26 12 2018

Rezolutë për shqiptarët që jetojnë në mërgim

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Duke e ditur se sidomos prej Rilindjes Kombëtare shqiptarët që kanë jetuar në mërgim kanë qenë një prej faktorëve kyç e të pazëvendësueshëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare, në luftën për çlirimin e vendit, në emancipimin shoqëror, në arsim, në ekonomi, në politikë e në çdo segment të zhvillimit shoqëror;

Të bindur se mërgata vazhdon ta luajë të njëjtin rol emancipues dhe kontribues edhe sot, duke kthyer në Kosovë shumëçka, përfshirë dije, përvojë dhe dërgesa monetare në vlerën e rreth gjysmës së buxhetit vjetor të shtetit;

Duke patur parasysh se më shumë se 1/3 e popullsisë së Kosovës jeton në mërgim, dhe se emigracioni ka prekur rëndë edhe të gjitha trevat shqiptare të rajonit;

Të shqetësuar që, përkundër gjithë kontributit të vazhdueshëm, shqiptarët në mërgim përjetojnë në vendin e tyre masivisht edhe diskriminim strukturor, ngarkesa të padrejta financiare dhe përjashtim nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga ligjet në fuqi, që ua reduktojnë në mënyrë drastike përfshirjen në proceset politike të vendit dhe angazhimin ekonomik e kulturor;

Marrë parasysh se shqiptarëve që jetojnë në mërgim u kanë ndodhur ndryshime të mëdha strukturore socio-ekonomike, dhe si pasojë është rritur nevoja për organizime më të frytshme në vendet mikëpritëse;

Të vetëdijshëm se integrimi i mërgatës në shtetet mikëpritëse nuk duhet të lejohet të kthehet në asimilim, që do të nënkuptonte zgjidhje individuale që shpie në tretjen e komunitetit të mërgatës;

Të bindur se gjuha shqipe është nyja që i mban mërgimtarët të përbashkuar dhe të lidhur me atdheun;
Të qartë mbi faktin se dy shtetet shqiptare të rajonit kanë përgjegjësinë kryesore për t’u koordinuar më mirë e për të punuar më shumë në përputhje me nevojat e mërgatës shqiptare dhe me aspiratat kombëtare;

Duke e përshëndetur ngritjen kulturore, arsimore, artistike, politike dhe ekonomike të shqiptarëve në mërgim, si dhe vetorganizimin e tyre si një potencial i jashtëzakonshëm për përparimin e mërgatës dhe të vendit tonë;

Duke qenë thellësisht mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme dhe shumëdimensionale që shqiptarët që jetojnë në mërgim i kanë dhënë e i japin Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përfshirë këtu edhe faktin se mbi 70% e votave të mërgimtarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare ishin për Lëvizjen VETËVENDOSJE!;

Me nevojën e madhe që sfidave aktuale kombëtare t’i përgjigjemi përmes një angazhimi dhe organizimi të bashkuar e përparimtar brenda dhe jashtë vendit:

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!:

1. Fton bashkatdhetarët në mërgim, që krahas integrimit të tyre në vendet ku jetojnë, të ruajnë gjuhën, shkollimin dhe identitetin shqiptar, dhe të vazhdojnë e të ripërtërijnë angazhimin e tyre dhe kontributin e pasur, të gjithanshëm e të pazëvendësueshëm, për zgjidhjen e çështjes shqiptare, zhvillimin, modernizimin dhe evropianizimin e Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

2. Thërret të gjithë bashkatdhetarët që të angazhohen me Lëvizjen VETËVENDOSJE! masivisht gjatë vitit 2019 për të sjellë ndryshimin e domosdoshëm në Kosovë drejt realizimit të aspiratave tona kombëtare.

3. Kërkon prej Grupit Punues për reforma organizative që në gjysmën e parë të vitit 2019 të shqyrtojë dhe prezantojë propozime për rritjen e efikasistetit të punës dhe mekanizmave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për organizmin e shqiptarëve jë jetojnë në mërgim, bashkë me Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë.

4. Synon që gjatë vitit 2019, krahas 7 Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që funksionojnë aktualisht në mërgatë, të punohet për të krijuar kushtet për themelimin e Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Francë, në Itali dhe në vende të tjera ku shqiptarët jetojnë në mërgim dhe ku paraqitet mundësia e organizimit frytdhënës.

5. Kërkon nga të gjitha organet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! një angazhim të shtuar për mbështetjen e fuqishme të bashkatdhetarëve dhe angazhim për organizimin e tyre në mërgatë pavarësisht prejardhjes gjeografike.

6. Duke ditur barrierat e qëllimshme që institucionet e Republikës së Kosovës vendosin ndaj përfshirjes së bashkatdhetarëve në proceset politike të vendit, kërkon angazhim të shtuar të të gjitha organeve të Lëvizjes për t’i rrëzuar këto barriera në bashkëpunim të ngushtë me bashkatdhetarët.

7. Synon rritjen e aktiviteteve publike, brenda dhe jashtë insitucioneve, për trajtimin programatik të nevojave dhe problematikave me të cilat përballen bashkatdhetarët.

Prishtinë, 23 dhjetor 2018

Kontribo