8 marsi: Barazi në institucione, në punë dhe në pronë
Për ditën ndërkombëtare të gruas, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një aksion simbolik, me ç’rast në muret e institucioneve aktivistet e lëvizjes shkruajtën parullën, “Barazi në institucione, në punë dhe në pronë”. Parulla synon të theksojë pabarazinë e madhe shoqërore në vendin tonë ku gruaja është shumëfish më e shtypur.
Në Republikën e Kosovës ekziston Ligji për Barazi Gjinore, por të drejtat që burojnë nga ky ligj kanë mbetur për më shumë se një dekadë vetëm në letër. Në Kosovë gruaja është e larg instuticioneve, larg punës dhe larg pronës. Shoqëria jonë është larg barazisë dhe aspirata për të ka mbetur e huaj për shtetin tonë. Shteti ynë po etablohet si i pabarabartë.
Asambleistja e Lëvizjes në Gjilan, Arbëresha Kryeziu u shpreh në komunikatën për aksionin se, “prania e gruas në institucionet e Kosovës është krejt simbolike. Jo rrallë kjo prani është mbulesë e shëmtuar për shtypjen që i bëhet grave dhe vajzave. Madje gjoja-përfaqësimi bëhet edhe për të çuar përpara projekte të dëmshme si për shoqërinë ashtu edhe për vetë gruan. Ç’kuptim ka të flasësh për praninë ose jo të grave në delegacione, komisione e borde kur ato ndërtohen me misionin për negociata pa kushte, për privatizimin e aseteve publike, ose për krijimin e privilegjeve të reja për padronët e vjetër”.
Aktualisht, rreth 82% e grave janë të përjashtuara nga ekonomia e vendit. As në ambientin e shoqërisë civile dhe në institucionet publike gratë e vajzat nuk janë ende sa dhe si duhet pjesëmarrëse. Ekziston po ashtu edhe Ligji për Trashëgiminë, por në shoqërinë tonë vetëm rreth 4% e grave kanë pronë të trashëguar. Kjo nuk është vetëm simptomë e kulturës mbizotëruese. Mbi të gjitha është plaçkitje që tolerohet me vetëdije nga Noteri deri te sistemi i lartë i drejtësisë.
Ligji si i tillë, pavarësia formale dhe niveli i përfaqësimit nuk po mjaftojnë. Na duhet pjesëmarrje e vrullshme dhe e madhe për barazi dhe drejtësi. Këto qeverisje të djathta neoliberale janë në shërbim të thellimit të pabarazisë. Njeriu në përgjithësi dhe gruaja në veçanti janë reduktuar në mjet në shërbim të kapitalit të grupeve parapolitike. Ata akumulojnë pasurinë, ndërsa qytetarët akumulojnë mllefin e mjerimin. Kjo është dhunë që e lë shoqërinë të varfër me gruan pa punë, pa pronë, në shtëpi dhe të dhunuar fizikisht.
Pa riorientim rrënjësor të sistemit socio-ekonomik ndryshimet formale drejt realizimit të të drejtave të gruas mbeten mbulesë e dëmshme dhe mirëmbajtje e pabarazisë gjinore. Pa gruan e barabartë nuk mund të ketë Republikë.