Ju mund tė ndihmoni!

Aktivitetet

1001 të metat e Ligjit për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë

22 QERSHOR 2012 - E Premte 07:05

(Fjalimi i Albulena Haxhiut në Kuvendin e Kosovës)


Sot në këtë seancë jemi duke e shqyrtuar një  projektligj me të cilin ndryshohen 21 ligje, shumë pak nene të tyre, me të cilat ndryshime thuhet që “po përfundon mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës” por se realisht po rirregullohet prania e ndërkombëtarëve nëpër institucionet e Kosovës.


 Në këtë projektligj shihet qartë se përmbyllja e mbikëqyrjes nuk do të jetë realisht e tillë dhe do të nënkuptojë vetëm mbylljen e zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.


Saktësisht si ka thënë Lëvizja VETËVENDOSJE! kur e kemi refuzuar Rezolutën e kaluar në Kuvend për përmbylljen e kësaj mbikëqyrjeje.


 Të nderuar deputetë,


Kuvendi duhet ta trajtojë secilin ligj me procedurën e vet normale, të votimit në Kuvend dhe në komisionet përkatëse. Nuk ka procedurë  tjetër të votimit që është e pranueshme për ne, dhe Kuvendi, e asnjë dokument në Republikën e Kosovës, nuk e njeh asnjë mekanizëm të paravotimit, apo të procedurës së përshpejtuar  të miratimit të ligjeve, siç po ndodh tani me pakon e 21 ligjeve.


Ne do të duhej  të ballafaqoheshim me një proces të përgjegjshëm, transparent, e të analizuar mirë në secilin detaj, në mënyrë që ky proces të ketë sa më pak kosto (apo obligime) e sa më shumë përfitime(liri e të drejta), për qytetarët e Kosovës e për institucionet e saj.


Kjo procedurë e miratimit të ligjeve kësisoj është një precedent shumë i rrezikshëm. A më tregoni të nderur deputetë se pas procedimit të kësaj pako ligjore kush  do të mund ti ndalte  në të ardhmen deputetët e shumicës të formonin një komision ad hoc për shitjen e gjysmës së vendit  duke i proceduar 40 ligje në një të vetëm?


Procedura e miratimit të këtij ligji në këtë mënyrë fillimisht është shkelje e kushtetutës konkretisht e nenit 16, paragrafi 1, ku tregon për epërsinë e kushtetutës.


1.    Kushtetuta është akti më I lartë juridik i Republikës së Kosovës. Ligjet dhe aktet tjera kushtetuese duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën.


Nuk mundet në asnjë mënyrë të ndryshohen me ligje nene të cilat janë pjesë të kushtetutës.


Pra ajo se çfarë po ndodh realisht është që po ndryshohen ligjet për tu ndryshuar Kushtetuta pra në vend që të procedohen në Kuvend amendamentet e propozuara nga Qeveria, neve na procedohet në Kuvend një pako me 21 ligje.


Pas shkeljes së nenit 16 të Kushtetutës po shkelet edhe Rregullorja e Kuvendit neni 53,54,56,57 në të cilat nene shpjegohet procedura  ligjvënëse.


Në nenin 1 të këtij projektligji flitet për qëllimin e projektligjit.


A mund të na tregoni, ju përfaqësues të Qeverisë se sipas cilës praktikë  legjislative është riformuluar qëllimi i këtij ligji?


Në nenin  2 të këtij ligji – flitet për ligjin për Gjykatën Kushtetuese


Në nenin 2 paragrafi 1. thuhet:


Në nenin 15 të shtohet një paragraf 15(2) në të cilin përcaktohet:


“Gjykatësit ndërkombëtarë të emëruar në pajtim me kushtetutën dhe me ketë ligj vazhdojnë të marrin pagën e tyre të specifikuar sipas kushteve të emërimit të tyre.


Qeveria e Kosovës siguron fonde për gjykatësit ndërkombëtarë me vlerë të barabartë me pagën e gjykatësve vendor”


Por pyetja është se pse vazhdon të ketë gjykatës ndërkombëtarë pasi që po përfundon pavarësia e mbikëqyrur?


Paragrafi 2 i nenit 2 thotë:


“Mandati i gjykatësve ndërkombëtarë të emëruar në pajtim me Kushtetutën do të vazhdojë sipas kushteve dhe dispozitave të caktuara në vendimin për emrin”


Pra nëse thuhet që do të duhej të përfundojë pavarësia e mbikëqyrur pse duhet të ekzistojnë nene të tilla?


Kjo është në kundërshtim edhe me nenin 152 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës :


I cili nen i jep mandatë gjykatësve ndërkombëtarë deri në fund të mbikëqyrjes së pavarësisë


Pra edhe paragrafi 1 e edhe paragrafi 2 i Nenit 2 është në kundërshtim me qëllimin e ligjit për ta përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë.


Për më tepër  ky paragraf nuk shpjegon se kush i emëron këta gjykatës ndërkombëtarë pas përfundimit të mbikëqyrjes së Pavarësisë?


Neni 3 paragrafi 1. Thuhet : neni 8 i Ligjit fshihet dhe riformulohet si vijon:


“Auditori i përgjithshëm i emëruar në përputhje me Kushtetutën dhe me këtë Ligj vazhdon të qëndrojë në post deri në përfundim të mandatit dhe me kompensimin e cekur në kushtet specifike të emërimit të tij. Qeveria e Kosovës siguron fonde në vlerë të barabartë me pagën e një qytetari të Kosovës që mban pozitën e njëjtë”


Mirëpo ne mendojmë që më hyrjen në fuqi të këtij ligji do të duhej të përfundonte edhe mandati i tij pra edhe ky nenë është në kundërshtim me qëllimin e këtij ligji.


Në nenin 4 paragrafi 2 thuhet:


Neni 12.3 i Ligjit fshihet dhe riformulohet si vijon:


“Kryeministri emëron tre ndërkombëtarë drejtorë të bordit. Bordi, po ashtu, emëron një qytetar të Kosovës Drejtor të Sekretarisë Ekzekutive të Bordit, i cili nuk do të jetë anëtar i Bordit. Bordi, përveç kryesuesit, po ashtu, emëron zëvendëskryesues njërin prej anëtarëve të tij. Për emërimin, shkarkimin ose ndryshimin e kushteve të referimit të Drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Bordit kërkohet vota afirmative e shumicës së Bordit të Drejtorëve, duke përfshirë votën afirmative të secilit prej drejtorëve ndërkombëtarë”


Fillimisht ky nenë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës neni 142 Agjensionet e pavarura


Nëse AKP është Agjension Pavarur atëherë pse kryeministri e jo kuvendi?


Edhe ky nen është në kundërshtim me qëllimin e ligjit pasi që po vazhdon mandate i tre ndërkombëtarëve në bord e gjithashtu me çfarë baze kushtetuese  i ipet kompetenca që Kryeministri të emërojë drejtorin e Bordit??? 


Në paragrafin 2. Të nenin 6 thuhet :


Neni 2.1.7 i ligjit fshihet dhe riformulohet si vijon:  


Gjykatës Ndërkombëtar - çdo gjykatës i Misionit Evropian për Politika të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, i cili është emëruar në pajtim me këtë Ligj.


Cili na qenka ky Misioni evropian për politika të sigurisë të cilin se njeh Kushtetuta? Pra nuk është kategori kushtetuese/?


Nëse fillimisht është hequr përkufizimi i propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës atëherë bien edhe termi gjykatës ndërkombëtarë apo jo?


Në nenin 7, paragrafi 1, thuhet :


Neni 12 i ligjit (I cili ndryshon 5.6 të rregullores) fshihet dhe riformulohet si vijon:


1. Një komision për përzgjedhje i propozon Kuvendit kandidatët për plotësimin e vendeve të lira në anëtarësi apo për riemërim të anëtarëve të bordit drejtues.


         2. Komisioni për përzgjedhje do të përbëhet nga Guvernatori i BQK-së (kryesues),              Auditori i përgjithshëm dhe Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave.


3.Mandati i secilit anëtar të emëruar në këshillin drejtues zgjat tre vjet, me mundësi të   rizgjedhjes.


Fillimisht pyetja është se 5.6 e cilës rregullore e ndryshon ky Nene?


Më pastaj komplet neni është i riformuluar gabim dhe si i tillë duhet të amendamentohet.


Edhe përderisa po thuhet që po përfundon mbikëqyrja e pavarësisë çfarë kërkon në këtë komision Auditori i Përgjithshëm Ndërkombëtarë?


Ai përfundon mandatin në momentin e përmbylljes së pavarësisë.


Më pastaj në paragrafin 6 të nenit 12 thuhet:


Nenit 17 i shtohet një paragraf i ri 17(5) si vijon:  


“Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të hartojë një rregullore të ndarë për të përshkruar procesin e emërimit dhe të riemërimit të gjykatësve nga komunitetet kosovare që tash për tash janë të nën-përfaqësuara në mesin e gjykatësve që shërbejnë në Kosovë”


Kush na qenka ky komunitet kosovar i nënpërfaqësuar?


Çdo të thotë kjo fjali?


Kategori e cilit ligj është ky term?


Gjithashtu edhe tek neni 13 par. 4 – (Këshilli Prokurorial) përmendet një term i tillë andaj ju përfaqësues të Qeverisë për çfarë komuniteti keni pasur fjalë?


Në Paragrafin 2 të nenit 15 thuhet:


Paragrafi 3 i Neni 3 të Ligjit  fshihet dhe riformulohet si vijon:


Objekt i shpronësimit sipas këtij ligji mund të jenë të drejtat private pronësore dhe të drejtat tjera private për ose ndaj një prone të paluajtshme, me përjashtim të asaj prone të paluajtshme që bën pjesë në atë kategori të pronës, për të cilën Kushtetuta në mënyrë specifike thotë se nuk do të jetë objekt i shpronësimit.


Por ky riformulim ngre shumë pyetje: Po pronat e xhamisë do të jenë të shpronsueshme? Po pronat e kishës katolike? Po të sinagogës i lejohet shpronësimi atyre? Po kishës protestante? Po teqesë? Pasi që sipas këtij neni po lejohet shpronësimi i të tjerave. Pra edhe ky nen përveç tjerash është në kundërshtim me qëllimin e këtij ligji.


Për fund, ky projektligj nuk ka për qëllim përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, me këtë projektligj po mashtrohen qytetarët e Republikës së Kosovës andaj ju ftojë të mos e votoni.  


Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kthehu prapa te lista