Kosova e Shqipëria kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, memorandume e dakordime. Por, për to ka vetëm zotim dhe jo zbatim.
Fjala e Kryetarit Albin Kurti:
Liberalizimi ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë është interes i kombit shqiptar. Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë shpie te fuqizimi i ndërsjelltë drejt integrimit e bashkimit tonë. Kjo është në frymën evropiane dhe i kontribuon paqes dhe kohezionit.
Kosova e Shqipëria kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, memorandume e dakordime në takimet e tyre të përbashkëta që mbahen një apo dy herë në vit. Problemi është se në asnjë faqe zyrtare, as të Kosovës e as të Shqipërisë, këto marrëveshje nuk janë publikuar të plota. Ato nuk i janë sjellë Kuvendit të Kosovës për njoftim që nga viti 2014 e këtej. Herën e fundit me kërkese të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në vitin 2016 janë dorëzuar në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme katër dokumente, disi më shpjeguese, por jo marrëveshjet.
Deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli kanë bërë kërkesë, mirëpo nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria nuk ka pasur përgjigje me shkrim. Në kërkesën e administratës së Komisionit për qeverinë, përgjigja në pranverën e këtij viti ka qenë: Nuk i kemi!
Ndonëse këto marrëveshje janë quajtur ndërkombëtare, karakteristikë e tyre është se ato asnjëherë nuk e kanë marrë karakterin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pra me cilësi e përparësi zbatuese (meqë ato do të votoheshin nga Kuvendi me 2/3 e deputetëve).
Sigurisht që në kuadër të bashkëpunimit midis dy vendeve termi marrëveshje ndërkombëtare do të dukej disi ndarës, por praktika institucionale nuk po tregon as ndonjë afrim, as ndonjë shkrirje, e në rastin e marrëveshjeve me Shqipërinë, as seriozitet zbatimi.
Pra, sado që nënshkruhen këto marrëveshje, nga pikëpamja e zbatueshmërisë në secilin prej vendeve, referuar ligjeve përkatëse për marrëveshjet ndërkombëtare, dhe, kushtetutave e akteve nënligjore për fushëveprimin normativ të qeverive, këto marrëveshje në rendin juridik të secilit vend janë në shkallën më të ulët.
Praktikisht, siç e shohim, ato nuk është e thënë të zbatohen dhe as nuk ka ndonjë mekanizëm që përbën detyrim për t’i zbatuar a respektuar nga qeveria në qeveri a nga shteti në shtet. Marrëdhëniet vëllazërore nuk po funksionojnë në asnjë nga marrëveshjet për zbatueshmëri.
Katër vjet më vonë, Kosova ende nuk e ka zbatuar marrëveshjen për heqjen e lejeve të punës për shtetasit e Shqipërisë, ndonëse Shqipëria i ka hequr ato mënjeherë pas nënshkrimit në vitin 2014. Qeveritë e Kosovës kanë thënë njëra pas tjetrës se duhet të ndryshohet ligji për të huajt në Kosovë. Ligji u ndryshua, kjo marrëveshje nuk u përfshi.
Ky është një nga shembujt ilustrues dhe sigurisht jo i vetmi. Gati secila marrëveshje apo memorandum e ka një dimension të tillë, pra: zotim pa zbatim. Ato zhduken menjëherë pas konsumit mediatik.
Ose, flitet për mërgatën e përbashkët, për Një Diasporë, por ku janë qendrat e përbashkëta kulturore, ku është furnizimi me tekste shkollore në shqip për mërgatën?
Sot Kosova e Shqipëria i shesin njëra-tjetrës më së shumti skrap, mbetje metalike, materiale ndërtimi, çimento e asfalt, si dhe tuba e shufra hekuri. Kjo tregti mes nesh tregon sa prapambetjen e bashkëpunimit, aq edhe mungesën e vizionit për zhvillim në të dyja anët e kufirit.
Resurset e bujqësisë mesdhetare të ultësirës perëndimore, apo bujqësia kontinentale e rrafshit të Kosovës nuk rezultojnë fare në bilancet tregtare mes vendeve, sepse të dyja vendet nuk synojnë të ndihmojnë fermerët e bujqit tanë, por ia kanë hapur derën prodhimeve ushqimore nga vende të tjera.
Prej dy qeverive ende nuk e kemi një strategji të përbashkët për një sektor të rëndësishëm, siç është energjia. Industria e naftës në Shqipëri, e cila po kalon probleme të mëdha prej privatizimeve të papërgjegjshme, do të mund të funksiononte shumë mirë për të furnizuar një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Por, që të ndodhë kjo, ajo duhet të jetë nën pronësi e administrim transparent dhe jo e privatizuar prej firmave fantom, me pronësi të dyshimtë e me kapital të fshehur. Kapitali shtetëror i Shqipërisë dhe i Kosovës, bashkë me kapitalin nga diaspora, do të mund të përdorej për ta modernizuar industrinë e naftës në Shqipëri dhe për ta vënë atë në funksion të zhvillimit ekonomik të të dy vendeve tona.
As për sektorin e prodhimit të energjisë elektrike nuk e kemi një strategji të përbashkët, që do të mundësonte uljen e çmimit dhe forcimin e ekonomisë vendore. Kosova e Shqipëria nuk po bashkohen, por që të dyja janë së bashku peng të Serbisë e cila na mban të bashkuar e të bllokuar intekoneksionin 400 kV tashmë të ndërtuar. Pra, jemi bashkë sepse jemi të dyja peng të Serbisë.
Nuk na duhet nacionalizëm elektoral, as paradë bashkimi e sfilatë qeveritarësh në mbledhje ceremoniale, sa na duhet themelimi i nje fryme bashkëpunuese të konkretizuar në institucione e mekanizma të përbashkët, me synim konkret dhe me ndikim sektorial: komisione të përbashkëta qeveritare dhe parlamentare për siguri kombëtare, politikë të jashtme dhe burimet e përbashkëta natyrore, pastaj treg i për përbashkët për prodhimet, mallrat, shërbimet dhe bizneset mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në përputhje me interesin kombëtar dhe praktikat e BE-së, mandej nga treg i përbashkët edhe dogana të përbashkëta, konsullata e ambasada të përbashkëta, shkolla të përbashkëta ushtarake e policore, strategji zhvillimore të përbashkëta sepse jemi kompementarë (përplotësues), program i njësuar arsimor etj. Dhe, raportim publik e parlamentar për realizimin e marrëveshjeve dhe ndikimin e tyre në jetën e shqiptarëve. Nuk kemi nevojë për gjithnjë e më shumë zotime me gjithnjë e më pak zbatime.
(Pyetje nga gazetari):
– “Kur jemi tek bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe kjo taksa që i është vënë produkteve serbe e kemi parë një qëndrim të Ministrit të Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i cili ka dalë kundër këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës madje gjatë një vizite në Beograd ka kërkuar bashkëpunim më të madh me Serbinë. Si e komentoni ju këtë deklaratë të Ministrit të Financave?”
Së pari, ne besojmë që duhet të priten efekte pozitive nga taksa 100%, ndonëse metoda nuk është adekuate dhe përgatitjet mungojnë. E kam fjalën për atë që në vend të reciprocitetit të plotë tregtar, politik, ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë që do të vinte nga përcaktimi për integritet dhe dinjitet shtetëror të vendit tonë, është vënë ad-hoc një taksë 100% e cila është më shumë, le të themi, një gjobë taktike apo një akt i dëshpëruar, për shkak të sjelljes së Serbisë sidomos me rastin e mosanëtarësimit të Kosovës në Interpol. Pra, ne besojmë që bojkotimi i produkteve të Serbisë, reciprociteti i plotë me Serbinë duhet të jenë parimi që për pasojë do të kishte pastaj moslejimin e hyrjes së mallrave të Serbisë. Në këtë mënyrë siç e ka bërë Qeveria e Kosovës me kryeministrin e saj, sigurisht që defektin e kemi tek mungesa e përgatitjeve elementare dhe tek thirrja dëshpëruese e kryeministrit që “aman mos i rritni çmimet ju shitore anembanë Kosovës.”. Në vitin 2006 kur Lëvizja VETËVENDOSJE! pat filluar fushatën për bojkotimin e mallrave të Serbisë, ne gjithashtu kemi thirrur edhe për konsum të produkteve vendase, por edhe në të njëjtën kohë kemi përgatitur fletushkat tona, ku të gjitha mallrat e Serbisë i kemi paraqitur në një shtyllë, ndërkaq në anën tjetër zëvendësimet nga Kosova apo vendet tjera që na kanë njohur. Pra, edhe kur ishim si VETËVENDOSJE! tërësisht jashtë sistemit politik e institucional kemi bërë përgatitje për më shumë se një muaj për fushatën tonë. Andaj me keqardhje po them që në vend se kjo taksa 100% të jetë gjobë taktike dhe një lloj akti dëshpërues, do të duhej të kishim reciprocitetin e plotë sepse jemi shtet me integritet dhe dinjitet.
Sa i përket Republikës së Shqipërisë, ne besojmë se Republika e Shqipërisë në politikën e saj të jashtme karshi Serbisë duhet ta ndjekë Kosovën, por këtu më duhet të them mbase jo presidentin e saj. Pra, Republika e Shqipërisë në politikën e jashtme karshi Serbisë duhet që gjithsesi si masë e përmasë ta ketë Republikën e Kosovës. Ju e dini që edhe Republikën e Parë të Kosovës që është shpallur me 2 Korrik, me deklaratën e famshme të vitit 1990, e pat njohur Republika e Shqipërisë e lëre më këtë tjetrën. Ne jemi një komb në dy shtete, prandaj, nuk mund t’i kemi dy politika karshi Serbisë.
Fjala e Nënkryetarit të parë, Besnik Bislimi:
Në katër mbledhjet e deritanishme të përbashkëta janë nënshkruar 50 marrëveshje bashkëpunimi, memorandume bashkëpunimi apo dakordime mes palëve. Prej tyre 14 memorandume e marreveshje dhe tri zotime i takojnë fushës së ekonomisë, përfshirë këtu sistemin fiskal, doganor, energjinë, zhvillimin ekonomik ndërkufitar, bujqësinë, tregun e punës dhe një segment tjetër me rëndësi, ai i nxitjes së zhvillimit ekonomik në Luginën e Preshevës. Nuk do mend se secila nga këto marrëveshje është e një rëndësie të veçantë në rrugën drejt integrimit të vazhdueshëm të ekonomive tona dhe drejt krijimit të një tregu ekonomik mbarëshqiptar. Fatkeqësisht, pjesa dërrmuese e këtyre marrëveshjeve janë harruar që në ditën e nënshkrimit të tyre. Asnjëra prej tyre nuk ka kaluar nëpër dyert e parlamenteve të dy vendeve dhe për më tepër as nuk i gjen në databazat apo prezencën online të qeverive të dy vendeve apo ministrive gjegjëse.
Në pjesën më të madhe, marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë përmbajnë zotime por asesi afate për implementimin e tyre e as indikatorë për matjen e progresit drejt afateve të përcaktuara. Në vend të kësaj, pala kosovare është përcaktuar për prioritizimin e implementimin e marrëveshjve të nënshkruara me Serbinë duke lënë në plan të dytë apo injoruar komplet ato më Shqipërinë. Kështu për shembull, memorandumi i mirëkuptimit për themelimin e berzës së përbashkët të energjisë mes dy vendeve është lënë në harresë dhe zëvendësuar me angazhim intensiv të qeverisë sonë për të licensuar operatorin serb, “Elektrosever”, në veri të vendit.
Ne kemi nënshkruar marrëveshje për krijimin e fondit zhvillimor për Luginën e Preshevës, por a mund të na thotë kush se çfarë progresi është bërë në këtë drejtim, dhe sa mjete janë derdhur në këtë fond? A mund të na thotë kush se sa mjete buxhetore kanë derdhur qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë për blerjen e pajisjeve mjekësore për maternitetin e Preshevës – marrëveshje këto të nënshkruara që në vitin 2014.
Ne kemi nënshkruar pothuajse secilin vit, që nga mbledhja e parë e përbashkët e vitit 2014, marrëveshje, memorandume e zotime, për lehtësim të tregtisë mes vendeve tona, por edhe për dakordime në fushën e politikave doganore. Por, a mund të na thotë dikush se pse edhe pas katër viteve nuk ka as përmirësim periferik në fushën e bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve?
Shqipëria, nga totali i importeve, vetëm 1.3% i merr nga Kosova. Madje edhe shtete më periferike si Polonia, Bullgaria eksportojnë më shumë mallëra drejt Shqipërisë sesa Kosova.
Në të njëjtën kohë, Kosova është partneri i dytë më i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë e jashtme, duke lënë vetëm Gjermaninë si shtet me shkëmbim më të madh tregtar. Shqipëria eksporton më shumë në Kosovë sesa në katër kontinente marrë së bashku (Azi, Afrikë, Amerikë dhe Australi).
Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës janë katërfish më të larta sesa ato drejt Serbisë, gjë që është për t’u përshëndetur. Por në të njëjtën kohë, importet e Shqipërisë nga Serbia janë trefishi i importeve nga Kosova, që lënë shumë për të dëshiruar. Dhe fatkeqësia është se këto raporte vetëm se janë përkeqësuar që nga fillimi i mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta të qeverive tona dhe zhurmave për forcim të bashkëpunimit. Sa për ilustrim, që nga viti i nënshkrimeve të para në vitin 2014, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, përderisa Shqipëria ka arritur gati të trefishojë eksportet drejt Serbisë.
Ne kemi nënshkruar marrëveshje edhe për bashkëpunim në politikat tatimore si dhe për hetime të përbashkëta tatimore mes vendeve tona. Por a mund të thotë dikush, qoftë edhe për një takim të vetëm pasues, ku të jetë diskutuar për një lloj të vetëm të tatimit për të cilin ka nisur iniciativa për harmonizim apo për një hetim të vetëm tatimor ku dy vendet tona do të operonin së bashku?
Ne kemi nënshkruar marrëveshje për lehtësim të qasjes në tregun e punës së dy vendeve për qytetarët. Por pas katër vitesh ende qytetarët e Shqipërisë nuk mund të punojnë në Kosovë pa leje të veçanta të punës.
Ne kemi nënshkruar që në vitin 2016 zotimin për krijimin e një mekanizmi për zbatimin, ndjekjen dhe realizimin e marrëveshjeve dhe të gjitha angazhimeve të marra deri më tani midis dy vendeve tona. Këto rrjedhin nga Dokumenti i Partneritetit Strategjik. Gjithashtu, kemi nënshkruar edhe zotimin për funksionalizimin e menjëhershëm të të gjitha komisioneve të përbashkëta, sipas marrëveshjeve të arritura, duke synuar progresin e tyre për zbatim. Kemi nënshkruar edhe zotimin për hartimin e menjëhershëm të një liste me projektet e përbashkëta për zhvillimin ekonomik të zonës ndërkufitare. Por, a mund të raportojë sot dikush nga dy qeveritë se cili prej këtyre zotimeve është zbatuar, duke mos harruar që këto zotime është dashur të përmbusheshin brenda qershorit të vitit 2016.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka brengën se të gjitha këto marrëveshje janë marrëveshje të nënshkruara me një datë validiteti në datën e nënshkrimit, por pa zotim për zbatimin e tyre. Bëjmë thirrje që në mbledhjën e radhës, ndoshta të ketë më pak vullnet për nënshkrim të marrëveshjeve, por më shumë zotim për implementimin e tyre.
Ju faleminderit.