01 11 2018

Takim me drejtuesit e “Westminster Foundation for Democracy”

Takim me drejtuesit e “Westminster Foundation for Democracy”

Përfaqësuesit e fondacionit “Westminster Foundation for Democracy” (WFD) të Mbretërisë së Bashkuar u pritën në takim nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, deputetja Fitore Pacolli dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi. Në këtë takim, nga WFD-ja morri pjesë Drejtori Ekzekutiv, Anthony Smith, Drejtori Rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore, Christopher Levick, dhe përfaqësuesi i WFD-së në Kosovë, Fitim Mulolli. WFD-ja është fondacion i themeluar si organ publik në fillim të viteve 1990 me inisiativën e të gjitha partive politike parlametare të Mbretërisë së Bashkuar. Një nga synimet kyç të këtij fondacioni është asistenca në proceset demokratike të vendeve në zhvillim përmes programe të ndryshme të bashkëpunimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.

Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e Lëvizjes shpjeguan situatën e përgjithshme politike në Kosovë, duke bërë edhe një analizë të punës së Kuvendit të Republikës, dhe duke i falenderuar përfaqësuesit e WFD-së për angazhimin e shtuar të tyre në Kosovë. Më tej në takim u trajtua mundësia për rritjen e bashkëpunimit mes WFD-së dhe Parlamentit të Kosovës, si dhe me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Përfaqësuesit e WFD-së shprehën interesimin e tyre për ta zhvilluar më tej punën e WFD-së në Kosovë dhe bashkëpunimin me Lëvizjen. Në fund, palët u dakorduan për ta shtuar komunikimin dhe për të mbajtuar takime të tjera në të ardhmen në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Prishtinë, 1 nëntor 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo