24 12 2018

Rezolutë për të drejtat dhe angazhimin e grave

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të ndërgjegjshme/ëm për pabarazinë historike dhe aktuale, të krijuar përmes shtypjes politike dhe shfrytëzimit ekonomik të grave e vajzave në mbarë botën, si dhe në veçanti të grave e vajzave shqiptare, e po ashtu të grave e vajzave të pakicave kombëtare;

Të bindur/a se të drejtat politike dhe ekonomike nuk vijnë asnjëherë dhe për askënd si ndjenjë bujarie prej atyre që përfitojnë nga mohimi i këtyre të drejtave, por fitohen përmes mobilizimit shoqëror, organizimit dhe angazhimit publik;

Të vetëdijshme/ëm se patriarkalizmi ushqehet sot në çdo sferë të jetës nga sistemi aktual ekonomik, politik dhe për pasojë edhe nga disa bindje simboliko-kulturore;

Duke parë se papunësia në Kosovë ka goditur më së shumti gratë dhe vajzat, nga të cilat vetëm
1 në 8 janë sot të punësuara;

Të tronditur/a nga rastet e përdhunimeve seksuale gjatë luftës të cilat kurrë nuk i adresoi as sistemi i drejtësisë ndërkombëtare dhe as ai vendor, me rreth 20.000 viktima pa përkujdesje e trajtim institucional e të cilat mbijetojnë të traumatizuara në rrethet e tyre familjare e shoqërore, diku të heshtura e diku edhe të izoluara;

Të alarmuar/a nga rastet e dhunës në familje dhe neglizhenca e institucioneve për masa dhe reagime që do të mbronin të drejtat e grave dhe të vajzave;

Të indinjuar/a nga mënyra se si gratë e vajzat portretizohen e trajtohen rëndom si objekte a mallra konsumi të përkufizuara nga seksualiteti, ose me atributet e një fëmije të parritur, prej disa institucioneve publike e disa prej kompanive private, nga shoqëria e spektaklit në përgjithësi, nga shumë burra që zotërojnë lloje të ndryshme pushteti, por edhe nga disa gra të tjera të pushtetshme që përfitojnë nga ky trajtim;

Duke ditur se shtypja mbi baza gjinore rëndon më së shumti mbi gratë më të varfra;

Duke njohur edhe ndarjen e pabarabartë të punëve dhe mohimin e vlerës publike dhe ekonomike të punës në familje, që ka peshuar e vazhdon të peshojë më së shumti mbi gratë e vajzat, sakaq që të njëjtave u mohohet edhe e drejta e trashëgimisë;

Marrë parasysh avantazhin ideor social-demokrat dhe përpjekjen organizative të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me subjektet e tjera politike në Kosovë sa i takon synimit për barazi gjinore, por duke mbetur shumë të pakënaqur/a nga shpërputhja e qëllimeve tona në raport me situatën brenda dhe jashtë organizatës;

Të vetëdijshme/ëm që organizata jonë nuk e ka të garantuar imunitetin nga diskriminimet gjinore të cilat janë pjesë e mentalitetit të shoqërisë, dhe se ka nevojë për rritje të vetëdijes dhe punës feministe në organizatë;

Të palëkundur/a në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të përmirësuar dhe emancipuar së pari veten tonë si organizatë në angazhimin për emancipim politik, ekonomik dhe kulturor të të gjithë shoqërisë;

Të shqetësuar/a nga fakti se gratë përbëjnë vetëm 23% të anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe nga mungesa e angazhimit të grave në disa prej kryesive të organizimit në nivel komunal (Qendrat) dhe shumë prej kryesive në nivel komunitar (Pikat) të Lëvizjes VETËVENDOSJE!;

Të frymëzuar/a nga shembulli dhe kontributi i paçmueshëm i grave dhe vajzave shqiptare në të gjitha etapat historike, në të gjitha nivelet e rezistencës për çlirimin e vendit, si dhe në angazhimin e tyre të sotëm për ndryshime rrënjësore;

Të ndërgjegjshme/ëm se lufta kundër pabarazisë dhe për çlirimin e grave nga shtypja e shfrytëzimi është përpjekja për çlirimin e gjithë shoqërisë:

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!:

1. Konstaton se gratë dhe vajzat janë potenciali i ndrydhur dhe i nëpërkëmbur i shoqërisë sonë, i cili duhet jetësuar me gjithë fuqinë e vet transformuese.

2. Thërret për angazhim të gjitha gratë e vajzat që jetojnë brenda dhe jashtë Kosovës për t’u bashkuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në përpjekjen kolektive për lirinë e plotë të vendit dhe çlirimin e grave dhe vajzave.

3. Kërkon prej Grupit Punues për reforma organizative që të trajtojë me prioritet situatën e angazhimit të grave dhe vajzave në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, duke dhënë brenda 3 mujorit të parë të vitit 2019 edhe propozimet për mënyra shtesë për përparimin e grave dhe vajzave në struktura dhe në aktivitetet publike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

4. Kërkon prej organeve përkatëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që brenda 6 mujorit të parë të vitit 2019, t’i rishikojnë dokumentet më të rëndësishme, si Statutin dhe Alternativën Qeverisëse, dhe të paraqesin propozimet përkatëse pranë Këshillit të Përgjithshëm në lidhje me shtimin e përfaqësimit dhe angazhimit publik të grave dhe vajzave brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe për realizmin e të drejtave të tyre në shoqëri.

5. Përshëndet nismën e propozuar nga gratë e Sekretariatit të Përgjithshëm, dhe të realizuar sot, për të siguruar një hapësirë për përkujdesjen ndaj fëmijëve të delegateve dhe delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm, pranë ambienteve ku mbahet kjo mbledhje e gjatë e organit më të lartë vendimmarrës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe kërkon vazhdimin si dhe përhapjen më të gjerë të kësaj praktike edhe në të ardhmen edhe në struktura dhe nivele të tjera organizative, si dhe përhapjen e mesazhit për përgjegjësinë e barabartë prindërore.

6. Kërkon nga çdo Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ku nuk ka gra anëtare në kryesi, të mbajë zgjedhje brenda 6 mujorit të parë të vitit 2019 për ta ndryshuar këtë situatë.

7. Kërkon angazhimin maksimal nga e gjithë organizata që t’i japë përparësi grave dhe vajzave në angazhime publike, organizative dhe në zgjedhje.

8. Ngulmon në fuqizimin e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në të tri nivelet organizative, si dhe në plotësimin e pozicionit të Sekretares së Gruas Aktiviste nga të gjitha Pikat dhe Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke kërkuar edhe raport pune për këtë çështje në Këshill të Përgjithshëm në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2019.

9. Inkurajon aktivitetet që rrisin ligjërimin për problemet gjinore, bashkëpunimin dhe solidaritetin mes grave.

Prishtinë, 23 dhjetor 2018

 

 

Kontribo