Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës na e dërguan tekstin e Platformës për pushtetin lokal në Kosovë, e që paraqet platformën e ekipit negociator të Kosovës. Pra, njerëzit nga Kuvendi i Kosovës nuk janë aq të pashpresë me kusht që ta tradhëtojnë sistemin. Në mbititull të këtij dokumenti figuron togfjalëshi hollivudian ‘sekret zyrtar’. Tri javë më parë, Serbia e pat bërë publike pjesën kryesore të platformës së saj. Ajo hapur angazhohet për atë çfarë edhe deklaron. Ndërkaq, negociatorët kosovarë e mbajnë fshehur platformën e tyre meqë njëmend kanë shumë arsye që ta mbajnë sekrete përmbajtjen skandaloze të saj. Pa kurrfarë rezistence këta politikanë negociator pranuan që të shkojnë në Vjenë dhe atje të diskutojnë me Serbinë për decentralizimin e Kosovës. Tash ata përpiluan tekstin për decentralizimin e Kosovës i cili do t’i paraqitet Serbisë si ofertë!
Përgjatë tërë këtij teksti flitet për ‘pakicat’. Së pari, nuk mund të flitet për pakica në kuptimin legal e juridik – që nga Konferenca e Rambujesë e këndej në Kosovë ka vetëm bashkësi nacionale, jo shumicë dhe minoritete; nuk mund të flitet për shumicë e pakicë as në kuptimin demokratik – Kosova sundohet nga pakica e njerëzve administratorë të regjimit antidemokratik të UNMIK-ut; mund të flitet për pakica vetëm në kuptimin demografik, madje edhe kjo me pak saktësi ngase që nga viti 1981 nuk ka regjistrim të popullatës në Kosovë, ndonëse më shumë se gjysma e tyre kanë lindur pas këtij viti. Dhe së dyti, përderisa Kosova nuk ka sovranitet të vetin, vendosja e pakicave në të njëjtin grup dhe përkundruall shqiptarëve të Kosovës, është shumë e gabueshme dhe e dëmshme politikisht – dihet se përveç udhëheqësve serbë të Kosovës të cilët në fakt përfaqësojnë Beogradin, përfaqësuesit e turqve, ashkalinjve, egjiptasve, romëve dhe boshnjakëve hapur janë për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
Serbia, si përherë, e konsideron dhe e trajton Kosovën ekskluzivisht si territor, gjë që ka për pasojë militarizimin e serbëve të Kosovës. Këtë pikëvështrim ndaj Kosovës të reduktuar në territorin e saj, e bën edhe ky dokument, i cili në kapitullin e tij të dytë flet për Organizimin Territorial Komunal. Përputhja parimore e këtij dokumenti me Platformën e ekipit negociator të Unionit Serbi-Mal i Zi është e hatashme. Ajo vijon edhe nëpër detale. Ja dy fjali si dy shembuj: ‘Do të krijohet një numër shtesë edhe i komunave shumetnike me një shumicë lokale të komuniteteve pakicë.’, dhe në kapitullin e katërt, aty kur flitet për miratimin e një mori ligjesh thuhet se këto ‘do të miratohen vetëm duke përfshirë shumicën e Anëtarëve të Kuvendit nga komunitetet pakicë.’ Krejtësisht njësoj, siç parashihet në Platformën serbe, është i konceptuar edhe përfaqësimi: ai është tërësisht i bazuar etnikisht. Mu ashtu siç po kërkon Serbia, komunat e reja do të jenë fuqiplote. Përveç kompetencave në arsim, shëndetësi, shërbime sociale dhe publike, polici dhe drejtësi, ato do të mund të bëjnë edhe lëshimin e lejeve për ndërtim dhe zhvillimin e tokës, riemërimin e rrugicave, rrugëve dhe vendeve tjera publike, si dhe do të kenë autonominë buxhetore.
Prej fillimit të misionit të tij UNMIK-u në Kosovë në vazhdimësi ka diskriminuar pakicat joserbe. Këtë e vazhdon edhe ky dokument sekret, në të cilin mënyra e shkrimit është mjaft dinake. Në emër të përfshirjes, bëhet veçimi dhe theksimi. Ja, sërish, dy fjali si dy shembuj për këtë: ‘Organizimi i ardhshëm territorial i Kosovës, vëmendje të veçantë do t’i kushtojë interesave të veçanta të komuniteteve pakicë duke përfshirë komunitetin serb...’, dhe tjetra: ‘Komunat urbane (qytete), duke përfshirë edhe Mitrovicën mund të organizohen edhe në njësi nën-komunale.’
Këtij dokumenti nuk i mungon as bizariteti që sajohet me broçkulla prej fjalive të tipit -‘Reforma e pushtetit lokal, pos tjerash, do të ndihmojë procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian’. Decentralizimi që e çintegron përfundimisht Kosovën edhe ashtu aspak të integruar, po e ndihmoka integrimin e saj në BE! Nuk bëhet kurrfarë integrimi me zgjidhje administrative dhe burokratike, e me lëshim pe para apetiteve të Serbisë, por me zhvillim ekonomik e shoqëror, me perspektivë për progres. E këto që të gjitha mungojnë në Kosovë. Ngase mungon liria e popullit, vetëvendosja e tij; mungon sistemi politik e institucional që mbron interesat e popullit dhe respekton vullnetin e tij.