Ju mund tė ndihmoni!

Lajme

Fjalimi i Albin Kurtit në tubimin përmbyllës të fushatës në Kaçanik

15 QERSHOR 2012 - E Premte 08:40

Të dashur qytetarë të Kaçanikut,


Mirë se keni ardhur në këtë tubim përmbyllës të VETËVENDOSJE!-s dhe mirë se ju gjejmë në Kaçanik.


Kaçaniku ka pasur fat në fatkeqësi. Fatkeqësia ishte ardhja e Xhabirit në pushtet. Fati në fatkeqësi është që Xhabiri do të shkojë në burg.


Mirëpo, mos të harrojmë që Kaçaniku nuk e ka vetëm një Xhabir, e që  Kosova ka shumë xhabira. Këta xhabirat janë grumbulluar në partinë në pushtet, në PDK, emri i vërtetë i së cilës është parti e xhabirave.


Krimi i PDK-së është i dyfishtë. Së pari, sepse kanë vjedhur; së dyti, sepse e kanë vjedhur popullin e varfër. Kjo është arsyeja pse nuk mjafton dënimi në gjyq i Xhabirit. Duhet edhe dënimi me votë i partisë së xhabirave dhe konfiskimi i pasurisë së vjedhur që duhet t’i kthehet komunës së Kaçanikut dhe shtetit të Kosovës në buxhetin e popullit.


Partia e xhabirave, është e vetmja parti që i frikëson qytetarët e Kosovës, mirëpo Lëvizja VETËVENDOSJE! është i vetmi subjekt që kurrë nuk iu ka frikësuar dhe kurrë nuk do t’iu frikësohet xhabirave.


Me partinë e xhabirave në pushtet, me PDK-në në pushtet, buxheti i qytetarëve nuk është buxhet për qytetarët. Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në pushtet, buxheti i qytetarëve do të bëhet buxhet për qytetarët.


Të dashur qytetarë të Kaçanikut. Nëse doni bisedime me Serbinë ku bëhen pazare me tokën dhe historinë e Kosovës, atëherë votojeni PDK-në. Mirëpo, nëse doni bisedime me Tiranën, për t’ia bashkuar Kosovën Shqipërisë, atëherë votojeni Lëvizjen VETËVENDOSJE!.


Nëse doni privatizim të ekonomisë me tregti pa prodhim, votojeni PDK-në. Nëse doni ekonomi të zhvilluar me prodhim industrial, bujqësor e zejtar, atëherë votojeni Lëvizjen VETËVENDOSJE!.


Nëse doni korrupsion, krim të organizuar dhe kontrabandë, votojeni PDK-në. Nëse doni punë, arsim e shëndetësi, votojeni Lëvizjen VETËVENDOSJE!.


Nëse e doni flamurin shkombëtarizues me lara, votojeni PDK-në. Nëse e doni flamurin kombëtar shqiptar, të kuq e me shkabën e zezë dy krenare në mes, atëherë votojeni Lëvizjen VETËVENDOSJE!.


Të dashur qytetarë të Kaçanikut, e di që ka qytetarë që mendojnë se do t’iu vjedhen votat, dhe se s’ja vlenë me dal në zgjedhje, mirëpo Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka përzgjedh komisionerët më të mire për datën e 17 qershorit dhe do t’i sjellë vëzhguesit më të mirë nga krejt Kosova të dielën në Kaçanik.


Ka qytetarë që mendojnë se PDK-ja ka shumë vota, se thanë kanë vjedhë shumë. Kur i shikova rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit 2010, e pash që Kaçaniku i kishte 29.000 votues e PDK-ja mjaft shumë ka vjedhur, po vetëm 6.000 i kishte. Kjo tregon që shumicën e votave PDK-ja i ka të vjedhura, porse shumica e votuesve nuk janë me PDK-në. Kjo shumicë duhet të bëhet VETËVENDOSJE!.


Ka qytetarë që mendojnë se Besimi nuk është aq djalë i keq. Mirëpo mos harroni, që Besimi kurrë s’ia kthen dot fjalën Xhabirit, Hashimit dhe xhabirave të tjerë. Besimin e kanë shti me ecë në rrugën e Xhabirit. Edhe njerëzit më të mirë në PDK, pas një kohe bëhen njerëzit më të këqinj. Në PDK, sistemi prodhon veç xhabira. Në sistemin e PDK-së, edhe nëse i shtin në hyrje melaqet, në dalje i ke dreqnit.


PDK-ja po tutet. PDK-ja po tutet shumë. Sonte ka pas me u mbajt një emission në RTK me të gjithë kandidatët për kryetar të komunës së Kaçanikut, dhe asnjëri prej tyre, e sidomos PDK-ja, nuk kanë pranuar me marrë pjesë e me u ballafaqu me Shukri Lutën. Vet kryeministri Thaçi, I cili e falenderoi Xhabirin në emër të vet e në emër të qytetarëve, është ai që ka intervenuar që sontë në RTK të mos ketë debat ku edhe njëherë do të ngadhnjente Shukri Luta. Mungesa e debatit të sontëm e ka dëshmuar që Lëvizja VETËVENDOSJE! është ajo që ka vizion, kurse PDK-ja nuk ka vizion. PDK-ja ka televizion. Ky televizion quhet RTK.


Shukri Luta është punëtor, i ndershëm, i mençur, i guximshëm. Gjatë kësaj fushate bashkë me Shukri Lutën kemi qenë në çdo lagje të qytetit të Kaçanikut, e në çdo fshat të komunës e kam parë që ai e njeh komunën e Kaçanikut si askush tjetër. Jemi takuar me kategoritë e ndryshme shoqërore dhe me grupe të interesit që janë nëpërkëmbur e diskriminuar nga pushteti. Shukri Luta i njihte problemet e tyre, madje edhe më mirë se ata dhe i dinte zgjidhjet të cilat do t’i zbatojmë patjetër me marrjen e pushtetit pas fitores së domosdoshme të VETËVENDOSJE!-s.


Shukri Luta me numrin 31 është i pari në listë. Bëjeni Shukri Lutën të parin në Kaçanik, në një fitore të madhe që do të jehojë e jetojë në krejt Kosovën dhe në mbarë shqiptarinë.


Me 17 qershor, dilni e votoni me familje e me miq, me shokë e shoqe, me farefis e dashamirë. Dilni masivisht sepse fitorja jonë duhet të jetë fitore e madhe dhe do të jetë fitore e madhe.


Ne të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e kemi konceptin e drejtë, programin më të mirë dhe kandidatin e shkëlqyeshëm, Shukri Luta.


Pasnesër, me 17 qershor, pasnesër, votoni për veten, vendosni vetë, votojeni VETËVENDOSJE!-n, votojeni Shukri Lutën, votojeni numrin 31, votojeni të parin në listë, se më kollaj s’ka ku shkon e as më mirë s’ka ku shkon.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kthehu prapa te lista