Mbledhja e XXXVI e Këshillit të Përgjithshëm
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot ka mbajtur mbledhjen e XXXVI. Kryetari Albin Kurti, pos diskutimit mbi situatën politike ka folur edhe për punën e organizatës sonë gjatë një viti prej kur është zgjedhur kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
“Varfëria jonë po shndërrohet në greva. Sepse as mësuesit, as mjekët e askush nuk mund të durojë që qeveria të ia rrisë rrogat vetes që nuk punon, por nuk ia rrit atyre që vërtet punojnë. Sigurisht, ne nuk duam që mësuesit e mjekët të ndërpresin punën, sepse nxënësit kanë nevojë për mësim dhe të sëmurët për shërim. Por ne e kuptojmë thellësisht gjendjen e vështirë të atyre që punojnë në administratë publike e sidomos të mjekëve e të mësuesve. Kur qeverinë ta udhëheqë Lëvizja VETËVENDOSJE! ne do të kujdesemi që pabarazia mes tyre dhe qeveritarëve të zvogëlohet shumë, dhe që statusi social i mësuesve e i mjekëve të jetë shumë më i mirë se sa sot. Nuk ka kuptim që injoranti e hajni që ka hipur atje lart të paguhet me dhjetëra mijëra euro në vit, të marrë mëditje, të shëtitet me makina zyrtare e shoferë, ndërsa mësuesi e mjeku e punëtori i administratës të paguhet më pak sesa që pushtetari i shpenzon për telefon mobil a për dreka e darka”, tha Albin Kurti.
Ndërkohë sa i përket punëve organizative, kryetari Kurti duke falenderuar për punët e secilit organ të Lëvizjes, theksoi se: “Në fund të vitit 2017, në 30 Qendrat tona gjithandej Kosovës i kishim plot 17 Qendra pa kryetar, me ç’rast 6 prej tyre ishin me koordinator e 11 të tjera pa kryetar e pa koordinator, dhe vetëm 16 Qendra ishin me sekretar organizativ në fund të vitit 2017. Në vetëm 3 Qendra ka pasur kryesi të plotë dhe funksionale. 17 Qendra kanë mbajtur takime të kryesisë, por me mungesa të anëtarëve të kryesisë, nga 1 deri në 6 anëtarë. 7 Qendra kanë funksionuar me grupe punuese, ndërsa 3 Qendra nuk kanë pasur as kryesi e as grup punues. Këshilli i Qendrës ka funksionuar në 7 Qendra, ndërsa 5 Qendra nuk kanë pasur Këshill fare. Nga 25 Qendra, si organizatë i kemi pasur 320 Pika. Në 5 Qendra nuk kemi pasur asnjë pikë të themeluar. Sot, pas proceseve zgjedhore të mbajtura nëpër Këshillat e Qendrave, aktualisht, nga 30 Qendra, 25 Qendra kanë kryesi të zgjedhur dhe funksionale, kurse 5 Qendra janë me grup punues. Gjatë vitit 2018 kemi mbi 60 Pika të ristrukturuara dhe plot 146 Pika të reja të themeluara. Përfshirë diasporën, Lëvizja e mbylli vitin 2018 me 496 Pika”.
Po ashtu, në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm u raportua edhe nga komisionet e brendshme për punën vjetore, si: Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor, Komisioni Statutor dhe Komisioni Disiplinor. Angazhimi dhe roli i komisioneve të brendshme është garant i rregullave e mjedisit të përshtatshëm të brendshëm.
Para Këshillit të Përgjithshëm, u prezantua edhe puna e Grupit Parlamentar të Lëvizjes. Deputetët e Lëvizjes vazhdojnë që me përkushtim përmes pyetjeve parlamentare, interpelancave e deklarimeve dhe nismave ligjore të mbartin zërin dhe interesat e qytetarëve në Kuvend.
Gjithashtu, para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm u raportua edhe për qeverisjen lokale në Prizren e në komunat tjera ku Lëvizja VETËVENDOSJE! është në bashkëqeverisje. Efektet e qeverisjes lokale të Lëvizjes si shërbim ndaj qyetarëve, mirëqeverisja, llogaridhënia e transparenca dhe përmbushja e zotimeve janë vlerat që do ta karakterizojnë angazhimin tonë edhe në nivel lokal.