SHTETI SOCIAL

Republika është barazi. Barazinë e ka pikënisje: të gjitha qytetarët në të, pa kurrfarë dallimi, janë të barabartë. Ajo po ashtu ndërton mekanizma që garantojnë këtë barazi, vazhdimisht dhe pafundësisht. Kështu Republika barazinë e ka pikësynim.

Barazia nuk është thjeshtë barazi në shanse. Individualisht, dhe në aspektin grupor (qoftë ky i përkufizuar nga vendbanimi, shtresa shoqërore, përgatitja shkollore i prindërve e familjarëve, zakonisht të tria të ndërlidhura), ne i nënshtrohemi kushteve dhe rrethanave të ndryshme objektive. Ato natyrisht se janë të determinuara nga një zhvillim i ndryshëm historik. Si rrjedhojë, Republika angazhohet në përmirësimin produkteve të ndryshme të rrethanave të ndryshme.Republika angazhohet për barazi në rezultate. Republika është vetëm atëherë kur ajo bëhet barazi e mirëqenie për qytetarin.

Mirëqenia sociale nuk është një mekanizëm. Ajo është pjesë përbërëse e secilës politikë të Republikës. Ajo para së gjithash dhe mbi të gjitha bazohen në një shpërndarje të barabartë të pasurisë dhe e kushtëzon atë. Barazia në rezultate, në funksion të rritjes së mirëqenies dhe barazisë së gjithëmbarshme, nënkupton që ata që fitojnë më shumë dhe që jetojnë në kushte më të mira, ta bartin një përgjegjësi më të madhe karshi të mirës së përgjithshme. Sepse kushtet e mira të jetesës dhe mundësia më e madhe për të krijuar të ardhura më të mira familjare janë prodhim i po kësaj të mire të përgjithshme: këto vijnë nga pasuria e përgjithshme e cila është krijuar, akumuluar, mirëmbajtur dhe funksionalizuar nga një punë e bashkuar shoqërore. Pjesëmarrja e barabartë në pasurinë e përgjithshme është parakusht i kohezionit shoqëror. E shoqëria kohezive është parakusht i krijimit të pasurisë së përgjithshme, e si rrjedhojë edhe asaj individuale.

Shkarko të plotë Alternativën për Shtetin Social

Mirëqenia, si rishpërndarje e pasurisë, përveç drejtësisë dhe barazisë sociale, e ka edhe racionalen e vet ekonomike. Ajo e mundëson dhe funksionalizon kërkesën agregate të përgjithshme. Është ekonomi që merr për bazë mbikëqyrjen dhe nxitjen e kërkesës, e jo vetëm ekonomi e ofertës. Sepse nuk mund të ketë ekonomi pa kërkesë, siç nuk mund të ketë Republikë pa shoqëri.

Republika për të qenë, duhet të bëhet shtet social. Ky shtet social është shtet i popullor: sepse është shtet që i shërben pikërisht atyre shtresave shoqërore që e kanë më së shumti në nevojë. Ky shtet punon që t’i punësojë të papunët, t’ua mbrojë të drejtat punëtorëve të pambrojtur, t’ua ofrojë arsimin e shëndetësinë të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, t’ua shpaguajë dhe mirënjoh pensionistëve kontributin për shoqërinë. Ky shtet e siguron shoqërinë, e zhduk dallimin, margjinalizimin e shtypjen, e barazon gruan, e nxjerrë nga mjerimi të varfrin, dhe u garanton qasje në të mirat sociale të gjithëve. Këtë e bën Republika dhe kështu bëhet Republika.

Shkarko Alternativën e plotë qeverisëse

Kontribo