500 Mijë Zemra për Kosovën – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin e Prishtinës
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do të përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.”
Të nderuar deputetë të ardhshëm të listës me numër 118, ky është teksti i betimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Republika jonë është demokratike dhe parlamentare, Kuvendi është vendi ku përfaqësohet populli, ku flitet në emër të popullit e për popullin, ku i mbrohet atij interesi e ku i shprehet vullneti. Kuvendi është vendi që nxjerr dhe ndryshon edhe Kushtetutën, që përkufizon formën e shtetit tonë, vendi ku nxirren ligjet që përcaktojnë cilësinë e demokracisë, drejtimin ekonomik dhe përkujdesjen sociale, por, edhe nivelin tonë të zhvillimit e të progresit. Është vendi ku zgjidhet Qeveria dhe mbahet përgjegjëse ajo për punën e saj. Parlamenti është institucion i shenjtë në demokraci, prandaj edhe deputeti e ka një mandat e mision fisnik.
Pikërisht për shkak se Parlamenti është kaq i rëndësishëm për funksionimin e shtetit, përfaqësuesit tanë idealisht do të duhej të ishin njerëzit më të përgatitur e më të merituar të shoqërisë, në mënyrë që Parlamenti të reflektojë vlerat tona më të larta e arritjet tona më të mëdha. Qytetarë me edukim cilësor e me integritet njerëzor, me parime e me dashuri të dëshmuar për vendin, njerëz që dinë të dalin mbi interesat e ngushta në mbrojtje të vendit, çdo herë dhe kudo.
Lista jonë përbëhet nga gra e burra me edukim cilësor, me atdhedashuri të dëshmuar, me profesionalizëm të lartë e me aktivizëm shoqëror.
Të dashur qytetarë, të nderuar të pranishëm,
Me këta 110 kandidatë ne kërkojmë votën tuaj për datën 9 shkurt, pra sot një javë, atëherë kur cep më cep Kosovës, njerëz të Republikës do t’i drejtohen kutive të votimit, kur ne me 500 mijë vota, 500 mijë zemra, presim fitoren rekord, historike, të paparë në Kosovën e çliruar.
E arsyeja pse ne kërkojmë votën tuaj është e dyfishtë; në njërën anë, për atë që kemi bërë e në anën tjetër, për atë që do të bëjmë.
Sot në Kosovë, në aspektin socio-ekonomik, kulturor, të sigurisë, të sovranitetit, të tërësisë territoriale, kurrë nuk ka qenë gjendja më e mirë dhe kurrë nuk kemi pasur përmirësim më të madh të gjendjes, se në këto katër vite që qeverisim ne.
E kemi gjetur ekonominë me më pak se 7 miliardë e tash i ka më shumë se 10 miliardë. Eksportet vitin e kaluar kanë kalu 1 miliardë, të hyrat tatimore kanë kalu 3 miliardë. Ndërkaq, edhe investimet e huaja direkte janë rritur më shumë sesa 130%. Gjatë mandatit tonë, kemi pasur investime të huaja direkte afër 700 milionë euro, ndërkaq para nesh, në baza vjetore natyrisht, mesataren nuk e kanë pas as 300 milionë euro. Pra, një rritje prej më shumë se 2.3 herë.
Dhe jo vetëm kaq, rritja jonë ekonomike ka qenë e tillë që e ka shtu punësimin. Prej 350 mijë të punësuarve që i kemi gjet në pranverën e vitit 2021, tash që po flasim janë 430 mijë apo rritje gati 23%. Dhe kjo rritje e punësimit është shprehur më së shumti tek gratë dhe tek të rinjtë, se ky ka qenë synimi ynë: gratë dhe të rinjtë të punojnë sa më shumë, cep më cep Kosovës.
Me programin Superpuna për të Rinjtë, kemi dhënë pagën minimale për të gjitha të rejat dhe të rinjtë që duan të punojnë, prej moshës 18 deri në 29 vjeç. Dhe pagën minimale e kemi gjetur 130 euro ose 170 euro, varësisht a je nën 35 apo mbi 35 vjeç dhe tash e kemi bërë 350 euro, e në mandatin e ardhshëm paga minimale do të bëhet 500 euro.
Ndërkaq, programin Superpuna për të Rinjtë do ta zgjerojmë edhe në një program të ri, Superpuna për Gratë. Pra, gratë të cilat duan të punojnë në sektorin privat, në ndërmarrje të ndryshme, për gjashtë muaj si bonus, a si prind, do ta marrin pagën minimale mbi pagën që ua jep punëdhënësja ose punëdhënësi.
Gjithashtu, në mandatin që po e përmbyllim ngadalë, por sigurtë, kemi shtuar jashtëzakonisht shumë investimet në bujqësi, në arsim, në shëndetësi edhe në mbrojtje e siguri.
Ta zëmë, në bujqësi para katër viteve, e mbaj mend që çmimi i qumështit me të cilin blegtorët e jepnin ka qenë 18 cent të euros. Një litër qumësht ka qenë 18 cent për pika grumbulluese. Dhe a e dini çfarë bëmë ne para katër viteve? Premtuam që në mandatin tonë do të bëhet 28 cent për litër. A e dini sa është sot? 45 cent për litër, 7 cent prej tyre i jep Ministria e Bujqësisë, Pylltarise dhe Zhvillimit Rural.
Nuk po e krahasoj me vitin pandemik, meqënëse ka pas tkurrje ekonomia dhe çdo sferë e jetës dhe e zhvillimit, por me vitin parapandemik 2019, toka që është punuar, lëvruar, mbjellur, korrur në vitin e kaluar, është 50% më e madhe sesa ajo në vitin 2019. Diçka mbi 81 mijë hektarë i kemi pas të punuar në vitin 2019, në vitin e kaluar mbi 121 mijë hektarë të tokës tone, cep më cep Republikës.
Buxhetin për arsim e kemi rrit për afër 30%. Dhe jo vetëm kaq, e kemi bërë falas në nivelin universitar edhe për Bachelor, edhe për Master. Universiteti i Prishtinës ka përparuar për mbi 400 vende në Webometrics, në ranglistën botërore. E kemi gjetur në vendin 3009, tash është më mirë se 2600. Por, është interesante që të gjitha universitetet publike anembanë Kosovës kanë bërë përparime të mëdha me mijëra vende në rangim përpara. Dhe bursat për studentë, sidomos për vajza studente, por jo vetëm, kanë qenë në fokus tonin, mbi 11 mijë bursa me mbi 15 milionë euro, në mënyrë që sa më shumë rinia jonë të mësojë, të studiojë, të kualifikohet edhe për ngritje në karrierë, edhe për dinjitet personal, edhe për pasurim intelektual e shpirtëror, por edhe për ekonominë e vendit tonë.
Gjatë këtyre katër viteve, 36 milionë euro, 65 çerdhe janë ndërtuar, renovuar ose adaptuar, por nuk ka kërkesa të komunave që nuk i kemi trajtuar. Ne komunave çerdhet për fëmijë me zor nuk mundemi me ia dergu. Sistemi i arsimit në Kosovë nuk është i centralizuar si në Shqipëri. Drejtori i Arsimit është shumë i rëndësishëm në komunë. Prandaj, kërkesa të patrajtuara nga komunat për çerdhe nuk ka. 65 çerdhe i kemi ndërtuar për katër vite me 36 milionë euro, e ata para neve për 17 vite me 1.2 milionë euro veç 4 çerdhe. Ka komuna ku ne i kemi ndërtuar më shumë çerdhe për një mandat katër-vjeçar sesa ata në krejt Kosovën për 17 vite.
Por, jemi të vetëdijshëm që nuk mjaftojnë çerdhet. Ka fshatra ku nuk do të ketë çerdhe. Si t’ia bëjmë aty? Si t’ia bëjmë aty që të punojnë gratë edhe në ato fshatra? E kemi marrë modelin e Suedisë, jemi vendi i dytë në Evropë që në mandatin tonë të ardhshëm do ta kemi një shtesë prej 100 euro pensioneve të gjysheve dhe gjyshërve, të cilët do të kujdesen për fëmijë prej moshës 1-3 vjeç, atëherë kur të dy prindërit iu punojnë atyre.
Në mbrojtje dhe në siguri kemi investu më së shumti. Janë mbi 2500 zyrtarë të rinj policorë, prej të cilëve rreth 8% janë serb, rreth 6% janë të pakicave të tjera. Dhe njëkohësisht, buxhetin për ushtri e kemi shtuar si askush tjetër asnjëherë më parë. 2018-2020 për armatim edhe për municion as 4 milionë euro nuk janë dhënë, ndërkaq, gjatë qeverisjes sonë mbi 319 milionë euro, për katër vite janë 630 milionë euro për mbrojtjen, për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Dhe jo vetëm kaq, e kemi dyfishuar numrin e çizmeve në tokë, e kemi hequr tavanin prej 5 mijë pjesëtarëve të FSK-së dhe e kemi rritur moshën prej 23 vjeç deri në 25 vjeç, e kemi bërë për të gjithë ata të cilët do të rekrutohen në vijim, dhe unë i ftoj të gjitha vajzat e djemtë e Kosovës që sa më shumë të aplikojnë për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Synimi ynë është që në fund të mandatit të ardhshëm t’i kemi 1 mijë vajza ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ndërkaq, në mandatin e ardhshëm do të kalojmë prej 630 milionë euro, që i kemi pas deri tash për mbrojtjen, në 1 miliardë euro për ushtrinë e Republikës së Kosovës. E këtu, përveç asaj që tashmë e kemi thënë, domethënë dronat Bayraktar luftarak TB2 nga Turqia, pastaj sistemin antitank Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe helikopterat ‘Black Hawk’ apo ‘Skifteri i Zi’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjthashtu do të kemi edhe fabrikë të municionit dhe drona që i prodhojmë vetë ne, ‘Made in Kosova’.
Pra, 1 miliardë për mbrojtje, por gjithashtu edhe mbi 1 miliardë për investime kapitale në vit. Në vitin që shkoi kemi pas rekord 654 milionë euro, para asaj po ashtu rekord 2023-shin 561 milionë euro. Pra, ne nuk kemi thyer më rekordet e atyre para neve, por kemi thyer rekorde të vetvetes tonë. E në mandatin e ri, nuk do të kemi vite me shpenzime kapitale, investime kapitale nën 1 miliardë euro, por do t’i kemi edhe 1 miliardë euro gjatë mandatit për prodhimtari, përkatësisht për mbështetje kreditore të mëdha e të mesme për të gjitha ndërmarrjet prodhuese, sepse ne e kemi të domosdoshme të prodhojmë sa më shumë, të mos jemi veç popull konsumator, por të jemi popull prodhues.
Raportin eksport-import e kemi gjetur 1 me 9, e kemi bërë 1 me 6, kemi me e bë 1 me 5, 1 me 4, 1 me 2, 1 me 1, pse jo një ditë edhe 2 me 1.
Vetëm në Brezovicë do të investojmë gjysmë miliardi euro, partneritet publiko-privat. Kjo tashmë është e mundur, sepse Republika e Kosovës e ka fiskalizuar dhe e ka marrë Brezovicën nën kontroll. Para neve e ka kontrollu Beogradi.
Buxhetin për Listën e Barnave Esenciale e kemi rritur nga 24 milionë euro sa e kemi gjetur, në afër 70 milionë euro, pra gati trefishim i buxhetit për barnat esenciale. Kemi shtu edhe barna të reja. Ndërkaq, këtë 70 milionësh në mandatin e ri e bëjmë 100 milionë euro. Për herë të parë do të kemi edhe listën e rimbursueshme të barnave jashtëspitalore, mbështetje kjo shtesë për shpenzimet e qytetarëve, si dhe 6 poliklinika specialistike në 6 komuna, përfshirë edhe njërën në Drenas, që është në kuadër të rajonit të Prishtinës.
Do ta themelojmë edhe Fondin e Sigurimeve Shoqërore për mbulimin e pagesës për pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, si dhe në rast të humbjes së vendit të punës, që të ketë një rrjetë sociale të sigurisë për punëtoret.
Tash, nga janari pensionet me rritje kanë filluar t’i marrin edhe kategoritë e dala nga lufta, e po nga muaji janar edhe mbi 80 mijë zyrtarë të shtetit, shërbyes civilë, e marrin rrogën me rritje, e cila do të rritet përsëri edhe për 55 euro të tjera, në korrik sivjet.
Qeveria jonë është e vetmja qeveri, e cila brenda një mandati i rrit tri herë rrogat në sektorin publik dhe e ngren pagën minimale në sektorin privat dy herë. Pra, nga 130 e 170 në 265, nga 265 në 350, e po e ritheksoj, në mandatin e ardhshëm, nga 350 në 500 euro, me ç’rast nuk tatohet paga minimale, që do të thotë që kushdo që ka biznes të vogël nuk i tatohen të ardhurat, deri në 500 herë 12, 6 mijë eurot e para. Pra, nuk i tatohen fare bizneseve të vogla këto të hyra, që me siguri do të jetë një stimulim shumë i mirë për bizneset e vogla familjare, që janë kurrizi i ekonomisë së vendit tonë.
Po ashtu, pensionistët i kanë marrë edhe 5 pensione të trembëdhjeta gjatë katër viteve, me ç’rast përfitues në përgjithësi me këtë skemën tonë pensionale janë mbi 300 mijë qytetarë të Republikës. Tash e kemi edhe regjistrimin e popullsisë, do të bëjmë planifikime, analiza dhe shumë më të mira sesa në të kaluarën.
Vendin do ta bëjmë me një valutë digjitale të bazuar në blockchain, e krijuar nga shteti e që do të përdoret për pagesa. Në kryeqytet do ta ndërtojmë një ICT Tower ose Tech Tower, një kullë Tech, të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, që me siguri është lajm i jashtëzakonshëm për të gjithë njerëzit e sektorit, por edhe për ekonominë tonë e financat në përgjithësi.
Do ta heqim atë taksën doganore prej 10% të veturave nga Bashkimi Evropian dhe kufizimin 10-vjeçar për veturat që importohen prej jashtë. Në vend të tij kriteri do të jetë ai i emetimit të gazrave. Pra, jo vetëm ashtu paushall 10 vjet po sa e dëmton ambientin një veturë e caktuar, e jo sa formalisht është vjetërsia e saj. Pra, kriteri Euro 5 është ai i cili do të jetë përcaktues.
Për transportin publik e kemi programin Anembanë Kosovës. Me 10 euro biletë të integruar mujore do të mund të udhëtojnë anembanë Kosovës, të gjithë qytetarët me transport publik. Do ta nisim me trafikun urban, për të vazhduar me atë ndërurban, sepse një shtet është i zhvilluar jo sepse qytetarët mund të blejnë vetura të mira për vete, por për shkak se kanë transport publik të mirë për të gjithë pa dallim.
Në qendrën e studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të ndërtojmë një konvikt të ri dhe tri salla të reja për bibliotekë universitare, brenda qendrës së studentëve.
Në Prishtinë do ta dyfishojmë kapacitetin e mbulueshmërisë së ngrohjes qendrore, kurse në dy komuna të mëdha, në Ferizaj dhe në Gjilan do të ndërtojmë ngrohtore të re.
Fillimi i ndërtimit të hekurudhës Prishtinë-Durrës, që e lidh Portin e Thatë të Prishtinës me Portin e ri të Durrësit, do të jetë në fokus të qeverisjes sonë, sepse mandati i ardhshëm është mandat i hekurudhave, dhe ku asnjëherë nuk do të harrojmë edhe përfundimisht, linjën 10 prej Hanit të Elezit në Leshak, duke kaluar në Fushë-Kosovë dhe në Mitrovicë. Pra, cep më cep, vertikalja Gryka e Kaçanikut me Grykën e Leposaviqit, t’i lidhim me hekurudhë.
Do ta ndërtojmë edhe Teatrin e Operës dhe Baletit, ndërkohë që do të vazhdojmë të modernizojmë objektet kulturore ekzistuese, si dhe të vazhdojmë mbështetjen për skenën e pavarur kulturore, përfshirë statusin e artistit të pavarur.
Do ta themelojmë edhe Gjykatën për Çështje Familjare, që përfshin çështje të pronësisë, trashëgimisë, dhunës në familje, të shkurorëzimeve dhe të alimentacionit dhe Prokurorinë e re Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në mandatin e tretë e bëjmë Prokurorinë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Vetingun në Sistemin e Drejtësisë, me reforma të thella, sepse nuk mund të bëjmë zhvillim çfare po bëjmë, ku jo vetëm po rritet ekonomia, por po rriten edhe mundësitë për t’u rritur më tej, pa e pasur një sistem të drejtësisë i cili është i drejtë, efikas, i ndershëm, me integritet, me profesionalizëm e me kompetencë. Pra, neve e kemi të domosdoshme një gjë të tillë dhe unë jam i bindur që pas 500 mijë votave më 9 shkurt, nuk ka send që na ndal me drejtu drejtësinë.
Por, ju e dini që unë këtë nuk mund ta bëj vetëm, nuk mund ta bëj as Qeveria vetëm, na duhet i gjithë populli, na duhen 500 mijë vota në një referendum të 9 shkurtit, e për këtë do ta keni para jush listën me 110 kandidatë të të gjitha profileve e profesioneve, nga të gjitha vendbanimet, të të dy gjinive e të të gjitha moshave. 41 gra i kemi në listë, që është më shumë sesa kushdo tjetër, kurdoherë më parë, përfshirë edhe neve vetë në zgjedhjet e fundit parlamentare të shkurtit të vitit 2021.