Të bllokohet kontrata me Z- Mobile, shkatërruese për Telekomin
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media për shkatërrimin sistematik që po i bëhet Telekomit të Kosovës duke vazhduar me emërimet e personave politik dhe jokompetent në udhëheqje të këtij institucioni dhe duke mos zbatuar rezolutën e Kuvendit të miratuar më 12 korrik të këtij viti.
Drejtuesi i Komitetit për Komunikime elektronike dhe postare në LV, Fatban Bunjaku, foli për vendosjen e njerëzve politik dhe krejtësisht të papërgatitur në krye të Telekomit të Kosovës siç ishte rasti me Drejtorin e Telekomit, Gent Begollin dhe tash UD i Drejtorit, Trim Musliu.
“Këtë vit qeveria Haradinaj emëroi një bord drejtues jokompetent dhe të lidhur në masë të madhe me pushtetin direkt. Më pas emëruan një kryeshef ekzekutiv si Gent Begolli që nuk e njeh as abc-në e qeverisjes së telekomunikacionit. Edhe pse morën kritika e kërkesa nga Kuvendi i Kosovës, për ta ndërruar këtë qasje të drejtimit të Telekomit, Qeveria Haradinaj, vijoi më tej duke na lavdëruar e mburrur këtë menaxhment”, tha Fatban Bunjaku.
Ai poashtu theksoi se qëllimi i kësaj amullie të krijuar tash e sa vite dhe që po vazhdon të mirëmbahet në Telekom është pikërisht për zhvatjen e 30 milionë eurove përmes përmbarimit për t’i transferuar ato në Z-Mobile.
Po të ishte ndryshe, sot do të kishim në Telekom menaxhmentin e krizës siç e kërkon Rezoluta e Kuvendit e miratuar me 12 korrik 2018. Po ashtu edhe kontrata me Z-mobile duhet të ishte e anuluar. Këto ditë nëpër Telekom po flitet e veprohet në emër të një personi edhe më jokompetent se të tjerët më herët. Trim Musliu, me profesion producent filmash është duke aktruar si U.D. i Kryeshefit ekzekutiv të Telekomit. Ndërkohë, bordi përbëhet nga gruaja e deputetetit të AAK-së Bekë Berishës, njëkohësisht dhe punonjëse në KEK. Pjesa tjetër është nga kryetarë e anëtarë degësh e nëndegësh të AAK-së, NISMË-s dhe PDK-së.
Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të veprojë në kompentencat e saj karshi kontratës kriminale që po e gërryen telekomin. Nuk mjafton të marrë nën gjykim ish – drejtuesit, duhet ta bllokojë kontratën. Kësilloj, si po vepron vetëm po ia shton këtij rasti personat e ardhshëm që do të pësojnë gjykim penal.