Të nderuar qytetarë të Kaçanikut dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Mirë se keni ardhur në këtë tubim. Dëshiroj t’ju uroj nga zemra gëzuar Ditën e Çlirimit të Kaçanikut.
Është nder, kënaqësi dhe përgjegjësi për mua të jem kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këto zgjedhje, si dhe të përfaqësoj një ekip shumë të mirë që ka punuar me mua këto ditë për të përgatitur programin qeverisës.
E kemi shkruar këtë program së bashku, me vizionin dhe bindjen për një Kaçanik më të mirë, për një Kaçanik ku s’do mbretërojë më varfëria dhe frika.
Këto zgjedhje, janë zgjedhje të parakohshme, siç e dini të gjithë sepse Xhabir Zharku është dënuar me burg. Nuk i ka shkaktuar opozita këto zgjedhje, këto zgjedhje i ka shkaktuar zullumi i qeverisjes së PDK.
Sot, i dënuari vazhdon të shfrytëzojë kohën që i mbetet para se të shkojë në burg, duke bërë fushatë bashkë me Besim Ilazin, që po përdoret nga PDK-ja si kukull për të pastruar imazhin. Por nuk pastrohet imazhi i krimit dhe i vjedhjeve pa u ndaluar e pa u dënuar këto krime.
Në Kaçanik, do triumfojë drejtësia, dhe jo krimi. Sepse ne jemi një popull që gjithnjë ka luftuar për drejtësi.
Ne, kemi për ta rrëzuar qeverisjen e PDK, sepse jemi të vetmit që kemi edhe guximin, edhe idetë, për ta kundërshtuar këtë grup nepotizmi.
Këta kanë përvetësuar tenderët e Komunës, të cilat kanë shkuar nëpër kompani të familjarëve të tyre.
Këta nuk i kanë ndërtuar rrugët dhe ujësjellësat nëpër shumë fshatra dhe lagje qyteti, po edhe aty ku i kanë ndërtuar, ato rrugë janë prishur dhe ato ujësjellësa nuk punojnë, sepse paratë janë vjedhur. Këta e kanë lënë komunën pa rrugë, pa ujë, pa infrastrukturë.
Këta kanë premtuar 40 projekte të mëdha në fushatën e vitit 2009, po nuk kanë bërë as çerekun. Këta nuk kanë ditur të tërheqin investime, as nga ndërkombëtarët, as nga bizneset, as nga diaspora. Sepse investimet nuk vijnë nëse nuk ka garanci për zbatimin e ligjit.
Këta kanë premtuar mbrojtje për biznesin, por i kanë shkatërruar dyqanet e bizneset e vogla, dhe i kanë lënë shumë familje pa të ardhura. Këtë e kanë bërë që të favorizojnë shitjen e ndërtesave të reja që po ndërtohen pa leje nga familjarët e tyre.
Këta kanë premtuar punësim, por kanë shkatërruar industritë ekzistuese, i kanë lënë punëtorët pa punë, ndërkohë që rrogat dhe shpenzimet për vete i kanë rritur nga viti në vit.
Këta edhe fëmijët e shkollave i kanë vjedhur, duke i detyruar të paguajnë nga 45 euro për një uniformë shkollore.
Me pafytyrësinë e tyre, edhe bursat për studentë i kanë hequr, duke e mohuar të drejtën universale për shkollim.
Arsimi sot në Kaçanik është në një situatë alarmante, për shkak se ata kanë punësuar militantë. Personeli militant partiak është përgjegjësi kryesorë për rezultatet e ulta të kalueshmërisë në shkollat tona.
Po edhe partitë e tjera opozitare, pa-dallim, kanë qenë kontribuese të kësaj keq-qeverisje. Këto parti nuk janë as opozitare, as aq të forta për ta rrëzuar pushtetin e PDK. Mos u mashtroni nga LDK dhe AAK, qëllimi jonë është që të ndryshojmë qeverisjen, edhe këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku, me VETËVENDOSJEN!.
Tash është koha ta ndryshojmë këtë regjim. Tash është koha që bashkë me VETËVENDOSJEN! Kaçaniku të kthehet tek zhvillimi e tek shpresa. Me ne do të ketë drejtësi, barazi dhe zhvillim.
Në prioritetet tona, e para është dënimi i korrupsionit dhe denoncimi i padrejtësive. Sepse ka ardhur koha që punonjësit e administratës dhe të gjithë qytetarët, të marrin frymë lirshëm.
Për arsimin, ne do të kemi vëmendjen më të madhe, sepse arsimi përgatit të ardhmen tonë.
Ne do të investojmë në infrastrukturë, me qëllim që shkollat e komunës sonë, të përmbushin kriteret e zhvillimit normal të mësimit, ndërkohë që do të kemi prioritet rinovimin e dy shkollave të mesme.
Fokusi jonë politik ka për të qenë rritja e cilësisë në arsim, dhe rritja e shkallës së kalueshmërisë, përmes përmirësimit të rregullit, përmes bashkëpunimit me prindër, mësuese e nxënës, si dhe përmes inspektimit të vazhdueshëm.
Ne do ta paguajmë uniformën e nxënësve me shpenzime të komunës, sepse arsimi publik duhet të ketë qasje nga të gjithë dhe askush nuk duhet të rëndohet me këto çmime të shtrenjta e të paarsyeshme.
Ne gjithashtu, që në shtator do të japim 30 bursa universitare për maturantët, dhe 30 bursa për studentë nga Kaçaniku që tashmë i kanë filluar studimet, sepse këtij qyteti i duhen kuadrot.
Tash është koha që arsimi të çlirohet prej drejtimit partiak, dhe të kthehet te kultivimi i dijes dhe rritja e cilësisë. Tash është koha për një arsim që i përket kombit, mësuesve dhe nxënësve.
Ne kemi për të ofruar siguri në investim, koordinim dhe këshillim, si dhe një ambient atraktiv për investitorë të huaj dhe për bashkatdhetarët tanë nga diaspora. Kaçaniku duhet të zhvillojë potencialin dhe pasuritë natyrore e njerëzore që ka. Këto deri më sot nuk janë zhvilluar, sepse aty ku ka vjedhje nuk ka zhvillim.
Buxhetin e Komunës ne do ta drejtojmë nga zhvillimi. Një nga mundësitë më të mëdha për punësim, si sektor prodhimi, është bujqësia. Sot për bujqësi shpenzohen vetëm 2%, ndërsa ne do ta trefishojmë buxhetin për bujqësi. Bujqësia e blegtoria do të ndihmohen të ngrihen në këmbë.
Kaçaniku sot ka probleme të mëdha, ndër to, shumë prej familjeve i pengon mungesa e strehimit. Banesat pa leje që janë ndërtuar, janë tepër të shtrenjta.
Ne, përmes partneritetit konkret me bizneset private të ndërtimit, do të bëjmë të mundur që për secilën ndërtesë të re, të paktën 20% e banesave të jenë për strehim social, me çmime të përballueshme, e me kredi të buta, për ata që nuk kanë sot shtëpi.
Strehimi, do të jetë prioritet i joni, tash është koha që të gjitha familjet në Kaçanik ta kenë një strehë.
Komuna jonë ka histori të vjetër, po nuk ka as muze, as lagje historike, as përkujdesje për këto pasuri historike.
Ne do të ndërtojmë një muze historik kombëtar të Kaçanikut, që të mund ta vizitojnë shqiptarët nga të gjitha anët.
Ne do ta rindërtojmë çarshinë e vjetër, do ta rregullojmë kështjellën dhe xhaminë e vjetër.
Do të kujdesemi që turizmi historik të fillojë të zhvillohet në Kaçanik, në këtë zonë të qëndresës dhe luftës kombëtare për çlirim e për bashkim.
Po ashtu, përmes projekteve zhvillimore e përmes bashkëpunimit me investitorë privatë e publikë, vendas e ndërkombëtarë, ne do të zhvillojmë infrastrukturë turistike rezidenciale.
Ne zotohemi se do të zhvillojmë tre projekte për tre zona rezidenciale në bjeshkët tona, që janë bjeshkë të bukura e me natyrë të paprekur. Pasuria natyrore do të kthehet shumë shpejt në pasuri ekonomike, nëse zhvillohemi sipas projekteve e sipas ligjit.
Tash është koha që Kaçaniku të shndërrohet në një vend për t’u vizituar nga të gjithë, për vlerat e pakrahasueshme që kemi në komunën tonë. Zhvillimi i turizmit është prioritet dhe vizion kryesor që kemi për rritjen ekonomike, dhe rritjen e punësimit.
Ne do të nisim projektin e ndërtimit të Pallatit të Sporteve, sepse ne besojmë se sporti është mënyra më e shëndetshme që të kalojë kohën rinia. Sot, rinia nuk ka ku ta kalojë kohën e lirë, dhe mbetet nëpër kafeteri e çajtore.
Për ne shëndeti fizik, kultura fizike, është e barabartë me kulturën shpirtërore. Kaçaniku gjithmonë e ka dashur sportin, dhe ka pasur sportistë të mirë, si në futboll, ashtu edhe në sporte të tjera grupore e individuale. Një sallë sportesh është një projekt që ne do ta nisim që sivjet, edhe pse duhen tre vjet për t’u ndërtuar përfundimisht.
Këtë premtim e ka bërë dhe PDK-ja, po për 12 vjet rresht asnjë hap nuk ka hedhur në këtë drejtim. Sepse për këta, sporti është vetëm një lojë, e cila shitet edhe blihet. Tash është koha t’i kthehemi vlerave sportive, ta rigjenerojmë skuadrën e futbollit të Lepencit si dhe sportet e tjera.
Shëndetësia në Kaçanik shpesh ka probleme për të cilat nuk duhet asgjë tjetër, veçse qeverisje e përgjegjshme. Por kjo ka munguar më së shumti.
Në shtëpinë e shëndetit shpesh aparatet mjekësore nuk funksionojnë, edhe për një riparim që mund të kushtojë vetëm 100 euro, qytetarët detyrohen të vizitohen në Ferizaj e më gjerë. Qeverisja jonë nuk ka për të qenë e tillë.
Tash është koha që në Kaçanik shëndetësia t’i shërbejë cilësisht qytetarit. Për nënat, do të funksionalizojmë klinikën e shërbimit maternal e cila sot ka dalë jashtë përdorimit. Një komunë me 30.000 banorë e ka të domosdoshme një klinikë me 10 mjekë të shërbimeve gjinekologjike e obstetrike, në shërbim të nënave e të foshnjave të sapolindura.
Krejt këto, janë zotimet tona për Kaçanikun, për një Kaçanik që do të rilindë pasi të largohen nga pushteti ata që e kanë shtypur këtë komunë për 12 vjet.
Këto premtime ne nuk do t’i realizojmë vetëm, por së bashku me ju. Qeverisja jonë nuk ka për të qenë qeverisje vetëm e VETËVENDOSJES, por e gjithë qytetarëve të Kaçanikut.
Tash është koha ta ndryshojmë historinë për mirë, ta bëjmë realitet ëndrrën e atyre që luftuan për liri e për zhvillim.
Unë, me kaq dua ta mbyll këtë fjalim, duke ju ftuar të aktivizohemi së bashku në këtë fushatë, të bisedojmë për nevojat e për kërkesat e qytetarëve, që ta vendosim programin tonë në shërbimin tuaj.
Ju falenderoj për vëmendjen dhe përkrahjen tuaj dhe ia kaloj fjalën kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Kthehu prapa te lista