20 11 2018

Konferencë për media në lidhje me dështimin në Interpol

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me dështimin e Qeverisë dhe Presidentit për ta anëtarësuar Republikën e Kosovës në Interpol.

Anëtari i Kryesisë, deputeti Xhelal Sveçla foli, për luftën e madhe të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dhe për aventurën e Presidentit Thaçi për të vrapuar drejt pazareve me Serbinë.

“Hipokrizia qëndron në faktin e takimeve Thaçi-Vuçiq. Hashim Thaçi pavarësisht situatës në terren vazhdon të vrapojë pas pazareve me Serbinë e cila si asnjëherë më parë pas shpalljes së pavarësisë po e lufton shtetësinë dhe subjektivitetin e vendit”, tha Xhelal Sveçla.

Ai po ashtu, theksoi se hapi i parë që dëshmon se palët janë të intersuara për një marrëveshje finale është pushimi i “luftës” në terren. Si është e mundur që shteti i Kosovës të përballet me këso vështirësish në terrren a presidenti Thaçi të shkojë e të takohet pa asnjë kusht për Serbinë. Ky president po anashkalon çdo interes të vendit vetëm që personalisht të shpëtojë. Ai e ka zgjedhur rrugën e tij, por nuk duhet dhe nuk guxon ta marrë edhe Kosovën me vete. Ky njeri është zhvendosur kah pala serbe.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli për konfuzionin që kanë shkaktuar Presidenti, Kryeministri e Ministri i Punëve të Jashtme me dobësinë e treguar karshi Serbisë ndaj shteteve që tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës.

“Pazaret territoriale të Thaçit me Vuçiqin që kulmuan te takimi me Putinin, kanë shkaktuar konfuzion te shumë shtete që na e kanë njohur pavarësinë. Në këtë vit ka ndodhur një vetëkontestim i shtetësisë dhe pavarësisë sonë nëpërmjet aventurave absurde të presidentit të Kosovës. Gjithnjë e më pak të tjerët po na marrin seriozisht. Sepse, presidenti i vendit nuk po e merr shtetin tonë seriozisht”, tha Albulena Haxhiu.

Haxhiu shtoi se “Thaçi e Pacolli, por edhe Haradinaj, duke u treguar të butë e të dobët karshi Serbisë, karshi Vuçiqit, Daçiqit e Radojçiqit, e kanë dobësuar pozitën tonë si shtet kudo, e kanë stërkequr perceptimin mbi neve. Dobësia e butësia karshi Serbisë nuk interpretohen nga askush si bujari a gjenerozitet yni, por si frikë e si padituri e jona”.

Kuvendi i Republikës dhe Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë t’ia marrin mandatin e Thaçit në aventurën e tij personale me Serbinë pa autorizim, pa legjitimitet dhe pa kompentencë, po ashtu Republika e Kosovës duhet menjëherë të vendos reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë.

Pasojat e dështimit për t’u anëtarësuar në INTERPOL janë më të mëdhatë në një rrafsh tjetër: mijëra kriminelë të luftës në Serbi sot po festojnë. Me iniciativën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, më 25 tetor 2018, pra ende nuk është bërë një muaj, u miratua në parim Projekt-Ligji për gjykimin në mungesë të krimeve të luftës me 61 vota PËR, 19 KUNDËR dhe 7 ABSTENIME. Kjo ishte fitore e jashtëzakonshme për drejtësinë në Kosovë. Mirëpo, tash drejtësia në Kosovë u sulmua nga dështimi në Dubai. Pra, pasojat nuk janë vetëm në fushën e sigurisë por edhe të drejtësisë, jo vetëm për drejtësinë në paqe por edhe për drejtësinë për krimet e luftës.

E vetmja mënyrë si mund ta ndihmojnë ata Kosovën është duke dhënë dorëheqje. Shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit tonë, për të mos thënë të gjithë, do të gëzoheshin sonte, sikur në lajmet e mbrëmjes të dëgjonin se Thaçi, Pacolli dhe Haradinaj kanë dhënë dorëheqje.

Kontribo