Ju mund tė ndihmoni!

Shkrimet

Multietniciteti

Albin Kurti

2005-02-27 22:24:45

Të gjithë fqinjtë e Kosovës ose e përkrahin pavarësinë e Kosovës ose nuk u pengon ajo. Përveç Serbisë. Të gjitha komunitetet etnike në Kosovë e përkrahin pavarësinë e Kosovës dhe nuk u pengon ajo. Përveç serbëve. Apo më saktë, udhëheqësve të serbëve në Kosovë që sërish janë Serbia vetë. Ndërkohë, UNMIK-u ka imponuar konceptin e “standardeve para statusit” plotësimi i të cilave çon në bisedime me Serbinë për statusin politik të Kosovës. Së këndëjmi një konkluzion na imponohet si i pashmangshëm: nën konditat aktuale, pavarësia e Kosovës është e mundur vetëm nëse Serbia thotë se Kosova duhet të jetë e pavarur. Serbia nuk do ta thotë asnjëherë këtë, pikërisht përderisa do ta ketë mundësinë që të pyetet për Kosovën. Atëherë kur Serbia nuk do të përfillet në marrjen e vendimit për statusin e Kosovës, vetëm atëherë do të mund të shfaqen udhëheqës politikë në Serbi që do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Shumë ndërkombëtarë që shkojnë e vijnë ju ‘rrëfehen’ politikanëve shqiptarë nga Kosova se si politikanët në Serbi privatisht e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, ata kinse e kanë të pamundur hë për hë ta thonë hapur këtë për shkak të opinionit publik serb. Dhe çfarë ngjan në fakt: për shkak të popullit serb, udhëheqësit serbë gjithnjë e kundërshtojnë kategorikisht pavarësinë e Kosovës, flasin publikisht për Kosovën si pjesë të patjetërsueshme të Serbisë, dhe kësisoj në të vërtetë e ushqejnë dhe forcojnë këtë pikëpamje në Serbi dhe te serbët.

Çdo herë para fushatave politike e ushtarake në Kosovë, regjimi i Milosheviqit, përmes kishës serbe, institucioneve, ‘intelektualëve’ dhe mediave në Serbi krijonte konsenzusin shoqëror i cili i shërbente si bazë legjitimuese për krimin që do të pasonte. Sot, Serbia është duke e ndërtuar këtë konsenzus për ndarjen e Kosovës. Modeli që propozojnë dhe për të cilin angazhohen është: autonomia territoriale e serbëve të Kosovës në Kosovën si krahinë autonome në Serbi. Pra kufijtë e jashtëm të Kosovës do të ruheshin por kjo ruajtje do të kishte për çmim krijimin e kufijve të brendshëm. Këta kufij të brendshëm do të shënonin entitetin serb në Kosovë. Sikurse në Bosnjë. Paqja, më tutje, do të përdorej për konsolidimin e këtij entiteti kurse shpërthimi i ri i konfliktit dhe i krizës për ndarjen përfundimtare.  

Statusi politik i Kosovës, nga perspektiva ndërkombëtare është vendosur në kuadrin e stabilitetit të rajonit. Aktualisht konsiderohet se më shumë destabilitet sjell pavarësia e Kosovës sesa mungesa e saj. Për shkak të qëndrimit, forcës dhe vendosmërisë së Serbisë, natyrisht. Dhe për shkak të pasivitetit dhe lajthitjeve tona, sigurisht. Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, gjatë vizitës së tij në Kosovë, u fliste serbëve të Kosovës për Kosovën si pjesë të Serbisë, por në fakt ai i drejtohej bashkësisë ndërkombëtare.      

Është shumë naive dhe e dëmshme pikëpamja se ne nuk duhet të merremi me Serbinë. Ne në Kosovë, medoemos duhet të merremi me Serbinë dhe të brengosemi për planet e Serbisë sepse asaj i është pranuar botërisht vendimarrja për fatin e Kosovës.            

Mirëpo, shtrohet pyetja, pse po ngjan e gjithë kjo? Problemi është i pandashëm nga historia e vet.

Babushka

Besoj se të gjithë keni pasur ose së paku u ka rastisur ta shihni Babushkën. Babushka është një lodër e vjetër ruse e cila përbëhet nga tri kukulla të futura njëra në tjetrën. Babushka, në gjuhën ruse, do të thotë gjyshe. Forma e kukullave është e njejtë, vizatimet me figurën e gjyshes janë të njejta, madhësia ndryshon. Mbaj mend se si nga Babushka lodër, kur isha fëmijë gjithmonë kam përjetuar një ndjesi metafizike. Se si e njejta maskonte të njejtën; se si ajo gjyshe maskohej me veten e saj, e ngërthente veten dhe madje ngërthehej nga vetja; ngërthehej për t’u maskuar, ngërthente për të maskuar. Kurreshtja fëmijërore ‘për të parë se çfarë ka brenda’ shpejt zëvendësohej me ankthin e shfaqjes të së njejtës. Vazhdimisht rizbuloja për të mos gjetur asgjë të re. Fizionomia e njetë përvijohej para meje.

Dokumenti i Rambujesë, Rezoluta 1244 dhe Korniza Kushtetuese janë Babushkat e moshës sime madhore. E para përmbahet në të dytën, dhe e dyta – e me këtë edhe e para – përmbahen në të tretën. Vetëm se çështja tani është shumë më serioze. Realiteti në të cilin jetoj më manifestohet gjithnjë si pasojë e kësaj. Nuk do të ndalem me këtë rast në defektet e dokumentit të Rambujesë sepse ato janë aq të shumta. Por. Ka një ‘detal’ fatal. Fakti se sipas këtij dokumenti të pranuar edhe nga shqiptarët nuk ka popull të Kosovës. Ka vetëm popullatë që përbëhet nga bashkësitë nacionale. E bashkësi nacionale janë edhe shqiptarët, edhe serbët në Kosovë. Anipse të parët janë mbi 90% e të dytët më së shumti 8%! Anipse përgjatë gjithë shekullit njëzet, kur Kosova sundohej nga Serbia, të parët gjithmonë ishin shumicë dërrmuese! Në Rambuje nuk është përcaktuar statusi i Kosovës, ama është përcaktuar statusi i popullit shqiptar në Kosovë si bashkësi nacionale. Dhe kjo realisht nuk është aspak e ndryshme. Përcaktimi dhe përkufizimi i shqiptarëve të Kosovës si bashkësi nacionale, automatikisht e privon atë, sipas të gjitha dokumenteve e konventave ndërkombëtare, nga e drejta për vetëvendosje. Në dokumentin e Rambujesë braktiset ideja e qytetarit e poashtu edhe ajo e kombit dhe popullit dhe instalohet ai i bashkësisë nacionale, që është shumë i dëmshëm për qytetarin e Kosovës, për Kosovën.

Edhe sot e kësaj dite, të gjitha institucionet e Kosovës janë të themeluara dhe funksionojnë mbi bazën e kësaj premise. Prandaj, në Kosovë, nuk mund të ketë minoritete, sepse këto janë kategori karakteristike – ndonëse shumë vagullt të definuara – për shtetet kombe siç janë shumica dërrmuese e vendeve të BE-së. E ne nuk jemi as shtet e aq më pak shtet-komb. Nuk mund të flitet as për pakicë e shumicë në Kosovë, sepse ne nuk kemi sistem demokratik të pushtetit e të qeverisjes. Dhe, mund të flitet vetëm për bashkësi nacionale prej nga buron edhe projekti i multietnicitetit për Kosovën dhe qasja specifike. Kategoria e bashkësisë nacionale, e që shpesh emërtohet edhe si komunitet etnik, paraqet të përbashkëtën kryesore të tri Babushkave, konstanten në të cilën fundamentohen ato.    

E vërteta e secilës Babushkë është Babushka të cilën ajo e maskon. Maskimi e fsheh maskën.

Mënyra e kundërt

Sikurse decentralizimi edhe multietniciteti tingëllon këndshëm. Me kusht që të mos e shikosh kontekstin, rrethanat ku vendoset ai, dhe mënyrën se si provohet të realizohet.  Multietniciteti është definitivisht fjala më së shumti e folur nga UNMIK-u dhe më së shumti e përfolur nga vendorët në Kosovë. Për këta të fundit, posaçërisht në momentet e tyre të sinqeritetit. Multietniciteti në Kosovë është prioriteti i pakontestueshëm i UNMIK-ut. Ai është më i rëndësishmë se liria e barazia, më i vlefshëm se drejtësia dhe të drejtat. Ndërkohë që multietniciteti as nuk është i definuar e as nuk është i matshëm. Nuk dihet se çfarë saktësisht është multietniciteti si karakter i shoqërisë sipas UNMIK-ut dhe nuk dihet as cila është ajo gjendje e shoqërisë, sipas ndonjë shembulli teorik ose praktik, të cilin do ta ndiqnim për ta realizuar. Nuk dihet se kur dhe sa është një shoqëri multietnike; pra, nuk dihet se në çfarë shkalle do ta kemi plotësuar atë si një kualitet që e kemi synuar. Ndërsa, nëpërmjet stërpërsëritjes së fjalës ‘multietniciteti’ pretendohet se ai tashmë është bërë i vetkuptueshëm!

Qasja e UNMIK-ut prej fillimit ishte që multietniciteti në Kosovë të realizohet duke filluar nga etnia, nga përkatësia etnike. Padyshim e gabueshme por jo edhe e befasishme. Sepse, në dokumentin e Rambujesë tashmë ishte etabluar kjo mënyrë. Kësisoj, UNMIK-u fillonte nga dallimi, nga ajo që i dallonte njerëzit dhe i ndante ata, nga përkatësia etnike e tyre. Dhe pastaj aspironte krijimin e një shoqërie ku etnia do të bëhet shumë më e parëndësishme. Multietniciteti i këtillë mendohej se e transcendon etnicitetin. Në të vërtetë, me këtë mënyrë, ai veçsa e afirmonte atë. Që nga viti 1999 njerëzit në Kosovë nga ana e UNMIK-ut perceptohen dhe konsiderohen në bazë të përkatësisë së tyre etnike. Pastaj, nga po ata njerëz, duke vazhduar së mbajturi këtë mënyrë dhe këtë trajtim, duhej ndërtuar shoqëria multietnike! UNMIK-u asnjëherë nuk sheh studentë, nxënës, inxhinierë, profesorë, punëtorë, të papunë, doktorë etj. UNMIK-u asnjëherë nuk sheh njerëz në Kosovë. Ai sheh vetëm shqiptarë, serbë, boshnjakë, ashkalinj, romë, egjiptas dhe turqë. Edhe dialogu ndëretnik në të cilin ka investuar aq shumë UNMIK-u, është bërë rregullisht polemikë pasi që ka filluar nga dallimet. Sepse, përkatësia doli çdo herë më e rëndësishme sesa tema e dialogut. Theksimi i dallimeve i kombinuar me dallimin si pikënisje nuk është asgjë tjetër përveç se dizajnim i konfliktit. I vetëdishëm apo i pavetëdijshëm, është më pak e rëndësishme.  

Multietniciteti në Kosovë s’ka se si të ketë sukses sepse themelet e tij në Kosovë UNMIK-u i ka vendosur mbi dallimet. Që të realizohet multietniciteti, nëse me këtë nënkuptojmë bashkëjetesën e njerëzve të etnive të ndryshme, duhet filluar nga ajo që është e përbashkët në mes të njerëzve. E përbashkëta e njerëzve janë të drejtat dhe liritë e tyre univerzale, është nevoja për mirëqenie, për siguri, për edukim, për zhvillim të lirë dhe për vend pune. I vetmi themel dhe e vetmja pikënisje për multietnicitetin është Deklarata Univerzale e të Drejtave të Njeriut. Ajo, më tutje, është e elaboruar dhe zhvilluar në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Qytetare dhe Politike si dhe në atë për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore. Kjo e dyta jo rastësisht nuk është inkorporuara në Kornizën Kushtetuese. Pra, jo standarde specifike por vlera univerzale. Duhet t’i kthehemi njeriut, duhet filluar me atë që së pari jemi njerëz e pastaj të radhiten përkatësitë e origjinat. Nëse nisemi nga kjo bazë, multietniciteti do të rezultojë si pasojë. Duke e pasur multietnicitetin qëllim dhe duke e inicuar atë nga dallimet etnike, ai s’bëhet dot.

Për këtë fillim të duhur dhe të drejtë, pra nga e përbashkëta, domosdoshmërisht kërkohet zhvillimi i vendit dhe liria për këtë zhvillim. Porse UNMIK-u e kundërshton këtë. Ai e ka pushtetin absolut por s’ka vullnet e motiv që ta zhvillojë Kosovën, dhe, për më tepër, popullin vendas e privon nga kjo liri. Arsimi, kultura, punësimi, shëndetësia, mirëqenia, kanë të bëjnë me zhvillimin. Por, UNMIK-u s’ka të bëjë me zhvillimin.

Është e njohur nga të gjithë se kriminaliteti i organizuar dhe mafia janë ‘shumë multietnike’ në Kosovë, sepse ata kanë çfarë të fitojnë dhe çfarë të humbasin: e kanë biznesin e tyre joformal, i kanë ‘të mirat’ që ua sjell krimi i përbashkët. Në buzë të ekzistencës edhe vëllezërit mund të bëhen kundërshtarë agresivë e lëre më njerëzit që mund të kenë paragjykime për njëri-tjetrin. Sikur të hapeshin vende pune që do t’ju siguronin njerëzve punësim, si dhe shkolla e univerzitete për edukim kualitativ, atëherë do të ngjante dalja nga kriza e tanishme. Njerëzit do kishin perspektivë për jetë më të mirë. Do të shpresonin racionalisht. Do të ndërtohej dhe zhvillohej shoqëria. E jo sikurse sot. Nuk mundet që të krijohet shoqëria multietnike, duke e shkatërruar shoqërinë. Duke zhbërë strukturat sociale. Ideali i këtillë i multietnicitetit, pra sipas mënyrës së UNMIK-ut, është konstruksion politik dhe jo shoqëror. Prandaj ai del si diçka që i imponohet popullit, si i panatyrshëm.   

Sido që të jetë, në Kosovë megjithatë ka multietnictet. Pesë ‘minoritetet’ tjera, pra përveç shumicës së serbëve dhe vetëm pjesërisht romëve, janë të integruara me popullatën shumicë shqiptare në Kosovë. Multietniciteti inkluziv në Kosovë kryesisht nuk është realizuar në masën në të cilën e ka penguar atë Beogradi. Kurse multietniciteti ekzistues nuk vjen asesi për shkak të UNMIK-ut por për shkak se konflikti dhe lufta në Kosovë nuk ishin etnike. Problemi në Kosovë nuk ka të bëjë me dallimet etnike por me projektet politike. Agresionet dhe krimet u bënë për shkak të interesave politike dhe ekonomike të regjimit të Milosheviqit dhe Serbisë. Nacionalizmi ishte mjeti i tyre për mobilizimin e masave.   

Apokalipsa nesër

Në këtë pikë vijmë te problemi mbase edhe më i madhi. UNMIK-u do që konfliktin dhe krizën në Kosovë ta paraqesë si apolitike dhe etnike, e cila s’ka të bëjë me organizimin dhe rregullimin jodemokratik të sistemit politik, por me njëfarë papjekurie të vendorëve. Ai mundohet që të shfajësohet. Dhe jo vetëm kaq. UNMIK-u e mendon multietnicitetin vetëm si multietnicitet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Të tjerët i injoron dhe i harron. Multietniciteti i UNMIK-ut është statik dhe esencialisht i polarizuar. Ai është koherent me tezën se në Kosovë kishim luftë qytetare. UNMIK-u as ndër mend nuk i shkon zhvillimi i Kosovës por vetëm multietniciteti i cili me mënyrën e UNMIK-ut mund të ngjajë vetëm nëse serbët dhe shqiptarët do të bien kolektivisht në dashuri me njëri-tjetrin. Ndërkohë mbase ëndërrojnë për fundin kur do të mund të thonë: e shihni, ia dolëm!

Për çdo problem në Kosovë, thuhet “…të dyja palët…”, duke aluduar për serbët dhe shqiptarët e Kosovës. Ky dualizëm etnik i instaluar, pra shqiptar-serb në Kosovë, e ka zëvendësuar atë të vërtetin Kosovë-Serbi. Nëpërmjet këtij, edhe mohohet fakti se komunitetet tjera e pranojnë Kosovën si vend të tyre. Askush nuk i ka kontribuar tërë kësaj sikurse UNMIK-u. Dhe tani ndodhemi në situatën kur Serbisë i është hapur plotësisht rruga për planet e saja për ndarjen e Kosovës. Uniteti i Kosovës si territor dhe shoqëri është më i brishtë se asnjëherë më parë. Qasja e UNMIK-ut për multietnicitetin, e cila realizon të kundërtën e asaj që deklarativisht synohet, i ka konvenuar pa masë Serbisë. I ka konvenuar planeve të saj për ndarjen e Kosovës, e që padyshim paraqet ‘zgjidhjen’ absolutisht më të keqe të mundshme. Edhe për shkak se me atë rast, konflikti i ri bëhet i pashmangshëm. 

Kthehu prapa te lista