Ju mund tė ndihmoni!

Shkrimet

Master programi për jokompetencë dhe joprofesionalitet akademik

Gëzim Krasniqi

2004-11-06 23:35:24

Ditë më parë, Senati i Universitetit të Prishtinës mori vendim që të hapë programin dyvjeçarë për studime postdiplomike - master (magjistër) për Shkenca Politike, Psikologji, dhe Etnologji. Mesazhi që deshën të japin udhëheqësit më të lartë të UP-së me këtë veprim është ky: ne angazhohemi për avancimin e jetës akademike në Kosovë(!) Mirëpo, unë një gjë se kam të qartë me këtë rast; këta njerëz që marrin vendime të tilla më se absurde përkitazi me realitetin (gjendjen e mjerë) në arsimin e lartë në Kosovë, janë aq naivë sa të mos mund të dallojnë atë çka është nivel i lartë i studimit nga paaftësia totale profesionale, apo, u intereson vetëm simbolika e marrjes së “vendimeve madhore”, promotorë dhe jetësues të të cilave vendime e shpallin veten e tyre?!...

Gjithseqysh, Senati i UP-së mori vendimin për hapjen e master programit, në stadin kur, ta zëmë, në Departamentin e Shkencave Politike dhe Administratës Pubilke janë vetëm tre profesorë në marrëdhënie të rregullt pune (përfshirë edhe disa asistentë). Gjendja pakashumë është e njëjtë edhe në dy departamentet e tjera të lartëcekura. Thënë tjetërqysh, po hapim studime postdiplomike për drejtimet, në të cilat mungojnë kuadrot profesionale për studimet bazë trevjeçare. Dekani i Fakultetit të Filosofisë, një ndër përkrahësit kryesor të hapjes së këtij programi, një vendim të tillë e konsideroka patriotizëm. Seqysh hapja e këtij master programi qenka “fitore ndaj Sërbisë – që i ka hapë shkencat politike vetëm me një profesor (ne kemi tre!)” – s’kam se qysh ta kuptoj.

Një pjesë e mirë e ligjeruesve të tanishëm në shkenca politike – shumë nga të cilët e kanë të pamundur të shkruajnë sall një fjali në gjuhën shqipe, pa asnjë gabim drejtshkrimor apo sintaksor – bashkë me profesorë të tjerë ndërkombëtarë (të cilët do të kenë mundësi që në të njëjtën kohë të bëjnë ekskursion dhe të fitojnë para), do të përbëjnë stafin që do të jetë përgjegjës për vënien në jetë të këtij programi. Andaj, në këtë situatë, besoj se mund të paramendojmë se çfarë niveli do të kenë shumica nga studentët, që pas dy vjetësh do t’i vëjnë vetës përpara shkurtesën “mr” – askurrfarë niveli të profesionalizmit dhe përgatitjes së duhur shkollore! Për më tepër, një program i tillë është indikatori më i fundit për një sistem shkollor joprofesional, tashmë të etabluar mirëfilli në Kosovë. Fare në fund, më duket shumë me vend të përdor një pyetje që bëri një ditë një koleg imi student: edhe sa do të na zgjasë kështu?!...

Kthehu prapa te lista