Mytaher Haskuka prezanton Prizrenin në Paris
Pas takimeve zyrtare, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, mbajti mbrëmë një fjalë rasti në aktivitetin e organizuar nga Qendra Kulturore e Kosovës në Paris, bashkë me “Trashëgimia pa kufij” dhe shoqatën “Albania”. Në këtë mbrëmje u promovua edhe botimi i revistës kulturore “Art dhe Trashëgimi” kushtuar Prizrenit. Të pranishëm në këtë aktivitet të hapur për publikun ishin profesorë, studentë dhe biznesmenë të mërgatës shqiptare, si dhe qytetarë të Francës, studiues dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, që kanë një interes për Kosovën dhe Shqipërinë.
Kryetari Haskuka foli për historinë dhe vlerat kulturore të Prizrenit, si kryeqytet historik i shqiptarëve që bart në mozaikun e trashëgimisë së tij edhe kultura të tjera të larmishme të cilat ia pasurojnë vlerat. Më tej ai shpjegoi disa prej sfidave dhe punën e Komunës për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Prizrenit e cila ka vlerë sa materiale aq edhe shpirtërore.
Në fund të aktivitetit, të pranishmit shprehën dëshirën dhe interesin jo vetëm për ta vizituar Prizrenin, por edhe për të identifikuar dhe për të çuar përpara projekte bashkëpunimi.
Paris, 22 nëntor 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!