03 09 2020

30 vjetori i grevës së përgjithshme të 3 shtatorit të vitit 1990

Në 30 vjetorin e grevës së përgjithshme të 3 shtatorit të vitit 1990, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetja Fitore Pacolli dhe zëdhënësi i Lëvizjes, Përparim Kryeziu vizitoi Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Aty u mirëpritën nga kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, nënkryetari, Atdhe Hykolli dhe zyrtarja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Dafina Mehaj.

Greva e përgjithshme e 3 shtatorit 1990 shënoi një ditë të rëndësishme për historinë e Kosovës. Ajo ndodhi teksa po bëhej largimi sistematik i më shumë se 120 mijë punëtorëve nga puna të cilët refuzuan të nënshkruanin deklaratën që pranonte rregullat dhe ligjet e reja që vinin pas ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht suprimimit të autonomisë në mars 1989. Greva e udhëhequr nga Prof. Hajrullah Gorani ishte manifestim i kërkesave të punëtoreve për mbrojtjen e të drejtave sindikale në Kosovë, shprehje e protestës ndaj politikave represive që bazoheshin në diskriminim brutal në baza etnike, por edhe një lloj i referendumit për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Kryetari i BSKP-së, z. Ajdini, falënderoi z. Kurti për vizitën e tij në shënimin e 30 vjetorit të kësaj dite historike. Për kryetarin Ajdini, ndonëse ka kaluar shumë kohë nga ajo grevë, dhe ndërmjet kanë ndryshuar shumë rrethana, trajtimi i punëtorëve në vend vazhdon të përcjellë një trend jo të mirë. Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa kontrata kolektive, punëtorëve vazhdimisht u cenohet siguria dhe shëndeti në punë, derisa ata nuk mbrohen sipas konventave ndërkombëtare.

Rëndësia politike dhe historike e kësaj greve fillon nga fakti se ajo u respektua nga të gjithë punëtorët e Republikës të sapo shpallur të 2 Korrikut 1990, tha kryetari Kurti. Ajo, bashkë me demonstratat masive dhe tubimet për faljen e gjaqeve, përbën një nga momentet e rëndësishme të fillim viteve të ’90-ta ku solidariteti te populli ynë kishte arritur kulmin e tij. Përmasa të tilla të solidaritet duhet të jenë synim i shoqërisë sonë edhe sot. Solidariteti nënkupton vetëdije shoqërore. Për këtë të fundit kryetari Kurti tha se duhet të nxitet përmes hartimit dhe zbatimit të politikave që garantojnë të drejtat e punëtorëve, ofrojnë ambient të përshtatshëm për zhvillim ekonomik, e që në fund parandalon migrimin jashtë vendit dhe inkurajon kthimin e trurit brenda tij. Në këtë pikë, deputetja Pacolli përmendi shembuj suksesi të vendeve tjera, sikurse Polonia dhe Estonia, të cilat falë politikave të duhura kanë arritur që për një kohë të shkurtër të shënojnë përmirësim të zbatimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik e që si rezultat kanë nxitur kthimin trurit dhe parandalimin e migrimit e popullatës së re.

Zbatimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, parandalimi i migrimit dhe kthimi i trurit do të jenë boshti i Qeverisë Kurti 2, programi dhe plani qeverisës i së cilës tashmë veçse po hartohet në kuadër të Qeverisjes Alternative dhe pesë shtyllave të saj.

Kontribo