(kjo letër u lexua në interpelancën ndaj zv.kryeministres Edita Tahiri për çështjen e të pagjeturve nga deputetja Albulena Haxhiu)
Që prej një viti delegacioni i përfaqësuar nga Edita Tahiri, nuk e ka përmendur më çështjen e të pagjeturve as në të ashtuquajturat bisedime as në deklarimet zyrtare.
Pikërisht në maj të 2011 ka qenë hera e parë dhe e fundit kur është diskutuar në Bruksel për këtë çështje. Që prej asaj kohe nuk ka ndodhur asgjë e re. Përveçse edhe një vit tjetër i është shtuar mungesës së tyre.
Sot, në këtë interpelancë për të pagjeturit, në emër të shoqatës “Thirrjet e nënave”- në Gjakovë do të lexojë një letër drejtuar znj. Edita Tahiri.
“Dihet që Komuna e Gjakovës ka pësuar gjenocid nga ish pushteti kriminal serb pa kursyer moshë apo gjini.
Komuna e Gjakovës doli nga lufta me 750 të vrarë dhe 726 të rrëmbyer e të zhdukur, ndërsa sot, pas 13 viteve ende nuk dihet për fatin e 65 qytetarëve të kësaj komune.
Kurse Kosovës i mungojnë ende edhe 1797 qytetarë të tjerë.
Qeveria e Kosovës gjithmonë ka theksuar që prioritet është zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe ju znj.Tahiri keni theksuar se ky prioritet do të bisedohet me palën serbe, por siç dihet dhe siç shihet ky prioritet as që është zbatuar, gjë që ka zhgënjyer familjarët e të pagjeturve, pasi na tregon se në të vërtetë ju kurrë nuk e keni patur si prioritet zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Në emër të shoqatës “Thirrjet e Nënave”, nga Gjakova, që merret me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë 1998-1999, do t’i drejtoheshim, Zv. Kryeministres së Kosovës - Edita Tahiri, dhe njëherit Kryenegociatores nga pala kosovare për bisedime me Serbinë me këto pyetje:
Pse Kosova është kushtëzuar t’i plotësojë kushtet për kthimin e serbëve, ndërsa Serbia vetëm po përfiton nga ky gjumë i thellë i politikanëve kosovarë, duke mos u kushtëzuar për kthimin e shqiptarëve të pagjetur?
Pse nuk është kërkuar kurrë nga pala kosovare që të kushtëzohet Serbia, që të detyrohet të kthejë trupat e pagjetur, meqë ata e dinë me saktësi vendin se ku i kanë dërguar?
Pse nuk keni kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe ndërkombëtarët që të bëjnë presion mbi Serbinë e ta detyrojnë t’i tregojnë kriminelët që vranë dhe zhdukën qytetarët e pafajshëm kosovarë?
Pse nuk kërkoni ta detyrojnë Serbinë të kërkojnë falje për gjenocidin e zhvilluar në Kosovë?
Znj.Tahiri, këto pyetje dhe njëherit kërkesa qëndrojnë në suaza të të drejtave të njeriut dhe janë të drejta themelore dhe shpirtërore.
Ne duam të dimë vendndodhjen e më të dashurve tanë, andaj dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se çështja e personave të pagjetur është çështje mjaft e dhimbshme që kërkon angazhim të madh.
Dhe duhet të keni kujdes kur thirreni në emrin e tyre sepse nuk duam fjalë, por punë, duam angazhim real nga ana juaj.”
Letrën po jua dorëzoj juve znj. Tahiri, meqenëse udhëtimet Bruksel – Prishtinë dhe takimet me Borisllav Stefanoviçin nuk ju lanë kurrë kohën që t’i takonit Nënat.
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Kthehu prapa te lista