1. Pse çështja e të pagjeturve nuk ishte (para)kusht për Serbinë para çfarëdo bisedimesh me të? Si u bë që Qeveria e Kosovës të heq dorë nga ky insistim për të cilin aq shumë qeveritarë rregullisht zotoheshin para qytetarëve të Kosovës?
2. Pse çështja e të pagjeturve nuk u bë, së paku, zyrtarisht temë në dialogun në Bruksel meqë i keni hyrë kësaj rruge?
3. A keni kërkuar nga Serbia ose nga ndërmjetësi Robert Cooper që Serbia të detyrohet t’i hapë dosjet, të cilat me siguri se do të zbulonin fatin e shumë njerëzve të pagjetur?
4. A keni kërkuar nga Serbia ose nga ndërmjetësi Robert Cooper që të krijohet një ekip prej kosovarëve dhe ndërkombëtarëve që do të hetonte e hulumtonte për të gjitha indikacionet për varreza masive në Serbi?
5. Pse Qeveria nuk ka iniciuar një hetues i pavarur që do të hulumtojë të gjitha çështjet lidhur me rrëmbimin e personave, transferimin e tyre, pastaj transportin dhe zhvarrosjen e këtyre kufomave dhe që do të zhvillojë procedurën legale për ndjekjen e këtyre krimeve?
6. A keni kërkuar llogari nga i deleguari i Qeverisë së Serbisë për dialogun në Bruksel lidhur me numrin simbolik të rasteve të proceduara të kriminelëve të luftës në Serbi nga gjykatat atje e posaçërisht nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale që u pat themeluar me 1 korrik 2003?
7. A keni kërkuar nga homologu juaj Stefanoviç zbardhjen e fatit të prof.Ukshin Hotit dhe kur e keni bërë këtë?
8. A e keni konsideruar idenë që Ukshin Hoti të shpallet udhëheqës i delegacionit të dialogut në Bruksel (pasi që një ide e tillë u pat dhënë edhe atëherë kur u zhvilluan negociatat në Rambouillet në vitin 1999 dhe ato në Vjenë në vitin 2006)?
9. Nëse keni kërkuar nga Brukseli trysni të shtuar mbi Serbinë për çështjen e të pagjeturve, a ka ndodhur kjo, si konkretisht dhe sa jeni të kënaqur ju?
10. Cila është strategjia apo platforma juaj për çështjen e të pagjeturve gjersa u zhvilluan një dyzinë raundesh të dialogut në Bruksel dhe u arritën plot tetë marrëveshje me Serbinë atje?
11. Kë e keni këshilltar në ekipin tuaj për çështjen e të pagjeturve?
12. Kur jeni takuar herën e fundit me ndonjë shoqatë të të pagjeturve në Kosovë dhe me cilën?
13. Kur e keni ngritur në mbledhje të Qeverisë së Kosovës çështjen e të pagjeturve, posaçërisht në lidhje me dialogun me Serbinë që nisi me 8 mars 2011?
14. A do të kishit ndryshuar diçka sa i përket trajtimit të çështjes së të pagjeturve në dialogun e Brukselit sikur të kishit mundësi që gjithçka ta nisnit prej fillimit?
15. Cilat i konsideroni se janë sukseset e cilat dështimet sa i përket punës dhe rolit tuaj në zbardhjen e fatit të të pagjeturve?
16. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme ua ka dërguar dy letra në këtë vit, me 20 shkurt dhe 1 mars, por ju as që jeni përgjigjur. Pse? Raportimi i juaj i parë dhe i fundit para këtij Komisioni në këtë mandat të Kuvendit tonë u bë me 8 prill 2011. Pse nuk shkoni të njoftoni e raportoni në këtë Komision? Kjo interpelancë do të ishte shumë më efikase sikur ju tashmë t’ishit përgjigjur para Komisionit për Punë të Jashtme.
Glauk Konjufca
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Kthehu prapa te lista