Me keqardhje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të intelektualit, politikanit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Arbën Xhaferit.
Përveç veprimtarisë së bujshme publicistike në Kosovë, Arbën Xhaferi ishte edhe themelues i Partisë Demokratike Shqiptare, kryetar nderi i së cilës mbeti deri në fund të jetës. Kontributi i tij për shqiptarët si në aspektin politik e organizativ po ashtu edhe në atë teorik e socio-kulturor është i jashtëzakonshëm.
Arbën Xhaferi do të mbahet në mend si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale, si kushti për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara kundrejt shqiptarëve në Maqedoni. Por, mbi të gjitha, Arbën Xhaferin do ta kujtojë i gjithë kombi ynë me mall për mendjen e tij të mprehtë dhe mendimin krijues në politikën kombëtare.
Me këtë rast shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit, popullit shqiptar në Maqedoni dhe gjithë kombit shqiptar.
Prishtinë, 15 gusht 2012
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Kthehu prapa te lista