31 12 2018

PËRMBLEDHJE E VITIT 2018 DHE URIMI PËR VITIN 2019

Për një vit të ri pa skandale e varfëri

Fjala e nënkryetarit të parë të LV-së, Besnik Bislimi, në përmbledhjen e vitit 2018 dhe urimi për vitin 2019.

E shfrytëzoj rastin që secilin pjesëtar të medias ta falenderoj përzemërsisht për mbështetje që na keni dhënë gjatë këtij viti me aktivitete të bujshme që i keni përcjellur pa përtesë.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot është dita e fundit e vitit 2018, e një viti që për vendin tonë e për ju ishte plot sfida e vështirësi. Ishte një vit, për të cilin shumica prej nesh do të kishte vetëm një urim; Të mos na përsëritet më kurrë.

Të dashur qytetarë, po e përfundojmë një vit në të cilin numërimi i skandaleve të qeverisë dhe presidentit tonë u shndërrua në hobi të shumicës prej nesh.

Një vit ku ditë për ditë e javë për javë na u tha që liberalizimin e kemi të sigurtë, meqë u treguam zemërgjerë me territor.

Një vit ku si shtet dështuam me përpjekjet tona për anëtarësim në INTERPOL,  dështuam me liberalizim dhe në vend të rritjes së numrit të shteteve që e njohin pavarësinë tonë, po përballemi me tërheqje të këtyre njohjeve.

Një vit gjatë të cilit kriteri kryesor për matjen e të arriturave të qeveritarëve u bë shpejtësia e vrapit të kryeministrit dhe ecjet nëpër bjeshkë të presidentit. Dhe rritja e numrit të ministrave nën akuzë.

Një vit ku 11 muaj dështime e skandale u përpoqën t’i mbulojnë me një simbolikë të riemërimit të forcës së sigurisë në një ushtri pa buxhet, me heqje të kushedi satës herë të kontrolleve të dyfishta doganore me Shqipërinë, dhe më taksën e vendosur për importet nga Serbia e BeH.

Aq shumë na i ulën pritjet për qeverinë përgjatë 11 muajve, aq shumë e rrezikuan stabilitetin e shtetit me iniciativa të rrezikshme si presidenti ashtu edhe qeveria, saqë mjaftoi një masë krejtësisht e pamenduar dhe papërgatitur, për të na ngrohur pak zemrat. Ashtu si na ngrohën gjatë gjithë vitit xhudistet tona, këngëtaret tona, artistët tanë, e futbollistët tanë.

E çka bëri kjo qeveri për zhvillimin ekonomik dhe për gjenerimin e punësimit. Sa bëri kjo qeveri për rritjen e mirëqenies qytetare përtej promovimit skandaloz të lojërave të fatit.

Nëse i hedh një sy publikimeve të agjencisë së statistikave të Kosovës, sheh se të dhënat mbi punësimin nuk janë të grupuara në seksionin e informatave për zhvillimin ekonomik.

Ato i gjen mes statistikave sociale që tregon se si kjo qeveri edhe punësimin e cilëson si politikë sociale. Njëjtë siç i trajton edhe shumë mekanizma të tjerë të blerjes së votës, tek të cilat subvencionet dhe grantet qeveritare sakrifikohen për financim skemash në thelb politike. Përderisa për shembull në Shqipëri, të dhënat mbi tregun e punës i gjen në një kategori të veçantë bashkë me ato mbi arsimin.

Sipas të dhënave të këtij agjencioni të statistikave mësojmë se që nga fillimi i këtij viti e vetëm deri në fund të muajit shtator, qeveria ka qenë e suksesshmë në rritjen e papunësinë nga 26.5 në tremujorin e pari në 30.7 në tremujorin e tretë, që nënkupton një rritje prej 15.8% brenda vetëm 9 muajve.

Çfarë urimi për Vitin e Ri 2019 mund t’i përcjellim shoqërisë sonë? Cili është ai urim që mund të ngjallë shpresë tek 87% të grave në Kosovë që nuk kanë asnjë të ardhur nga ekonomia? Apo cili është ai urim që mund t’i bëjë të ndihen më mirë ata 55% të burrave që shkojnë çdo ditë në shtëpitë e tyre pa patur mundësinë të sjellin as edhe një euro të fituar në tregun e punës.

Çfarë urimi mund të përcjellim për 72% të të punësuarve të cilët punojnë me kontrata afatshkurtëra, që mund të ndërpriten brenda ditës. Në ata 347.000 vetë që kanë patur fatin të kenë një vend punë sado të paqëndrueshëm, vetëm një e dhjeta janë nën moshën 24 vjeç.

Nga 334 të rinj në moshën 15-24 vjeç, vetëm 1 në 9 prej tyre ka një vend pune. Çfarë urimi të përcjellim për këta të rinj, prej të cilëve pothuaj një e treta, e që janë rreth 100.000, nuk ishin as në shkollim, as punësim apo trajnim? Si duhet të binden ata që migrimi nuk është zgjidhje?

Në Kosovë janë 45.000 të rinj që kërkojnë punë në vazhdimësi e nuk gjejnë. Prej tyre 1/3 ende pa mbushur 25 vite bëhen veteranë të papunësisë, meqë hynë në kategorinë e të papunëve afatgjatë. Ata bëhen të papunë strukturorë ende pa e filluar karrierën e tyre në treg të punës.

Nëse në Kosovë je familjar në moshën mbi 50 vjeç dhe e humb vendin e punës, gjasa për të gjejtur një punë të re janë më pak se 10%, përderisa 90% e tyre mbeten të papunë më shumë se 1 vit.

Statistikat e Republikës së Kosovës sugjerojnë se numri mesatar i anëtarëve të një ekonomie familjare sillet rreth 6. Nëse kjo shifër krahasohet me numrin e të punësuarve i bie që një më shumë se 80% të ekonomive familjare kemi një ose asnjë të punësuar.

Nëse një ekonomie familjare prej 6 personave i duhen minimumi 370 euro në muaj për t’i ikur varfërisë atëherë i bie që pjesa më e madhe e familjeve janë buzë varfërisë dhe problemi primar i secilës familje është mbijetesa me të ardhurat që i sigurojnë në tregun e punës, kurse gjithë shpresat edhe më tej mbeten tek diaspora dhe remitencat e tyre. Si mund të presim që në një situatë të tillë, punëtorët të brengosen për sigurinë në punë apo të këmbëngulin për masa sigurie. Si mund të presim zvogëlim të rasteve të vdekjeve në vendin e punës, kur siguria është luks.

Dhe çka u ofron shteti këtyre familjeve që muaj për muaj luftojnë me varfërinë. Ju ofron KEDS-in që i keqtrajton jo vetëm me reduktime të vazhdueshme të rrymës, por edhe i faturon me bollëk duke i detyruar të paguajnë edhe borxhet e të tjerëve e edhe investimet fiktive të kompanisë. Ju ofron derivate super të shtrenjta falë mosfunksionimit të autoritetit mbikëqyrës duke e kthyer edhe lirinë e brendshme të lëvizjes në luks. Ju ofron shëndetësi të shekullit të kaluar dhe barëra me pagesë që nuk mund t’I blejnë. Ju ofron arsim për fëmijët e tyre që i bëjnë  ata të papunë strukturorë sapo të fusin diplomën në xhep. Ju ofron aq infrastrukturë bazike, sa edhe ujin si shërbim publik u thotë të mos e pijnë meqë është i papijshëm. Ju ofron luksin e statistikave moderne që për çdo ditë u tregon se sa i rrezikshëm është ajri që e thithin. Dhe ju kërkohet ryshfet sa herë të kenë nevojë për ndonjë shërbim nga administrata publike. Kjo pra është oferta e qeverisë sonë për qytetarët tanë.

Të dashur qytetarë, cili është mesazhi dhe urimi që Lëvizja VETËVENDOSJE mund ta përcjellë në këtë ndërrim motmotesh për gjithë ata të rinjë që janë të papunë e pashpresë, për gjithë ato gra që ende nuk e kanë shijuar ndjenjën e sigurimit të të ardhurave për vete e familje, për gjithë ato familjë që luftojnë me varfërinë e të cilave ne ua konfiskojmë edhe ndihmat sociale nëse nuk i paguajnë faturat e fryra të KEDSit, për ato familje që përballen me shpenzime të papërballueshme shëndetësore e me arsim jo cilësor, për familjet e punëtorëve e policëve që humbën më të dashurit e tyre në vendin e punës, për mërgatën tonë e cila ende malltretohet me sigurime shtesë nëpër pikat kufitare.

Të nderuar qytetarë, mund të themi të sigurtë se Viti 2018 ju ka kalitur aq shumë sa që viti 2019 mund të vie lirisht. Viti i ri nënkupton një shpresë të re, mendime të reja dhe rrugë të reja. E ne, Lëvizja VETËVENDSOJE ju dëshirojmë fillim të mbarë. Le të jetë ky vit i kthesës së mbarë për gjithë që e duan dhe promovojnë vendin e kundërt për ata që na zhvasin të tashmen e helmojnë të ardhmen.

Të nderuara anëtare e anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE, për gjatë këtij viti jemi forcuar shumë si subjekt. Kemi mbi 5.000 anëtarë të rinjë në shumë pika të reja anekënd Kosovës. Po zgjerohemi me shpejtësi edhe në mërgatën tonë. Si grup parlamentarë kemi organizuar mbi 10 tryeza diskutimi e 11 debate parlamentare. Kemi iniciuar 9 rezoluta shumë të rëndësishme, 7 interpelanca dhe 3 projektligje. Me një protestë madhështore, bashkë me shoqërinë civile kemi ndalur aventurat e rrezikshme të presidentit. Me të njëjtën energji e me të njëjtin vullnet do të vazhdojmë edhe në vitin 2019. E shfrytëzoj rastin që në emër të Lëvizjes, të falenderoj secilën aktiviste e sicilin aktivist pa të cilët e gjithë kjo do të kish qenë e pamundur. Faleminderit, faleminderit, faleminderit.

 

Kontribo