Gjatë periudhës së luftës 98-99, në Kosovë u kidnapuan e u zhdukën rreth 6000 persona. Në Vushtrri,me 22 maj 1999, kriminelët serbë kidnapuan 78 shqiptarë, prej tyre 53 ende te pagjetur.
Familjarët e të pagjeturve edhe pas 13 viteve përballen me kushte të rënda ekonomike. Ligji për persona të pagjetur deri më sot nuk po zbatohet, ngase ka shumë hapësira për interpretim e për keqpërdorim.
Në një takim, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, na premtoi që fotografitë e personave të pagjetur që qëndrojnë të varura në rrethojat e Kuvendit, do të vendoseshin në një vend më të dinjitetshëm. Na premtoi që do të bëjmë gjithçka që është e mundur për këtë kategori, por deri më tash nuk është bërë asgjë.
Qeveritarët tanë angazhohen të përkëdhelin serbët, t’i avancojnë e t’i rehatojnë. T`i plotësojnë të gjitha kërkesat e tyre në mënyre që ata të ndihen sa më komodë. Përderisa kryeministri përqafon fëmijët e serbëve, nënave shqiptare nuk po iu kthehen as 3 - 4 eshtra në qese të plastikës nga Serbia.
Po dëgjojmë në lajme që ushtarët e UÇK-së po gjykohen për arsye se kanë luftuar për lirinë e popullit të vet. Madje, po bëhen hetime për trafikim të organeve të serbëve. Vallë, a qe e mundur një gjë e tillë? Ushtarët tanë që nuk patën as fasha e barna elementare për t`i kuruar plagët e tyre?
Faji qëndron vetëm te ata që i kidnapuan më të dashurit tanë para syve të familjarëve e i dërguan në Beograd, ku një numër i kufomave është bartur me kamionë-frigorifer. Serbët janë ata që kanë pasur mundësinë për të bërë trafikimin e organeve. Ne, nanat e të pagjeturve, shpesh here e kemi diskutuar këtë çështje, mirëpo askush nga pushtetarët s`e çan kokën për këtë gjë.
Zotërinj të qeverisë, mandatin e keni nga shqiptarët, e jo nga Serbia. Mos i mbyllni sytë për të pagjeturit.
Kthehu prapa te lista