Kosovën është falas. Për ruajtjen dhe sigurimin e tyre është përgjegjës rendi dhe jo zhvatja e parasë së tyre në emër të mbrojtjes sa më të mirë të fëmijëve.
Gjysmëvjetorit të dytë i paraprinë shumë probleme, humbin vitin kryesisht ata nxënës të cilët janë të paaftë të ndikojnë përgjithësisht në sistemin arsimor e korruptiv. Pra humbin vitin ata të cilët nuk bëhen pjesë e degradimit të përgjithshëm të vlerave arsimore dhe pedagogjike. Drejtoria e arsimit nuk ka bërë asnjë plan konkret për ndaljen e këtyre fenomeneve negative, të cilat janë duke e ngulfatur arsimin në komunën tonë.
Ekskursionet me maturantë janë skandaloze. Në vend se të kemi ekskursion për nxënësit, kjo drejtori iu jep një antipedagogji, pra i lejon në liri për shfrenim dhe amoralitet. Atyre iu lejohet që të qëndrojnë jashtë deri në orët e hershme të mëngjesit edhe pse ende nuk i kanë mbushur 18 vjet. Po ashtu, nxënësve për përfitimet e tyre iu lejohet të konsumojnë alkool deri në orët e hershme të mëngjesit. Së fundmi nga ekskursioni nxënësit së bashku me mësimdhënësit kthehen nga ekskursionet me përplot skandale të llojeve të ndryshme të shfrenimit dhe të degradimit moral.
Ky pushtet në vend se të krijoj një sistem të denjë arsimor, me vlera bashkëkohore, tejet të standardizuara bën që edhe mësuesi dhe nxënësit të degradohen pa dashjen e tyre fatkeqësisht. Pra arsimi determinon të ardhmen e komunës sonë, dhe me këtë sistem arsimor udhëheqja lokale po na shtynë drejt degradimit jo vetëm arsimor, por edhe moral e njerëzor.
24 korrik 2012
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Prizren
Kthehu prapa te lista