Ju mund tė ndihmoni!

Shkrimet

Vjetërsia e raportit më të ri

Albin Kurti

2007-12-16 21:42:28

Raporti i Treshes BE/SHBA/Rusi për Kosovën, i bërë publik ditë më parë, e përfundoi fazën e negociatave shtesë që zgjatën 120 ditë. Ky raport realisht nuk i ka as tri faqe të plota. E gjithë pjesa tjetër e tij janë dokumente të mëhershme: Rezoluta 1244, 'Parimet udhëheqëse' të Grupit të Kontaktit nga nëntori i vitit 2005, Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të KB-ve bërë më 1 gusht 2007 etj. Edhe me këtë rast, historia e dokumenteve ndërkombëtare zë vend pakrahasimisht më shumë se çfarëdo dokumenti i ri ndërkombëtar. Madje, më shumë është në spikamë kjo histori sesa ajo e problemit që trajtohet. Historia përmendet (p.sh. në paragrafin 7) atëherë kur flitet për "mosbesimin e ndërsjelltë dhe ndjenjën e ankesës historike për konfliktet e '90-tave" të ketë qenë një vështirësi në këtë proces negociator. Pra, barazohen përvojat e palëve dhe në mënyrë elegante suspendohet historia e çështjes që trajtohet. E kuptueshme: qëllimi i Treshes është marrëveshja e kompromisit e jo drejtësia. Mbase kjo është pika kryesore të cilën aq shumë njerëz në Kosovë nuk arrijnë, ose nuk duan, ta kuptojnë.

Qysh në paragrafin e parë të këtij raporti thuhet se në negociata është diskutuar një rreze e gjerë opcionesh, siç janë: pavarësia e plotë, pavarësia e mbikëqyrur, ndarja territoriale, autonomia substanciale, aranzhmanet konfederale e madje edhe heshtja e statusit në 'marrëveshje për mosmarrëveshje'. Sigurisht që të gjitha këto i kanë diskutuar. Por, edhe më e sigurt është që opcioni i parë (pavarësia e plotë) në fakt ka qenë i përjashtuar - mu në po këtë paragrafin e parë i bëhet referencë eksplicite Rezolutës 1244 si kornizë e negociatave. E, dihet që kjo rezolutë riafirmon sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së (tash Serbisë), kurse për Kosovën parasheh vetëm autonomi substanciale. Rrjedhimisht, nuk është aspak e rastësishme që në këtë raport me shumicë Kosovës i referohen si Prishtinë kurse Serbisë si Beograd meqë të dy palët trajtohen përbrenda të njëjtit entitet dhe subjekt ndërkombëtar.

Më tutje, në paragrafin e tretë të raportit thuhet se "...Presidenti Ahtisaari ka përgatitur një Propozim Gjithpërfshirës për Përcaktimin e Statusit të Kosovës, i cili përfshin masa për mbrojtjen e komuniteteve joshqiptare të Kosovës...". Së pari, pakicat në Kosovë quhen joshqiptarë. Ata nuk cilësohen as si të tjerë prej shqiptarëve por si joshqiptarë! Ideja e qëndrimit përkundruall të shqiptarëve dhe joshqiptarëve në Kosovë nuk është e drejtë dhe as që duhet të realizohet asnjëherë. Ky afirmim kategorik përmes mohimit nuk paraqet realitetin e Kosovës. Në çështjen thelbësore të pavarësisë së Kosovës pesë pakicat e tjera (pra përveç serbëve - boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit) janë bashkë me shqiptarët. Së dyti, nuk është aspak e vërtetë që ato janë të rrezikuara (prej shqiptarëve siç aludohet) dhe aq më pak en bloc. Pas përfundimit të luftës ka martesa të përziera ndërmjet shqiptarëve, turqëve, boshnjakëve, ashkalinjëve etj. Mirëpo, jo edhe ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Mbase, po të thoshte Turqia e sotme se Kosova është djep i Turqisë dhe se ajo do të kthehet për të sunduar me Kosovën, gjithsesi do të rrezikoheshin ato martesa aktualisht të lumtura ndërmjet shqiptarëve dhe turqve. 'Komunitetet joshqiptare që duhet të mbrohen' janë një tezë kryekëput e Serbisë që është përvetësuar nga Ahtisaari dhe së cilit i referohet ky raport kur përshkruan të kaluarën e këtyre negociatave.

Megjithëse në paragrafin numër 9 thuhet se "asnjëra palë nuk ka arritur ta bind tjetrën për ta pranuar përfundimin e preferuar", paragrafi paraprak i këtij e bën të qartë se nuk bëhej fjalë për dy palë të barabarta në këto negociata shtesë. Në paragrafin 8 thuhet: "Prishtina përsëri ka deklaruar preferencën për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës dhe ka rikonfirmuar pranimin e propozimit të Ahtisaarit. Beogradi e ka refuzuar propozimin e Ahtisaarit dhe ka përsëritur preferencën e tij që Kosova të jetë autonomi brenda Serbisë. Si rezultat, nuk pati diskutime për propozimin e Ahtisaarit dhe as ndonjë diskutim që ai duhet të modifikohet"! S'ka dilema se ajo që refuzon Beogradi jo vetëm që s'bëhet dot por as që diskutohet. Ky proces negociator qartazi varet nga pëlqimi eventual i Beogradit dhe assesi ai i Prishtinës. Zaten, i tillë ka qenë prej fillimit. Përfundimi i tij mund të jetë veçse fillimi i tij, ardhmëria e tij mund të jetë veçse e tashmja e tij - autonomia substanciale për Kosovën. Kuptimi i 'përpjekjeve' të Treshes ishte lehtësimi i hapjes së derës për padronin e ri ('EUMIK') me tapi të vjetër (Rezoluta 1244). Misioni i misionit të ardhshëm të BE-së është (edhe një) ndërrim për mosndryshim, është veçse zëvendësim burokratik i UNMIK-ut. Thjesht, po e bëjnë gati shkuarjen e UNMIK-ut si administratë për ta përjetësuar UNMIK-un si koncept. Fatkeqësisht? Aspak. S'është punë fati kjo. Konsistenca e dokumenteve ndërkombëtare për Kosovën, sidomos që nga Rambujeja e këtej, është marramendëse.

Kthehu prapa te lista