KUNDËR SHKATËRRIMIT TË LUMBARDHIT
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencën për median në Pejë mbi ndërtimin e HEC-eve në Lumbardh. Në konferencë folën nënkryetarja Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe anëtari i Kryesisë në Pejë Taulant Kelmendi.
Komisioni ndërministror për investime strategjike ka riaktualizuar projektin për ndërtimin e HEC-eve në Lumbardh. Një projekt i cili nuk i plotëson kushtet mjedisore dhe është shkatërrues për ambientin tashmë cilësohet si investim strategjik. Ky vendim është marrë në kundërshtim me planin zhvillimor komunal, i cili i ndalon ndërtimet e HEC-eve në zonë, pikërisht nga degradimi që ka ndodhur në komunën e Deçanit nga i njëjti investitor. Më parë, edhe Ministria e Ambientit e ka dekurajuar ndërtimin në këtë zonë.
Projekti ka filluar në 18 tetor 2013 në një marrëveshje mes komunës dhe kompanisë Kelkos Energy për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në fshatrat e Rugovës për rreth 120 milion euro. Ndërsa vetë kompania në regjistrimin e saj figuron me vetëm një punëtor dhe një mijë euro kapital. Plani zhvillimor komunal e ka ndaluar projektin deri në vitin 2016 kur zyra e rregullatorit të energjisë ka pranuar kërkesën e kompanisë për gjenerimin e energjisë.
Synimi i kompanisë dhe i bashkëpunëtorëve të tyre në institucionet përkatëse publike është që projekti të kalojë heshturazi, pa kundërshti dhe pa njoftimin e qytetarëve. Këtë gjë nuk po e lejojnë qytetarët e Pejës të cilët ditën e nesërme organizojnë një protestë kundër këtij projekti.
Ne jemi për energji alternative, por jo në kurriz të shkatërrimit të natyrës. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! e mbështet protestën e qytetarëve të Pejës, i bashkohet asaj dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Pejës që të bëhemi bashkë kundër shkatërrimit të Lumbardhit dhe bukurive natyrore të Pejës. I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse nga ministria deri te inspektorati mjedisor që të pezullojnë çdo aktivitet të lidhur me avancimin e këtij projekti.