25-vjetori i Masakrës së Rezallës: Thirrje për Drejtësi dhe Kujtim për Martirët
Në 25-vjetorin e masakrës së Rezallës, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Nënkryetari i Lëvizjes, njëherazi Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Kryetarja e GVV-së, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deputeti, Gani Krasniqi, Sekretari Organizativ i Lëvizjes, Alim Rama, dhe aktivistë nga qendrat tona, bënë sot homazhe te kompleksi memorial i varrezave në Rezallë të Skenderajt, në kujtim dhe nderim të martirëve të rënë.
Me 5 prill të vitit 1999, në Rezallë të Skenderajt policia dhe ushtria okupatore serbe ekzekutoi 98 shqiptarë civil të paarmatosur, duke zhdukur më pas me dhunë 44 trupa të tyre.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, theksoi se krimi në Rezallë është një shembull i përpjekjeve të vazhdueshme të shtetit të Serbisë për të kryer spastrim etnik ndaj popullsisë shqiptare. Ai tha se Serbia nuk ka ndryshuar sepse kurrë nuk është përballur me krimet e veta.
“Serbisë i kanë ndryshuar rrethanat, por jo mendësia. Pa e ndryshuar mendësinë dhe pa u përballur me krimet e veta, përballë nesh ajo do të përbëjë gjithnjë shtetin e zhytur në krimin e përbindshëm dhe kërcënim të vazhdueshëm. Ne kemi dëshmorë e martirë të cilëve u përkulemi, ndërsa Serbia kriminelë lufte që i mbron. Rezalla është pjesë e dhimbjes sonë të madhe, ku martirët lanë dëshminë e sakrificës si çmim të lirisë. Për ta ne do të vijojmë të kërkojmë drejtësi. Rezalla nuk ishte episod i izoluar apo rast përjashtimor, por ndodhi në vazhdën e fushatës së krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit, masakrave të njëpasnjëshme dhe spastrimit etnik, që ishin mekanizma dhe mjete të shtetit të Serbisë, si strukturë e kalkulimit dhe gjenerimit të vrasjes në masë.”
Kryeministri, Albin Kurti, duke kujtuar këtë masakër, u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtar të kërkojnë nga Serbia zbardhjen e fatit të të vrarëve në këtë masakër që janë zhdukur më pas me dhunë. Ai ripërsëriti kërkesën që drejtësia vendore pa vonesë të veprojë që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të gjykohen e dënohen.
“Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen.”
“E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë. Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri”, ka shkruar Kryeministri Kurti.
I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla!