Dorëzohen amendamentet për paketën ligjore të Administratës publike në mbështetje të arsimit, shëndetësisë, drejtësisë e sigurisë
Pas më shumë se katër vitesh Ministria e Administratës publike dërgoi në Kuvend ndryshimet për paketën e Administratës publike ku përfshihen dhe pagat në këtë sistem.
Kësaj pakete i parapriu vendimi arbitrar, i paligjshëm dhe i padrejtë i Qeverisë Haradinaj për t’ia rritur pagat vetes.
Në thelb edhe pse kjo paketë ligjore ishte parashikuar qe të realizonte një reformë në administratën publike përfundoi duke qenë një mbulesë legjitimuese për rritjen e paligjshme të pagave që i bëri vetes dhe të tijve kryeministri aktual.
Me këtë paketë ligjore do të duhet të kishim edhe diskutimin e gjerë e përmbajtësor mbi modelin e Administratës publike të Kosovës. Por fatkeqësisht kjo mungon. Duhet të kishim edhe standartizimin e agjencive dhe institucioneve të tjera përveç ekzekutivit e legjislativit. Edhe kjo mungon. Në të kundërt kjo paketë sjell pështjellime e paqartësi duke i kthyer nën varësi të qeverisë plot instiucione e agjenci që duhet të jenë të pavarura.
Kjo paketë duhet të paraprihej nga diskutimi e debatimi i plotë mbi profesionet, shkollimin dhe karakteristikat e profesioneve brenda shërbimit publik të Kosovës. Dhe mbi kritere të drejta e të barabarta duhej të përkufizonte ato. Si rrjedhim do të duhet të kishim ligjin dhe klasifikimet për pagat. As kjo nuk ndodhi. Kjo paketë nuk garanton pagë të barabartë për punë të barabartë. Dhe nuk arrin të shquaj profesionet me vështirësi të lartë e kërkësë shkollimi superior.
Reforma në administratë do të duhet të adresonte fillimit shërbyesit e nëpërkëmbur ata që janë në nivelin më të ulët të pagesave dhe të trajtimit. Nuk e kanë bërë, përkundrazi janë kujdesur që zyrtarët publik të lartë edhe ashtu me plot privilegje t’i rehatojnë edhe më tej.
Si pasojë punonjësit shëndetësor, sistemi arsimor parauniversitar e parashkollor në përgjithësi, stafi mbështetës i sistemit të drejtësisë, zjarrëfikësit e plot kategorit të tjera nuk janë adresuar nga qeveria.
Edhe pse ne kemi kritika thelbësore dhe kërkesë për ta nisur ndryshimin që në thelb të kësaj pakete siç janë bërë publike dhe janë adresuar në komisione parlamentare nga përfaqësuesit tanë, duke qenë se mazhoranca ka gjetur votat për ta kaluar në lexim të parë, deputetët tanë në konsultim me profesionistët e punëtorët e sektorit publik kanë adresuar tre fusha bazë, si arsimi, shëndetësia dhe drejtësia. Shtuar këtyre dhe kërkesat për ulje dhe heqje të shtesave për zyrtarët e lartë.
Ne besojmë se Administrata publike është zemreku i shtetit. Ne e duam punonjësin e sektorit publik si përshpejtim i shtetësisë sonë jo si peng i shtetit të kapur.
Republika e Kosovës duhet sa më parë të adresoj në një tjetër mënyrë e platformë llojin e organizimit të admistratës ku paga e Presidentit nuk është 17 herë me e lartë se paga minimale e sanksionuar me ligj në Kosovë. Ku drejtuesit e kabineteve të ministrave paguhen e vlerësohen më shumë se kirurgët e arsimtarët. Ku stafet e ministrave paguhen 10 fish më shumë se edukatorët e çerdheve.
Përveç amandementeve që Lëvizja VETËVENDOSJE! i dorëzoi dje në Kuvend nëpërmjet deputeteve të saj dhe nëpërmjet komisioneve ku bëjnë pjesë gjatë ditëve në vijim do të thërrasë në takim konsultuese e diskutim publik sindikatat e përfaqësuesit e institucioneve që kanë pasur probleme me këtë paketë.
Po ashtu të gjitha shqetësimet e tyre po përpiqemi që t’i bëjmë pjesë të ndryshimeve në grupin punues të Komisionit parlamentar për Administratë publike.