11 02 2016

10 vjetori i Demonstratës së 10 shkurtit në Tiranë

Lëvizja VETËVENDOSJE! shënoi sot në Teatrin Metropol në Tiranë 10 vjetorin e demonstratës së 10 Shkurtit, përmes shfaqjes se dokumentarit mbi ngjarjet e datës 10 shkurt 2007 dhe një prezantimi mbi këto ngjarje. Në këtë prezantim folën deputeti Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, i cili e hapi këtë aktivitet me një përmbledhje të ngjarjeve të demonstratës së 10 Shkurtit dhe domethënien e saj për Kosovën dhe shqiptarët.

Pas shfaqjes së dokumentarit deputeti Kurti prezantoi gjashtë dëmet që shkaktoi “Plani i Ahtisaarit” ndaj Kosovës, dëme këto që kundërshtoheshin nga Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes aksioneve dhe demonstratave, pikërisht si ajo e 10 Shkurtit. Ndër dëmet e këtij plani, deputeti Kurti theksoi decentralizimin e Kosovës mbi baza etnike, qe i ka hapur sot rrugën negociatave për bosnjëzimin e Kosovës përmes instalimit të “Zajednicës”. Ai tha se “Atëherë, përmes ‘Planit të Ahtisaarit’, njëherë i ndan më vete komunat me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa sot, përmes ‘Zajednicës’, po përpiqen t’i bëjnë bashkë kundër Kosovës”. Gjatë këtij prezantimi u shpjegua se vrasja e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt nga policia e UNMIK-ut në demonstratën e 10 Shkurtit, vazhdon të mbetet e pandëshkuar, pavarësisht vendimit të Panelit për të Drejtat e Njeriut të OKB-se që e njeh UNMIK-un përgjegjës për dhunën dhe vdekjen e dy demonstruesve.

Ky aktivitet u mbyll me një diskutim me pyetje dhe komente nga të pranishmit, të cilët u interesuan për situatën në Mitrovicë, por edhe mbi mënyrat se si mund të rritet bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe se si mund të bashkërendohen më mirë e më shumë politikat e dy shteteve me synim bashkimin.

Kontribo