Homazhe për dëshmorët Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj
Lëvizja VETËVENDOSJE! bëri homazhe në Kuvendin e Kosovës në nder të dy dëshmorëve të kombit, gjeneral major Ilir Konushevcin dhe Dr. Hazir Malajn. Vepra dhe rënia e tyre na e rrisin përgjegjësinë përballë historisë dhe janë pika referimi përballë të ardhmes. Vendi jonë është historia dhe amaneti i dëshmorëve tanë. Amaneti i tyre nuk është realizuar plotësisht ende. E tashmja politike e Kosovës po u shmanget dëshmorëve të saj. Dëshmorët janë ata që e mbajnë bashkë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë. “Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj luftuan edhe para luftës, punuan për ta mundësuar luftën çlirimtare. Gjaku i tyre ujit rrënjët e pemës së lirisë, frytet e së cilës do t’i gëzojnë shumë breza. Kujtimi për ta i paharrueshëm! Lavdi e përjetshme!”, ishin fjalët e Kryetarit të Lëvizjes Albin Kurti në nderim të dy dëshmorëve të kombit tonë.