Ju mund tė ndihmoni!

Lajme nga Qendrat

Qendra e Klinës: Klina keq me Raportin e Auditimit

27 KORRIK 2012 - E Premte 05:13

Asgjë e re ose pozitive me auditimin në Klinë, nga Auditori i Përgjithshëm për Pasqyrat Financiare për vitin 2011, për Komunën e Klinës. Pas analizës që i bëmë këtij raporti, dhe gjetjeve të shumta për shkelje të rregullave të prokurimit në përgjithësi, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Klinë, arrin në këto konkluzione:


Sikur edhe në komunat e tjera, edhe Klina tregohet e dobët dhe aspak serioze karshi rekomandimeve që Auditori ka dhënë për çështje të ndryshme, parregullsi të trasheguara nga viti në vit. Si zakonisht, edhe për 2011, auditimi e gjen Klinën jashtëzakonisht keq në menaxhimin e financave, para të cilat janë nga qytetarët e Klinës përmes taksave që paguhen për sherbimë të ndryshme. Ndërsa përveç keqmenaxhimit në komunën e Klinës, vërehen edhe keqpërdorime nga zyrtarë të caktuar komunalë.


Si shkelje të parë që kemi vërejtur, është ajo që Komuna e Klinës, përkatësisht Zyra e Prokurimit, pothuajse në çdo tender shkel ligjet e prokurimit, duke lënë hapsira edhe për keqperdorim dhe korrupsion në raste ose momente të caktuara. Në shumë tendere, zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ka gjetur mospërputhshmëri të shumave në kontratat e lidhura, e cila është shumë më e madhe nga ajo që paraqitet në pasqyrat financiare.


Garancion për zbatimin e kontratës me numër të prokurimit 634/10/133/221 për prokurimin per ndertimin e rrethojes se varrezave dhe 634/11/02/121 janë më të ulëta se 10% të shumës së vlerësuar të kontratës, tenderi për ndërtimin e kanalizimit me numër 634/11/037/521, si dhe ai për blerjen e automjeteve me numër 634/11/030/121, tregojnë më së miri shkeljet e ligjeve të prokurimit publik, PL 2003/17, 03/L241, dhe 04/L-042. Pra, shihet qartë që mundësia për manipulim të tenderëve me paranë e taksapaguesve, është e shprehur edhe në vitin 2011, sikur edhe vitet paraprake.


Shkelje tjetër që duam ta cekim në reagimin tonë është edhe ajo që Komuna e Klinës ka bërë shkelje të ligjeve dhe rregullores së Komunës, në rastin e kontrollit mbi shpenzimet dhe pagesat. Këto të fundit, sipas ligjit të menaxhimit të financave publike parashihen të bëhen brenda jo më shumë se 30 ditësh, ndërsa këtu kemi shumë fatura të evidentuara që kanë kaluar afatin e përcaktuar.


Komuna, përkundër rekomandimeve dhe përveç asaj që i obligon ligji për vetëqeverisje lokale, ende nuk ka krijuar Komitetin e Auditimit, i cili me ekspertët që do të duhej t’i kishte, do ta ndihmonte zyrën e Auditorit të Brendshëm, për një kontroll më të mirë dhe më efikas në menaxhim të financave publike.


Për më keq, komuna nuk mban as evidencë për shpenzimet e personelit dhe stafit të administratës, dhe sipas gjetjes së auditorit pagesat në shumë raste janë bërë gabim. Për më tepër, komuna nuk ka një listë përfundimtare të detajuar për pagesat për sindikatë, që tregon se përveç ikjes nga pëgjegjësia dhe shkeljeve që vet i bëjnë, mungon edhe stafi profesional, me çka dëmtohet buxheti komunal dhe në përgjithësi interesi qytetar.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Klinë, sikur edhe më parë alarmon që paraja e taksapaguesve po keqpërdoret, po keqmenaxhohet nga kjo udhëheqje komunale dhe nga Kryetari Sokol Bashota, i cili nuk shqetësohet aspak për papunësinë e varfërinë e madhe që mbretëron në komunën tonë, por mendon vetëm për pasurimin individual dhe të njerëzve të afërt të tij.


Gjithashtu, u bëjmë thirrje organeve kompetente të hetuesisë, që t’i marrin parasysh dhe të hetojnë shkeljet e shumta dhe të rënda që jo vetëm Auditori i Përgjithshëm ka gjetur për Komunën e Klinës. Dorëheqja e Kryetarit Sokol Bashota, do të ishte lajmi më i mirë që qytetarët e Klinës do ta degjonin këto ditë të nxehta.


Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Klinë

Kthehu prapa te lista