Fjala e Kryetarit, Albin Kurti në mbledhjen e XXXIV-të e Këshillit të Përgjithshëm:
Mirëdita aktivistë të dashur, të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Ua uroj mirëseardhjen në këtë mbledhje të organit tonë më të lartë, e i përshëndes edhe gazetarët që janë këtu sot për ta përcjellë këtë aktivitet tonin.
Kjo mbledhje është shumë e rëndësishme. Ajo po mbahet në një moment të mirë për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe në një moment të vështirë për shtetin e Kosovës. Moment i mirë për Lëvizjen tonë sepse është moment i konsolidimit të brendshëm organizativ si dhe kohë e rritjes së mbështetjes popullore për VETËVENDOSJE!-n. Në njërën anë, është shtuar vazhdimisht anëtarësia jonë dhe kemi mbajtur zgjedhje të brendshme në 16 qendra për kryetarë degësh, me ç’rast në tetë prej tyre ka pasur garë me kundërkadidatë. Në anën tjetër, sondazhet tregojnë edhe për mbështetje popullore të madhe, edhe për rritje të vijueshme të kësaj mbështetjeje. E, këto dëshmojnë se ne jemi në rrugën e drejtë e të duhur në të cilin po ecim përherë e më shpejt.
Por kjo mbledhje është e rëndësishme edhe për faktin se – fatkeqësisht – Kosova është duke kaluar një moment të vështirë politik. Një udhëheqësi e kapur dhe e kriminalizuar, në majë të së cilës qëndron presidenti Thaçi, po e nxjerr në shitje territorin e Kosovës për të fituar paprekshmëri vetjake. Ne këtë nuk mund ta lejojmë dhe nuk do ta lejojmë. Ata po e sjellin punën që shqiptarët prapë të largohen nga trojet tona kombëtare, ku jemi autoktonë. Por këtë gjë, e kemi detyrë historike e kombëtare, detyrë qytetare e njerëzore, që ta ndalojmë, që ta parandalojmë.
Situata politike është aso që ka nevojë për pjekuri dhe forcim të organizatës, dhe disiplinim të aktivistëve, sepse në ditët e javët e ardhshme do të vendosemi në krye të një procesi protestash qytetare e paqësore, për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë.
Ju i keni parë disa analistë që njihen si shërbëtorë mediatikë të regjimit, se si ditët e fundit po e paraqesin opsionin e shkëmbimit të territorit me Serbinë, apo të korrigjimit të kufijve, si një alternativë më të mirë se sa ‘Zajednica’. Më në fund, edhe këta njerëz të Thaçit po e pranojnë atë që ne kemi thënë gjithnjë, që ‘Zajednica’ e defunksionalizon dhe e bosnjëzon Kosovën.
Mirëpo, duke u thirrur te ndalimi i ‘Zajednicës’, këta që vetë na e sollën ‘Zajednicën’, po na thonë se duhet t’i japim Serbisë veriun, për të marrë ndonjë pjesë të vogël të territorit në Kosovës Lindore.
Arsyeja pse duan ta japin veriun është për shkak se atë pjesë po e kontrollon Serbia. Pra, edhe këtë gjë që ne e kemi thënë prej vitesh, sot po na e pranojnë. Por, pse po e kontrollon Serbia veriun? Kush i ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në veri? Kush e ka lejuar dhe e ka favorizuar kontrabandën në atë pjesë të Kosovës, madje edhe duke bashkëpunuar me ta në biznese të paligjshme? Kush e ka lejuar kontrollin e asaj pjese të Kosovës prej kriminelëve të armatosur, për vite me radhë? Kush ka negociuar me ata kriminelë për koalicione zgjedhore e qeveritare në Prishtinë? Kush e ka lejuar, pra, kontrollin e Kosovës nga biznesmenët e kontrolluar prej Beogradit? Pikërisht këta qeveritarë me në krye Hashim Thaçin. Madje këta i kanë amnestuar kriminelët në veri para pesë vjetëve dhe i kanë lejuar e inkurajuar kriminelët të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës, duke i bërë bile edhe policë. Kanë bërë fond zhvillimor për veriun. Kosova s’ka fond zhvillimor, por ajo e ka bërë një të tillë për veriun. Kinse për të integruar veriun. Ne iu kemi thënë edhe atëherë, që Kosova nuk duhet të lëshojë pe përballë kriminelëve. Se nuk ka integrim me privilegje por veçse me barazi. Por, kur pushteti sundohet nga kriminelët, sigurisht që shteti lëshon pe përballë kriminelëve.
Thaçi na i solli dy të këqija të mëdha dhe sot na thotë zgjidhni njërën. Ose ‘Zajednicën’, ose shkëmbimin e territoreve. Kjo është si ta marrësh njeriun e shëndoshë e t’i thuash zgjidh, a po don me ta pre dorën apo këmbën? Asnjërën nuk duam me na i pre! I duam të gjitha gjymtyrët, na duhet edhe dora edhe këmba. Nuk është luks të duash të ruash gjymtyrët e tua. Prandaj ky shantazh i dyfishtë është i papranueshëm. Serbia nuk ka të drejtë të kërkojë që Kosovës t’i pritet ose këmba ose dora, dhe, Hashim Thaçi e të tjerët nuk kanë të drejtë të negociojnë se a duhet të pritet dora apo këmba. Kosovës i nevojitet dhe i takon veriu i saj. Madje 115 shtete kanë thënë që veriu i Kosovës i takon shtetit të pavarur të Kosovës. Kurse Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë bërë edhe referendum edhe luftë për t’u bashkuar me Kosovën, mirëpo, ky që tash është president, në dy mandate si kryeministër dhe në një tjetër si ministër i jashtëm, nuk e ndihmoi Kosovën Lindore aspak me buxhet shteti dhe nuk e ngriti asnjëherë çështjen e tyre në Bruksel.
Nëse duhet të ketë bisedime me Serbinë, ato duhet të jenë parimore, dhe t’i shërbejnë përparimit dhe demokratizimit në të dyja vendet. Ato duhet të bazohen tek njohja e Kosovës dhe pranimi, kërkimfalja dhe dëmshpërblimi për krimet e luftës. Sepse, bisedimi me Serbinë pa njohje të Kosovës e pa pranim të krimeve të luftës, e forcon në Serbi faktorin anti-shqiptar, ultranacionalist e shovinist. Ne e kemi në dorë ta mbrojmë jo vetëm vetveten nga Serbia, por edhe Evropën nga Serbia. Sepse ne e kemi në dorë që ta detyrojmë Serbinë të ndryshojë veten para se të anëtarësohet në BE. Me bisedimet e Thaçit është forcuar rryma çetnike në Beograd dhe Serbia e atillë ka avancuar drejt BE-së. Në Serbi përdoren proceset gjyqësore për t’i rehabilituar çetnikët dhe nazifashistët: një herë u rehabilitua Drazha Mihajloviq e tash edhe Milan Nediq. Gjykatat e bëjnë anën juridike dhe politike të punës, ndërkaq kisha ortodokse atje e bën anën ideologjike dhe shpirtërore.
Dhe kjo ka qenë një nga pasojat e strategjive të dështuara të Thaçit në dialogun me Serbinë. Ai e ka forcuar dhe po e forcon faktorin ultranacionalist në Serbi. Me lëshimet që i ka bërë, Thaçi e ka shfajësuar ndërkombëtarisht Aleksandër Vuçiqin, i cili ka qenë ministër i Milosheviqit në kohë të luftës. Aq shumë është forcuar Vuçiq sot në Serbi, sa pothuajse nuk ka më opozitë. A është kjo ajo që duam ne? Një Serbi e cila qeveriset nga bashkëpunëtorët e Millosheviqit? Ministri i Jashtëm serb është ish-zëdhënës i partisë së Milosheviqit. Ministri i Mbrojtjes serb është ish-zëdhënës i partisë së gruas së Milosheviqit. E pra, një Serbi e cila qeveriset nga bashkëpunëtorë të Milosheviqit këtë e ka ndihmuar pikërisht Thaçi. Ne jemi një forcë e majtë. Jemi socialdemokratë. Ne jemi të interesuar që edhe në Serbi të qeverisin forca demokratike e sociale e progresiste, dhe jo forca shoviniste që rehabilitojnë kriminelët e luftës. Vetëvendosja në pushtet nuk do ta forconte Vuçiqin, por do të gjendte dhe do të ndihmonte forca progresive në Serbi, që e duan reciprocitetin dhe nuk duan të mbeten peng të së shkuarës.
Këta po na thonë se po diskutojnë për të mirë të shqiptarëve të Luginës, mirëpo ndryshimi i kufijve e dëmton rëndë Luginën, sipas mënyrës së tyre. Ne e dimë se kështu siç po flitet, për faktorë demografikë etnikë, pa përmendur të drejtat historike e pronësore, shqiptarët dalin të humbur. Po të jetë vetëm për demografi, shumicën e shqiptarëve të Luginës tashmë Serbia e ka përzënë dhe ata jetojnë në Kosovë, ose në mërgatë. Pa u llogaritur edhe ata që janë shpërngulur nga Lugina, atëherë ne e humbim Medvegjën, sepse aty shqiptarët aktualisht janë pakicë, edhe pse kanë prona dhe dikur kanë qenë shumicë. Po ashtu, është bërë e qartë nga Serbia se ata nuk do të lejojnë të preket territori matanë autostradës e hekurudhës, që ata e konsiderojnë të jetë strategjike meqë e lidh Beogradin me Shkupin, Sofjen, Stambollin e Athinën. Kjo do të thotë që një numër i madh i fshatrave në komunat shqiptare, të cilat janë në të dyja anët e autostradës, nuk do të lejoheshin t’i bashkoheshin Kosovës. E pra, a e kuptoni çka do të thotë kjo? Që sipas parimit demografik dhe duke mos lejuar afrimin te autostrada e hekurudha, Serbia ka mundësi që të lejojë vetëm qytetin e Preshevës, fshatin e Tërrnocit e Konçulit, që të bashkoheshin me Kosovën. Dikush mund të thotë se edhe kjo është fitore, sepse të paktën merr diçka, mirëpo kjo është humbje e madhe. Territoret e tjera shqiptare do të detyroheshin të shndërroheshin në minoritet të papërfillshëm, do të humbnin të drejtat e tyre politike e përfaqësuese, dhe shpejt do të spastroheshin prej shqiptarëve. Cilët janë ata që mendojnë se kanë të drejtën të bëjnë marrëveshje për spastrimin e shqiptarëve prej Medvegjës e prej qytetit të Bujanocit? Sa për Tërnoc e Konçul, Serbia sonte t’i jep, sepse ashtu shqiptarët ngelen pakicë në komunën e Bujanocit dhe në vend të Shaip Kamberit atje bëhet kryetar një serb i Vuçiqit mandej.
Ideja dhe diskutimi për shkëmbim territorial (që po quhet korrigjim kufiri) sjell veçse ndarjen e Kosovës dhe ndarjen e Kosovës Lindore. Ndarjen e Kosovës në lumin Ibër dhe ndarjen e Kosovës Lindore, përkatësisht veçimin e Preshevës nga Aksi A-10 dhe Bujanoci e Medvegja.
Nëse pranojmë një logjikë të tillë, çka do të bëjmë kur Maqedonia të ofrojë shkëputjen e Tetovës, Gostivarit e Kërçovës? A do të pranojmë spastrimin e Shkupit, Kumanovës, Strugës etj., sikur që është bërë me Ohrin e me Manastirin, por edhe më shpejt se aq? Kjo logjikë është antishqiptare dhe ne do ta luftojmë atë. Ajo çka i duhet Luginës dhe shqiptarëve atje, janë respektimi i të drejtave njerëzore e politike, ndihma institucionale dhe ekonomike, e Kosovës dhe e Shqipërisë, si dhe këmbëngulja për reciprocitet, që ata të kenë po aq të drejta sa serbët në Kosovë.
Ndryshimi në veri është në dëm të shqiptarëve, sepse falja e territorit në veri është shkatërrim përfundimtar i shpresave për bashkim të Mitrovicës dhe për kthim të shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Të mos harrojmë se shumë shqiptarë janë shpërngulur nga ajo që sot këta po e quajnë veri. Hashim Thaçi i ka mashtruar ata shqiptarë, i ka premtuar se do të kthehen atje qysh para 18 viteve. Prandaj ne themi se bëhet fjalë për një mashtrim të ri të një mashtruesi të vjetër. Dhe mos le të harrojmë se edhe sot në veri të Ibrit ka mijëra shqiptarë. A do të lejojmë spastrimin e tyre?
Ne duhet të angazhohemi në protesta për ta larguar Thaçin, për të ndalur shitjen e Kosovës që po bëhet për imunitet politikanësh nga gjykatat ndërkombëtare të imponuara prej vetë atyre. Jo të na i ndryshojë kufijtë një kriminel i cili është i shquar për dallavere me Serbinë dhe që na ka larguar edhe më shumë prej Shqipërisë gjatë qeverisjes së vet.
Duhet të angazhohemi për largimin e Thaçit sepse Thaçi sot është më i dobët se kurrë, prandaj po bën edhe marrëveshje më të këqija se kurrë ndonjëherë më parë.
Jemi edhe dëshmitarë që Prokuroria e Kosovës është bërë dhëmb i kalbur i republikës sonë. E qeveria është bërë qeveri e brejtësve që e gërryejnë buxhetin e shtetit dhe pasuritë e Kosovës. Ne nuk mund ta durojmë një president qyqe ndaj Serbisë dhe as një kryeministër zhvatës të buxhetit.
Ne duhet të angazhohemi për Republikën e Tretë, e cila do të jetë Republikë për zhvillim që sjell punësim, për drejtësi që ndalon korrupsionin. Ne duhet të angazhohemi për Aleancë Ballkanike me kroatët e me bullgarët, me Sarajevën, Podgoricën e Shkupin zyrtar kundrejt Serbisë çetnike dhe proruse, derisa ajo të mos jetë më as çetnike dhe as proruse. Ne duhet të angazhohemi për afrim, integrim e bashkim me Shqipërinë që kalon nëpërmjet federatës shqiptare. Vetëm kësisoj ne do të jemi në gjendje të punojmë edhe për zhvillim më të shpejtë ekonomik, edhe për mirëqenie më të lartë shoqërore, edhe për integrim e respektim të minoriteteve, edhe për të forcuar ushtrinë e kapacitetet mbrojtëse, edhe për të bashkëpunuar e ndihmuar aleatët tanë në synimet e tyre gjeopolitike.
Kjo është porosia ime sot: ta ndalim Thaçin, t’i afrohemi Shqipërisë.
Jo pazare me Serbinë, por Republikë e Tretë për Kosovën.
Jo pazare me Serbinë, por Aleancë Ballkanike karshi saj.
Jo pazare me Serbinë, por bashkim me Shqipërinë.
Ju falemnderit.