Bisedim me bashkëatdhetarët tanë në New York
Në vazhdën e bashkëbisedimeve me bashkatdhetarët, në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari, Albin Kurti, së bashku me Sekretaren Organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe Koordinatorin e Sekretariateve, Kreshnik Ahmetin, patën një takim virtual me anëtarët tanë në New York, ShBA.
Bashkëbisedimi u bë pas anëtarësimeve te dhjetëra bashkatdhetarëve të rinjë në New York, me synim të zgjerimit të organizatës sonë edhe në ShBA.
Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedi, shpjegoi rëndësinë e organizimit të shqiptarëve edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo tregoi përvojën e dëri tanishme me organizimin e strukturave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në shtete të ndryshme të Evropës, organizim i cili së shpejti pritet të realizohet edhe në ShBA. Shpjegime të mëtutjshme për formën e organizimit të Sekretariatit të Përgjithshëm dhe Sekretariateve të Qendrave dha Koordinatori i Sekretariatit të Përgjithshëm, Kreshnik Ahmeti.
Takimi vazhdoi me prezantimin e situatës politike nga Kryetari, Albin Kurti. Ai theksoi rëndësinë historike dhe aktuale të mërgatës shqiptare për dy shtetet shqiptare dhe kombin tonë në përgjithësi. Kryetari Kurti u përqendrua tek zhvillimet e fundit në lidhje me dialogun me Serbinë, veçanërisht tek aventurat personale të Presidentit Thaçi dhe tek propozimi i “Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse” të Kryeministrit Haradinaj. Ai theksoi se para çdo dialogu të ardhshëm me Serbinë, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet që së pari të shqyrtoj dhe vlerësoj dialogun e deritanishëm 6 vjeçar, hapi i dytë do të duhej të ishte caktimi i qëllimeve të Republikës sonë nga ky dialog dhe përcaktimi i kërkesave që do të duhej t’i drejtoheshin Serbisë, si hap i tretë do të duhej të caktohej platforma me parime për bisedimet me Serbinë, e si hap i fundit do të duhej të caktohej ekipi negociator gjithëpërfshirës dhe me legjitimitet nga Kuvendi. Përderisa këto hapa nuk po mirren parasysh nga Presidenti e Qeveria aktuale, Kryetari Kurti theksoi rëndësinë e kundërshtimit të procesit aktual të dialogut me Serbinë, i cili po rezulton në përparimin e Serbisë drejt BE-së, e në ndarjen e defunksionalizimin e Republikës së Kosovës. Në vazhdën e këtij kundërshtimi, ai përmendi edhe bashkëpunimin aktual me një pjesë të opozitës për ndaljen e dialogut aktual dhe shkaktimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Bashkatdhetarët u shprehën të brengosur me situatën aktuale politike dhe ekonomike të Kosovës. Ata shprehën shqetësimin e tyre për mungesën e zhvillimit ekonomik e korrupsionin në njërën anë dhe skandalet e politikës së jashtme e dialogun e dëmshëm me Serbinë të cilit po i prinë Presidenti i Kosovës dhe të cilit tani i është bashkuar edhe Qeveria me një pjesë të opozitës në Kuvend. Por, ata treguan gatishmërinë e tyre për të punuar për shtrirjen e organizatës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! edhe në New York dhe në shtetet e tjera të ShBA-ve, për të u përballur së bashku kundër këtyre proceseve të dëmshme.
Në fund u pajtuam që t’i vazhdojmë takimet tona në shërbim të organizimit sa më të mirë të shqiptarëve në ShBA dhe në shtrirjen sa më të gjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! atje.