Në mbështetje të grevës së punëtorëve të shëndetësisë
Grupi parlamentar i Lëvizjes dhe ai i LDK-së mbajtën konferencë për media në lidhje me gjendjen në sektorin e shëndetësisë me fokus grevën e punëtorëve shëndetësorë. Në konferencë folën dy anëtarët e komisionit parlamentar për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, Nënkryetarja e Lëvizjes Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe deputeti i LDK-së Naser Rugova.
Deputetët bënë të ditur angazhimet e tyre mbështetëse si anëtarë të komisionit dhe si deputetë pas vizitës së këshillit të grevës së përgjithshme të organizuar nga Federata Sindikale e Punonjësve Shëndetësorë të Kosovës në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor dhe të këshillit grevist të mjekëve kirurgë me fillim sot në ora 7.00 të mëngjesit.
Ndërkohë prej 10 ditësh klinikat e kirurgjisë, janë në grevë të përgjithshme për të kërkuar rritjen e pagës siç e meritojnë por edhe ashtu siç u ishte premtuar nga qeveria në muajin shkurt.
Nga takimi me Këshillin grevist, deputetëve u është kërkuar specifikisht të bëjnë ç’është e mundur që të votohet ligji për paga me amendamentet e Komisionit në mënyrë që greva të ndërpritet.
Dy deputetët e Lëvizjes dhe LDK-së deklaruan se kanë marrë hapat procedurial me mbledhjen e nënshkrimeve që për këtë çështje të thirret një seancë e jashtëzakonshme që kërkesat të përmbushen menjëherë, pra të votohet projektligji me amendamentet e komisionit, greva të ndërpritet dhe qytetarët të marrin shërbimet jetike shëndetësore.
Qeveria që ia rriti 100 fish pagat vetes e pati sjellë projektligjin për pagat me klasifikim të turpshëm të koeficientëve.
Shumë të ndjeshëm për orët e punës së kabinetit të kryeministrit dhe ministrave dhe akull të ftohtë për kushtet, orët e punës, lodhjen, vitet e studimit e kualifikimit të kirurgëve, mjekëve specialistë, mjekëve familjarë, farmacistëve, stomatologëve, infermierëve, etj.
Kërkojmë pa vonesë adresimin e kërkesave të grevistëve.