Kriza mjedisore – qeveria pa plan, pa buxhet, pa zgjidhje
E drejta për ajër të pastër është e drejtë themelore e qytetarëve tanë. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë kompromis me këtë çështje.
Nën këtë frymë Grupi parlamentar i Lëvizjes së bashku me deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës sot në Kuvend mbajtën një debat mbi krizën mjedisore në vend. Tema ishte e fokusuar në ndotjen e ajrit. Anipse prej 1 shkurtit është miratuar rezoluta për masa imediate, sot ende nuk kemi asnjë rezultat. Po ashtu, asnjë veprim serioz nuk pritet nga planet e qeverisë për vitin 2019. Në tryezë ishin të ftuar profesorë, studiues, ekspertë mjedisor dhe organizata të shoqërisë civile.
Kriza mjedisore është emergjencë lokale, kombëtare dhe globale. Raporti me mjedisin po na shtyn si njerëzim të rikonsiderojmë të gjitha presupozimet e marra si të mirëqena deri tani mbi zhvillimin ekonomik, politikbërjen dhe të ardhmen tonë.
Në rajonin e Prishtinës, një ditë më parë ndotja e ajrit arriti nivelin e fundit, atë helmues. Aspak më mirë nuk qëndron situata në rajonin e Drenicës për shkak të Ferronikelti dhe në atë të Hanit të Elezit për shkak të Sharr Cemit.
Ndotjes i ka dhënë ndihmesë të madhe edhe mënyra e qeverisjes. Mungojnë investimet serioze për sistemet e ngrohjes. Termokosi mbulon pak lagje në Prishtinë dhe zgjerimi i shtrirjes së tij po ecën tepër ngadalë. Çmimi i energjisë është rritur 4 herë nga KEDS-i, që prej privatizimit të vitit 2013. Rritja e çmimit të energjisë e ka nxitur edhe më tepër përdorimin e lëndeve të tjera si qymyri për ngrohje shtëpiake. Industritë prodhuese private dhe publike nuk mbikqyren dhe as nuk ndëshkohen për efektet e tyre të dëmshme dhe të papërgjegjshme mjedisore. Ndërsa për zonat e rrezikuara nga shpyllëzimi nuk ka ndonjë projekt ambicioz për krijimin e brezave të gjelbërt.
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti midis të tjerash në fjalën e tij tha se po të shihet planifikimi buxhetor për 2019 të krijohet përshtypja se Kosova nuk ka fare probleme mjedisore.
Mungesa e matjeve dhe e analizave të përhershme për nivelin e krizës mjedisore, ndonëse ka matje e studime të pjesëshme, e bën edhe më të komplikuar situatën.
Diskutimi përgjatë tryezës shtroi problemin e mungesës së implementimit të pikave të miratuara në rezolutën e vitit të kaluar për krizën mjedisore.
Po ashtu, u përmend fakti se në rastin e Prishtinës, futja e autobusëve të rinj nuk e ka ndryshuar ndotjen e ajrit. Plani i mobilitetit urban të Prishtinë duhet të planifikojë një infrastrukturë të posaçme për autobusët me ndotje të vogël, në mënyrë që qytetarët ta shohin të natyrshëm përdorimin e transportit publik.
Profesionistët e profileve të ndryshme nuk e kursyen as kritikën për institucionet të mbrojtjes mjedisore. Përgjegjësit për mjedisin janë të padukshëm dhe vuajnë nga tepria e korrupsionit, mungesa e kompetencës, mungesa e një vizioni strategjik. Jeta pa ndotje për ta është rrëfim i konferencave jashtë vendit, jo detyrë e panegociueshme e punës së përditshme.
Propozimet për zgjidhjen e krizës tonë mjedisore variojnë dhe disa sosh janë: izolimi i ndërtesave publike; investime në energji diellore dhe në erë; ndërprerje e liçensave për futjen e ujrave nëpër tuba; studim fizibiliteti për nevojat e Kosovës për energji elektrike; studime mbi përdorimin e qymyrit dhe të ekonomisë ilegale të lidhur me të, etj.
Prodhimin, konsumin, zhvillimin dhe raportin tonë me hapësirat publike duhet t’ia nënshtrojmë kësaj të drejtë primare, të drejtës për ajër të pastër. Parimeve dhe jetësimit të drejtësisë sociale, jetës së dinjitetshme duhet t’i bashkëngjisim angazhimin për mjedisin.