05 11 2018

TRIBUNË PËR ASTRIT DEHARIN: JETON VETËM AI QË FLIJOHET PËR TË TJERËT

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tribunën për dy vjetorin e vrasjes së aktivistit Astrit Dehari. Jeta dhe vepra e Astritit u përkujtuan nga deputeti i Lëvizjes Xhelal Sveçla, Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës dhe Kryetari i Qendrës së Prishtinës Arben Vitia dhe nga shoku e kolegu i tij Arlind Lika. Në tribunë u lexua edhe letra e solidaritetit e dërguar nga grupi më i madh i partive social-demokrate Internacionalja Socialiste, e cila kërkonte sa më shpejt zbardhjen e plotë të së vërtetës.

Astriti ishte shok i dashur, aktivist shembullor, student i shkëlqyer i mjekësisë dhe biri i një familje atdhetare. Astriti vazhdon të jetojë ngaqë u sakrifikua për të tjerët dhe ne vazhdojmë të jetojmë ngaqë Astriti u flijua për ne. Drejtësia e vonuar për vdekjen e tij të dhunshme është drejtësi e mohuar. Kanë kaluar dy vite dhe akoma vrasja nuk është zbardhur.

Astriti u arrestua dhe u mbajt në burg në mënyrë tërësisht arbitrare. Për më shumë se 60 ditë nën arrest nuk u mor asnjëherë në pyetje, por vetëm u ushtrua presion mbi të. Pas vdekjes së tij të dhunshme Drejtori i Policisë së Prizrenit, Prokuroria e Kosovës, Ministra e Drejtësisë dhe disa nga mediat ngjitur me pushtetin u vërsulën menjëherë me deklarata publike për ta mbuluar duke e shpërfytyruar të vërtetën për rastin. Deshmitari kryesor okular dhe i burgosuri që ka ndarë qelinë e burgut me Astritin vdiq papritmas në burg ende pa filluar siç duhet procesi i hetimit për vrasjen e Astritit. Po ashtu, të gjithë ata që punuan për zbardhjen e çështjes, si në rastin e ekspertëve të pavarur mjeko-ligjor, nuk mbetën pa u kërcënuar nga pushteti.

Ende edhe sot, asnjë zyrtar nuk është ndëshkuar për veprimet, apo mosveprimet e tij. “Regjimi donte të disiplinonte dhunshëm secilin student, familjar, aktivist e qytetar shembullor të angazhuar, duke goditur pikërisht shembullin tonë më të plotë”, tha deputeti Xhelal Sveçla.

Astriti e zhvilloi veprën dhe angazhimin e tij si student, humanist dhe aktivist politik. Arben Vitia rikutoi brengën e Astritit për nivelin e shëndetësisë dhe gjendjen e përgjithshme të Kosovës duke risjellë shumë kujtime nga angazhimi i shokut tonë. Astriti dinte ta kthente brengën për Kosovën në angazhim politik, dinte t’i kthente shënimet e tij studimore në politika publike shëndetësore dhe dinte ta përthyente modestinë në vullnetarizëm të palodhshëm.

Kolegu dhe shoku i tij Arlind Lika ndau dhimbjen e tij duke thënë, “Astriti ishte pjesë e jona dhe ne ishim pjesë e Astritit. Pa të nuk jemi më të njëjtit. Një pjesë e jona u vra bashkë me të, por s’mundemi të shkojmë asgjëkundi pa e mbartur me vete një pjesë të tijën. Astriti ra, ndërsa ne duhet të ngrihemi në lartësinë e rënies së tij”.

Humbja e aktivistit politik ia rrit peshën të shkuarës, por edhe na nxjerr nga burgu i të tashmes. Ne jemi gjurmët e Astritit, hapat e lirisë dhe barazisë që çlirojnë dhe shtrojnë shtegun e të ardhmes së kësaj toke. Astriti është shembulli jonë për t’u ndjekur. Ne as nuk harrojmë dhe as nuk ndalemi pa u vendosur drejtësi për të dhe liri e barazi për Kosovën.

Kontribo