25 vjetori i Masakrës ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu
25 vjet më parë, 28 mars 1999, në Podujevë, 21 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, prej të cilëve 7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç, dhe 7 gra, u pushkatuan nga njësiti policor serb “Shkorpionët”. Në këtë masakër, 16 anëtarë të familjes ju vranë kurse me 16 plumba në trup, Saranda Bogujevci, bashkë me katër kushërirë të saj mbijetuan.
Për të bërë homazhe e për të vendosur lule të freskëta te varrezat e anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, ishte sot Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me zv. Kryeministrin, Besnik Bislimi, Kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, Shefen e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, dhe me ministra të kabinetit, deputetë, asamblistë dhe aktivistë të Lëvizjes.
Kryeministri, Albin Kurti, i bëri thirrje prokurorisë së shtetit që të bëjë më shumë lidhur me arrestimin e kryerësve të masakrës ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë.
“Ne edhe një herë i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që të bëjë më shumë në mënyrë që këta vrasës mizor të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu të ndodhen prapa grilave sepse ka pasur shumë më tepër ekzekutorë dhe urdhërdhënës të kësaj ekspedite kriminale gjenocidale se sa që janë përballur në procesin e drejtësisë, ku siç dihet në Serbi nuk ka pasur drejtësi për këto familje.”
Kryeministri Kurti tha se dëshmorët na e përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe lirisë që e gëzojmë sot dhe se si rrënjët e shtetit dhe të lirisë janë te gjaku i martirëve dhe i dëshmorëve.
Ai po ashtu kujtoi se në këtë masakër janë vrarë shtatë gra e shtatë fëmijë, por që përkundër një procesi gjyqësor në Serbi nuk ka pasur drejtësi të mjaftueshme.
“Fëmijët kanë qenë prej 2 vjeç deri në 15 vjeç dhe me këtë rast është mbajtur një proces gjyqësor në Serbi, ku janë dënuar disa pjesëtarë të njësitit famëkeq “Shkorpion”, të cilët kanë kryer vrasje edhe në gjenocidin e Srebrenicës dhe ata të dënuar maksimalisht me 20 vjet pa u penduar, kur i kanë mbajtur 2/3 e dënimit janë liruar. Kryesori i tyre Sasha Svjetan është arrestuar në dhjetorin e vitit 2022 në Athinë, si kreu i një karteli të drogës atje. Kjo tregon se si kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar në paqe janë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por ne kemi nevojë për drejtësi institucionale në Kosovë dhe rajon”, ka thënë ai.