Ju mund tė ndihmoni!

Aktivitetet

Fjalimi i Albana Fetoshit në seancën e sotme parlamentare

10 MAJ 2012 - E Enjte 10:09

Në përgjithësi ky raport nuk mund të shërbejë për ndonjë analizim të përgjegjësisë së Qeverisë në shpenzimin e parasë publike, meqë tabelat janë të mangëta në shumë aspekte.


Kështu p.sh. në tabelat në fillim vetëm radhiten shpenzimet  e vitit 2011 dhe të njëjtat krahasohen me vitet paraprake. Ajo që është me rëndësi është që të krahasohen shpenzimet buxhetore  për secilën pikë me mjete e alokuara e jo me vitet e mëhershme.


Në faqen 13 ( është vështirë t’i referohemi ndonjë  tabele, meqë asnjëra prej tyre nuk ka numër rendor), vërehet shumë mirë impakti i kësaj qeverie në ambientin biznesor të vendit.


Për herë të parë që nga futja e sistemit tatimor në Kosovë, të hyrat nga tatimi në korporata janë më të ulëta se të hyrat nga tatimi në të ardhurat personale.


Kjo flet për një situatë shumë shqetësuese për shumicën e bizneseve të vendit.


Në tabelat vijuese në faqen 14 shihet një përsëritje e dhimbshme e zhvillimeve të viteve të mëhershme sa I përket  përkushtimit  të komunave me shumicë komunitetin serb ndaj sistemit fiskal të vendit.


Të gjitha komunat me shumicë komunitetin serb ( Leposaviqi, Shtërpca, Ranilluku, Kllokoti dhe Zubin Potoku) grumbullojnë më pak se 400. 000 euro në të hyrat vetanake që është sa gjysma e të hyrave që grumbullon ndonjë komunë me shumicë shqiptare.


Në faqen 19 në tabelën që pasqyron të hyrat në llogaritë  e Bankës Qëndrore nga interesi shihet diçka shumë e dyshimtë. Edhe pse në shpjegimin e ofruar  thuhet se paraja publike investohet  që nga viti 2007, megjithatë në tabelë figurojnë 0 euro të hyra nga investimet  e Agjensisë Kosovare të Privatizimit. Qindra milion euro janë investuar, kurse në buxhet nuk rrjedh asnjë cent nga interesi.


Krahasuar me vitet paraprake Qeveria e Kosovës ka ngritur pothuajse të gjitha llojet e shpenzimeve . Por ka një fushë ku Qeveria e Kosovës është kujdesur që të kursejë paranë publike.


Për këtë Qeveria ka zgjedhur segmentin më të rrezikuar të shoqërisë. Kështu janë ulur shpenzimet  për pensione bazë, për pensionet e personave me aftësi të kufizuar dhe me ndihma sociale.


Nga tabela në faqen 36 shihet se gjatë vitit 2011, kemi pasur një realizim prej 85% në ekzekutimin e shpenzimeve kapitale. Nëse i heqim kësaj shpenzimet për autostradë që përfshijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve kapitale dhe ku kemi pasur realizim  prej 100% të planit të shpenzimeve, del se në pjesën e mbetur implementimi nuk ka kaluar as 50% e planit.


Tabelat  e anekseve në fakt vetëm krahasojnë shifrat  e planifikuara me ato të realizuara. Por një krahasim i tillë është i pavlerë nëse tabelat nuk tregojnë edhe atë se a është shfrytëzuar paraja publike në qëllimet dhe projektet e destinuara .


Kjo për arsye se gjatë vitit 2011 në vazhdimësi është raportuar për rastet kur projektet e miratuara janë stopuar dhe paratë e grumbulluara janë orientuar në destinacione të tjera. E gjithë kjo e vë në pikëpyetje vetë logjikën e përpilimit dhe aprovimit  të draftbuxhetit nga ana e parlamentit.


Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kthehu prapa te lista