9 Maji – Dita e Evropës
71 vite më parë, më 9 Maj 1945, në kontinentin e Evropës përfundoi lufta më e përgjakshme që kishte parë njerëzimi ndonjë herë – lufta kundër nazifashizmit. Kjo datë shënon triumfin e rezistencës popullore kundër makinerisë vrasëse; të emancipimit kundër errësirës ideologjike të nazifashizmit; të popujve kundër perandorisë; të barazisë kundër shfrytëzimit.
5 vite më pas, po më 9 Maj 1950, u lidh marrëveshja e parë midis Gjermanisë Perëndimore dhe Francës për bashkimin e industrive të çelikut dhe thëngjillit, për të vazhduar pastaj me marrëveshje tjera ekonomike, dhe krahas kësaj zgjerimin e shteteve nënshkruese. Bashkimi Evropian që njohim sot kështu kishte filluar, ndaj 9 Maji është sot dita e Evropës.
Projekti i Evropës së bashkuar kishte parakusht barazinë midis popujve, dhe lirinë e tyre për t’u bashkuar vullnetarisht në projektin e përbashkët. Prandaj, 9 Maji 1950 s’do të ishte i mundur pa 9 Majin e vitit 1945, ditën e fitorës kundër fashizmit.
Paqja e qëndrueshme në Evropë, sot të bashkuar por historikisht në luftë, ka në themel dy shtylla të forta: barazinë mes shteteve dhe qytetarëve të atyre shteteve; paprekshmërinë e kufijve të këtyre shteteve. Vetëm duke e njohur njëri tjetrin në mënyrë reciproke dhe si të barabartë, dhe vetëm duke ia njohur kufijtë shtetëror si të pacenueshëm, u bë i mundur projekti për bashkëpunim reciprok mes shteteve në të mirë të të gjithëve.
Bashkimi Evropian natyrisht se ka evoluar politikisht, ekonomikisht e në aspektin social. Por BE nuk do të ishte e njëjtë nëse do të devijonte nga parimet bazë që themelojnë vlerat politike të saj. Këto vlera nuk duhet të jenë të zbatuara dhe të zbatueshme vetëm brenda BE-së, por edhe të promovohen jashtë saj.
Është thellësisht antievropiane që sot t’i kërkohet Kosovës ndarje e brendshme në vija etnike, pabarazi të qytetarëve sipas përkatësisë kombëtare, të dyja këto që rrjedhin nga ‘Zajednica’. Është në kundërshtim flagrant me 9 Majin 1945 ky paqëtim, përmes koncesioneve, i politikës shoveniste të qeverisë në Beograd.
Siç është në kundërshtim flagrant me parimet bazë të Evropës së bashkuar të insistohet që Republika e Kosovës ta zbatojë Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe kështu të heq dorë nga mbi 8200 hektarë të territorit të vet.
Projekti evropian u bë model për shtetet jashtë tij, pikërisht sepse ishte sinonim i lirisë dhe të drejtave, barazisë e solidaritetit, zhvillimit e jetës së mirë. Janë këto vlerat evropiane që duhet afirmuar përkundër erërave të këqija që sot po i fryjnë ksenofobisë, përjashtimit e ndarjeve.
9 maj 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!