Misioni ndërkombëtar në Kosovë e ka cilësuar veten si mision mbikëqyrës. Përveç që ne do të jemi të këqyrur prej tyre, kjo do të thotë se ata do të jenë mbi (neve) e ne nën (ta), se ata do të jenë lart (si zakonisht) e ne poshtë (edhe më zakonisht se aq). Dokumentet e mbikëqyrësve janë përplot detale bizare. Ta zëmë, në to thuhet që Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do ta mbikëqyr zhvillimin e një institucioni kosovar të mbikëqyrjes civile të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pra, Peiter Feith-i do të jetë mbikëqyrës (ndërkombëtar) i mbikëqyrjes (vendore) të FSK-së, e përndryshe ai e mbikëqyr edhe veten meqë kryeson me Grupin Drejtues Ndërkombëtar, të cilit i jep llogari. Jo vetëm që ai s'jep llogari brenda Kosovës, por edhe llogaridhënia e tij e jashtme është perverse. Mbi të gjitha, letrat e këtyre mbikëqyrësve flasin për neve si për një krizë që ata duhet ta menaxhojnë. S'bëhet fjalë këtu as për politikë, por vetëm për menaxhim postpolitik. Kosova është kriza që nuk duhet të shpërthejë. Jo kriza në Kosovë që duhet të zgjidhet, por vetë Kosova si një krizë që nuk duhet shpërthejë. Kaq, pra, është aspirata e tyre: të mos shpërthejë kriza, ama jo edhe të eliminohet ajo (sic.). EULEX-i është themeluar si "operacion për menaxhimin e krizave" nga BE-ja për ta forcuar 'stabilitetin', dhe ai, përveç tjerash, do të merret me parandalimin e shpërthimeve të mundshme të dhunës. Mosshpërthimi i krizës si qëllim e mirëmban krizën aty ku ajo është dhe e krijon atë ku ajo nuk është (për ta mbajtur mandej gjendjen mu në buzë të shpërthimit që e parandalon). Nuk jemi ne vatër e krizës dhe më pas ata të na menaxhojnë neve si krizë që qenkemi, por ata janë menaxhues të krizës, andaj ne jemi vatër e krizës. Për të na sunduar e dominuar me duar tërësisht të lira neve na definojnë si vatër krize.
Nëse deri më tani sundimi ndërkombëtar në Kosovë ishte një kombinim i militarizmit me burokracinë, tash ky sundim po e merr edhe formën e një shteti policor. EULEX-i, praktikisht si shtyllë e parë e UNMIK-ut, do ta shndërrojë Kosovën në një shtet policor. Shumë më tepër para do të shpenzohen për policinë sesa për gjyqësinë. Do të sjellin policë kundër trazirave (siç i quajnë ata demonstratat), kundër korrupcionit të rangut të lartë, kundër terrorizmit, kundër krimit të organizuar etj. Paralelisht, personeli i EULEX-it do t'i kolonizojë institucionet e Kosovës, duke u vendosur brenda ShPK-së, ministrive të rëndësishme, gjyqësisë, Agjencisë Kosovare të Pronës, Shërbimit Korrektues dhe atij Doganor të Kosovës. Pra, jo vetëm mbikëqyrje nga jashtë por edhe mbikëqyrje përbrenda. Përderisa Pieter Feith merret me makromenaxhim, duke i mbikëqyrur ligjet e Kuvendit, Yves De Kermabon do të merret me mikromenaxhim, duke mbikëqyrur brenda organeve ekzekutive të Kosovës zbatimin e mu atyre ligjeve. Asnjëri prej tyre apo prej kolegëve të tyre ndërkombëtarë (në mesin e të cilëve edhe aso që vijnë nga shtetet që janë kundër pavarësisë së Kosovës) s'do t'u jep llogari institucioneve të Kosovës dhe, për më keq, do të kenë imunitet nga ligji dhe ndjekja penale në Kosovë. Në Kosovë nuk do të ketë sundim të ligjit sepse po zbarkojnë sundimtarët e ligjit.
Kur shpjegohet puna e EULEX-it si një mision i sundimit të ligjit askund nuk figurojnë fjalët drejtësi e barazi. Kur përshkruhen kompetencat e EULEX-it njëherë përdoren termat monitorim, udhëzim e këshillim, për të vazhduar në të njëjtën fjali me fuqitë ekzekutive të tij. Pra, njëherë vetëm monitorojnë; nëse kjo s'mjafton, atëherë udhëzojnë e këshillojnë; kurse krejt në fund, për çdo eventualitet, i kanë fuqitë ekzekutive. Renditja e këtyre termave tregon fazat e procesit: fillimisht me të butë e mandej edhe me të fortë; njëherë shpresojnë për vetëcensurë e pastaj e kanë edhe censurën. Mbase shpresojnë të ketë vetëcensurë (të vendasve) meqë paraprakisht ua kanë bërë me dije censurën (ndërkombëtare) që vjen më pas.
Pieter Feith dhe Yves de Kermabon duan që të jenë mbikëqyrës të vetëcensurës së politikanëve dhe institucioneve të Kosovës. Ata duan që të mos kenë nevojë të intervenojnë. Intervenimi i ekspozon ata. Qëllimi i tyre është ta kenë kontrollin e plotë, kurse ideali i tyre është që ky kontroll të jetë pa intervenimin e tyre. Ata duan që mbikëqyrja e tyre të jetë vetëm këqyrje nga lart, që puna e tyre të jetë e përsosur – aso që kryhet pa punuar fare ata. Të mos kenë nevojë të urdhërojnë dhe as të ndërhyjnë, dhe asisoj fuqia e tyre të bëhet e padukshme. Pikërisht nënshtrimi (i vendasve) do ta zhdukte urdhrin e ndërhyrjen (ndërkombëtare). Për këtë arsye ata duan politikanë që u ngjajnë sfungjerëve: që duken të mëdhenj por i mban në grusht, që marrin formë varësisht nga forcat që veprojnë mbi ta, që kanë ngjyrë që s'ka rëndësi, dhe që efektin maksimal (në 'pastrim') e arrijnë kur janë qull fare. Ata duan politikanë tërësisht të depolitizuar ashtu që ideologjia dominuese e neokolonializmit neoliberal të përhapet në një terren pa rezistencë. Vetëbesimi i tyre nuk është aq i çmendur. Me qëllim që t'i ndajnë e largojnë sa më shumë politikanët vendorë nga populli, me qëllim që t'i lënë ata pa bazë e pa rrënjë, burokratët ndërkombëtarë tash nëntë vjet atyre ua kanë toleruar, e madje edhe inkurajuar, pasurimin dhe luksin. Ata politikanë tash nuk duan dhe nuk mund t'ua mbrojnë interesat qytetarëve. Njeriu që i ka një milion euro pasuri nuk e përfaqëson dot atë që ka mbetur me dy euro në xhep. Të poseduar nga ata që ua bënë nënshtrimin një biznes të levërdishëm, tepër gjatë janë kënaqur që të mund të përballojnë çfarëdo hidhërimi tash. Shkëputja nga populli politikanët i ka bërë tërësisht të parashikueshëm sepse të dobët. Pushteti ndërkombëtar i frikësohet vetëm qytetarëve, të cilët s'i parashikon. Madje, një ndër arsyet që faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë e lejuan dhe cytën shpalljen e pavarësisë, ishte që të mos jenë të detyruar të kalkulojnë me paparashikueshmërinë e skajshme të popullit, durimi i të cilit po sosej. Regjimi ndërkombëtar në Kosovë nuk do asgjë të paparashikueshme sepse nuk do asgjë të re. Stabiliteti është synimi i tyre. E, kur stabiliteti e jo zhvillimi është qëllimi, atëherë gjithsesi që diktatura është pasoja.
Përkundër inflacionit të dokumenteve të mbikëqyrësve, megjithatë shumëçka mbetet e pazbuluar lidhur me strukturën e pushtetit ndërkombëtar në Kosovë (në pritje të detalizimit të letrës së Ban Ki-moon-it dhe potezave të Serbisë). Më të ndërlikuara po dalin të jenë misionet e OKB-së dhe BE-së në Kosovë si dhe harmonizimi i tyre sesa vetë këta organizma gjigantë. Sidoqoftë, mu në këtë mjegull kur s'është e qartë hierarkia e pushtetit ndërkombëtar dhe as koordinimi i tyre, do të duhej që Qeveria e Kosovës ta merrte pushtetin në dorë dhe ta bëjë Kosovën sovrane. Paqartësia ndërkombëtare ka dhuruar hapësirë të zbrazët politike për veprim kombëtar. Mirëpo, me këtë pasivitet e meskinitet të krerëve institucionalë e partiakë, fjalës 'pavarësi' po i treten me shpejtësi dy shkronjat e para. Po humbet momenti i volitshëm ngjashëm sikurse në verën e vitit 1999. Mbase nuk është e rastësishme që edhe atëbotë kryeministër ishte Hashim Thaçi.