29 vjetori i demonstratave të Drenasit
Në 29 vjetorin e demonstratave në Drenas të 31 janarit të vitit 1990 për të kundërshtuar suprimimin e autonomisë dhe shtypjen e pushtetit serb, Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Drenas organizoi tribunë përkujtimore për këtë ngjarje dhe për tre dëshmorët e saj Sahit Shala, Enver Morina dhe Shani Morina. Në tribunë morën pjesë Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, Kryetari i Qendrës së Dranasit Shemsi Elezi, pjesmarrësi në demonstratë dhe ish i burgosur politik Enver Dugolli, pjesmarrësi dhe i plagosuri në demonstratë Florim Kuliqi, reporteri në demonstratë Zeqir Bekolli dhe shkrimtari e publicist Adem Gashi.
Në praninë e familjarëve të dëshmorëve, veteranëve, demonstruesve dhe të qytetarëve u theksua vëmendja e munguar për këtë ngjarje dhe të tjera të ngjashme. Kjo demonstratë është ndër më të fuqishmet e kohës dhe gur themeli për demonstratat, luftën dhe çlirimin e Kosovës. Me qindra qytetarë morën pjesë për të kundërshtuar suprimimin e autonomisë së Kosovës, për të mbështetur kërkesat e grevës së minatorëve të Trepçës dhe për të kundërshtuar pushtetin represiv dhe hegjemonist serb. Demonstrata u mbyll me tre dëshmorë të vrarë nga forcat serbe, me 29 të plagosur të raportuar dhe shumë të tjerë që nuk u raportuan kurrë për shkak të përndjekjes së mundshme të pushtetit.
Enver Dugolli, si ish i përndjekur politik dhe pjesëmarrës në këtë demonstratë, kujtoi dallimin e madh mes vullnetit dhe ndjeshmërisë së fortë të popullit shqiptar për t’u mobilizuar, për të protestuar dhe për të demonstruar përgjatë dekadës pas demonstratave të vitit 1981 dhe mungesës së theksuar të përfaqësimit të këtij vullneti popullor nga klasa politike shqiptare e kohës.
Të pranishmit treguan sesi shfuqizimi i autonomisë nën kërcënimin e armëve, largimi i shqiptarëve nga të gjitha strukturat institucionale dhe politikat segregacioniste që i trajtonin shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë e bënë të domosdoshme organizimin dhe demonstrimin në mbrojtje të të drejtave të mbetura pas suprimimit të autonomisë. Demonstratat u organizuan në një Kosovë ku tashmë ndalohej shprehja e revoltës, organizimi i demonstratave dhe manifestimeve.
Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti tërhoqi një parlele mes asaj periudhe dhe aktualitetit politik duke thën se ngjashmëria qëndron në mbrojtjen e autonomisë atëbotë prej atyre që donin fort Republikën dhe në mbrojtjen e Republikës sot prej atyre që duan Bashkimin Kombëtar. Ndërkohë, për veprimtarët e asaj kohe si kategori ende nuk është bërë asgjë.
Në përfundim të fjalës, Kryetari Kurti u shpreh, “Ecja e shqiptarëve jo vetëm në shekullin e XX, por edhe më herët dhe më pas është nëpër sakrifica, nëpër dëshmorë dhe heronj, të cilët nuk e kursyen jetën e tyre për të tjerët e popullit tonë. Pra, nëpër njerëz që e deshën vendin, popullin dhe lirinë më shumë se vetveten. Ata nuk janë me trup në mesin tonë, por shpirti i tyre vazhdon të na bëjë bashkë edhe sot e kësaj dite.”
Demonstrata e 31 janarit në Drenas dhe të tjerat e asaj kohe mbajtën gjallë idenë e lirisë, shpërfaqën vendosmërinë dhe devotshmërinë për drejtësi e cila jeton më gjatë se çdo pushtet dhe çdo shtypje. Demonstratat janë shenjat se e ardhmja nuk është e shtypësve, por është përvjetori që liria dhe drejtësia i bëjnë kujtimeve dhe lavdisë së të rënëve dhe veprimtarëve për drejtësinë dhe lirinë e popullit.