Jeta dhe vepra e Ukshinit ishin dhe mbeten guri i vërtetë provues (gashta) në raport me aspiratën popullore të shqiptarëve të Kosovës për Republikë, si hallka tranzitore, siç e quan Hoti, në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare—bashkimin me shtetin nukleus shqiptar. Me veprën e vet studimore që për të, si një studiues kritik i politikës në traditën më të mirë hegeliane dhe marksiste, nuk mund të kuptohej ndryshe pos si praxis—pra praktikë teorike me pasoja të drejtëpërdrejta në realitetin politik—Ukshini i ftoi të gjithë për pozicionim politik. Mund të ishe përbri ose kundër tij, por kursesi indiferent ndaj tij. Nuk mund të pretendoje që e ke seriozisht punën e Kosovës Republikë e të mos thoje se çfarë mendon për Ukshinin. Republika dhe Ukshini u njësuan dhe ky njësim ndodhi pikërisht sepse Ukshini kishte të tria cilësitë që, sic na mëson Sokrati në dialogun e sipërpërmendur, duhet t’i ketë një gur provues i vërtetë. Ai kishte dijen/mençurinë (kushti epistemologjik), vullnetin e mirë dhe guximin e palëkundur për të folur hapur mendjen e vet (kushtet morale). Ai duhej të burgosej, izolohej, etiketohej, heshtej si nga pushteti serb ashtu edhe nga një pjesë e asaj që quhej alternativa kosovare në atë kohë sepse duke pasur këto tre cilësi ai e nxirrte në pah qartësisht dhe njëkohësisht mosseriozitetin e të parëve për një Jugosllavi moderne – pra, një Jugosllavi ku të gjithë popujt, përfshirë popullin shqiptar të Kosovës, do të ishin të barabartë në lirinë e tyre për të vetëvendosur—dhe mosseriozitetin e të dytëve për Republikë të mirëfilltë të Kosovës, si hap i rëndësishëm, ndonëse tranzitor, në drejtim të zgjidhjes të asaj që Hoti e quan çështja shqiptare.
Për ta lexuar punimin e plotë, ju lutem, klikoni këtu.
Kthehu prapa te lista