129 vjetori i vështirë i shkollës shqipe
Më 7 Mars 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe në kohën kur kjo i ndalohej shqiptarëve. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Hapja e shkollës së parë shqipe kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare, për të cilën dhanë kontributin e tyre edhe vëllezërit Sami e Naim Frashëri. Nga struktura dhe përmbajtja e mësimit “Mësonjëtorja e Parë” ishte një shkollë e përparuar. Veprimtaria e saj përshkruhej nga fryma patriotike, nga dëshira për dije dhe edukata e punës. Tekstet e përdorura në shkollë si abetarja e gramatika e Sami Frashërit, aritmetika e Jani Vretos, historia e Naim Frashërit e të tjera, si vepra të rilindasve të shquar, dalloheshin për frymën e shëndoshë dhe përmbajtjen patriotike.
“129 vite nga kjo datë shkolla shqipe ka rënë sërish në një grumbull problemesh shumë të mëdha. Tekstet shkollore, përmbajtja e tyre në Kosove është në nivel shumë më të ulët se sa kapacitetet e shoqërisë sonë dhe kombit tonë. Tekstet shkollore në Kosovë janë përgatitur për një periudhe 3 mujore para më shumë se një dekade. Librat shkollorë janë qenësor edhe për ta përmirësuar lexim-shkrimin. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i shpërndan falas në Kosovë librat shkollorë për 270,000 nxënësit e klasave 1-9 në Kosovë”, tha deputeti Mytaher Haskuka, duke theksuar se këto tekste vijojnë të jenë me pasaktësi të forta shkencore; me varfëri referencash; me skizma dhe paragjykime gjinore; si dhe të palidhura me kurrikulën e re të Kosovës, atë të vitit 2011, të cilën e ka pranuar me përshtatje edhe Shqipëria.
Është folur shumë për unifikimin e kurrikulës parauniversitare me Republikën e Shqipërisë por edhe pse tashmë kurrikula e Kosovës është përshtatur, ende nuk i kemi tekstet e unifikuara. Ndërkohë, shqiptarët e Luginës se Preshevës jenë të privuar nga mësimi me tekste në gjuhën shqipe dhe sipas kurrikulës kombëtare. “Në Mal të Zi ende ndalohet që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të përdorin librat nga Tirana ose Prishtina, me arsyetimin si të Serbisë, se ata libra nuk u përputhen me kurrikulën zyrtare që në masë të madhe përmban të njëjtën frymë të para luftërave e ndryshimeve në Ballkan”, tha Haskuka.
Ai më tej theksoi faktin se mësimdhënësit e viteve te 90-ta në Kosovë për shumë vite janë marrë nëpër këmbë pa ua njohur përvojën e punës e pa ua kompensuar atë. “Po ashtu, mësimdhënësit sot në Kosovë nuk kanë sigurim shëndetësor e as invalidor. As Ligji i Punës dhe as Kontrata Kolektive e Arsimit Parauniversitar nuk ua mundëson mësimdhënësve të shfrytëzojnë më shumë se 20 ditë pushim mjekësor me pagesë. Në një shoqëri ku shkolla është e partizuar; ku drejtorët e shkollave zgjidhen sipas përqindjeve të koalicioneve komunale; ku pothuajse nuk ka asnjë investim në mjete të punës bashkëkohore edukative apo laboratorë; ku mësimdhënësit nuk kanë sigurim mjekësor, sigurim invaliditeti; nuk mund të kemi arsimim cilësor”, u shpreh Haskuka.
Mendësia qeverisëse e deritashme në Kosovë, që shkollës dhe mësuesve iu rezervon gjithnjë vendin e fundit në buxhetin e shtetit, është e kundërta e asaj që duam të arrijmë në të ardhmen.
7 mars 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!