05 11 2022

6 vjet pa shokun tonë më të dashur, aktivistin, studentin, patriotin shembullor Astrit Dehari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministra dhe shumë deputetë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe familjarë, sot kanë bërë homazhe duke vendosur lule të freskëta te varri i Astrit Deharit i cili u vra 6 vjet më parë në burgun e Prizrenit ku po mbahej në paraburgim pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, dhe pa u marrë në pyetje për 68 ditë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka në zemër Astritin ashtu siç Astriti e kishte gjithmonë Lëvizjen VETËVENDOSJE! në zemër. Shembulli i punës dhe veprimtarisë së Astritit është ilustrim për secilin aktivist prej meje si kryetar e deri te ata që janë nëpër pika tona anembanë Kosovës e në diasporë, tha Kryeministri Kurti në prononcimin e tij para mediave.

“Astrit Dehari është aktivisti i Lëvizjes i cili nuk shuhet kurrë dhe i cili na bën që ne t’ia përkujtojmë vetes rrugën që kemi ndjekur për të ardhur këtu por edhe drejtimin që duhet të vazhdojmë ta mbajmë për të shkuar atje ku duhet për të mirën e shtetit, popullit, shoqërisë e të kombit tonë.”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kërkoi që prokuroria ta bëjë punën e saj pa vonesa në lidhje me rastin e Astritit. Neglizhenca ndaj këtij rasti është e papranueshme, nëse prokurori nuk e kryen punën e vet atëherë ai duhet të ndërrohet.

“Rasti Dehari është rasti më i rëndë në Kosovën e pasluftës pasi një aktivist politik me akuza të mveshura është mbajtur në paraburgim prej ku edhe nuk doli i gjallë. Si ministri e Drejtësisë të gjitha kompetencat që ndërlidhen me këtë rast i kemi përfunduar. Siç jeni në dijeni kemi suspenduar tre zyrtarë, kryeinspektorin e inspektoratit në ministrinë e Drejtësisë dhe dy zyrtarë që kanë pasë përgjegjësi gjatë kohës sa ka ndodhë ky rast. Raportin të cilin e ka përgatitur inspektorati ne e kemi dërguar në zyrën e Kryeprokurorit të shtetit dhe pastaj jemi njoftuar që i njëjti ka mbërritur te Prokurori Special që është duke hetuar këtë rast. Prokuroria duhet ta bëjë punën e saj pa vonesa sepse duhet të ketë Drejtësi për Astritin. Unë si ministre e Drejtësisë e kërkoj por edhe e gjithë shoqëria e kërkon këtë drejtësi”, tha ministrja Haxhiu.

Kontribo